Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar mbrëmjen e së mërkurës ligjin për parkingjet me pagesë. Pas një debati që ka zgjatur për rreth 3 orë, Këshilli ka votuar projektin në fjalë, që përcakton tarifat e parkimit, vetëm me votat e mazhorancës.
Këshilltarët opozitarë e kanë bojkotuar votimin. Ndërkohë që me të njëjtat vota janë miratuar edhe pikat e tjera të rendit të ditës, mes të cilave ajo për rritjen e rrogave të administratës së bashkisë.
Në fjalimin e tij në hapje të seancës, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj e cilësoi si një domosdoshmëri çështjen e menaxhimit të parkingjeve përmes një agjencie, në mënyrë që të ardhurat e siguruara nga ky shërbim publik t’i shkojnë bashkisë dhe të përdoren më tej për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve, ben te ditur Top Channel.
Veliaj solli si shembull projektlin pilot të parkingut tek sheshi “Italia”, të ardhurat e të cilit kanë kapur shifrën e rreth 1 mijë eurove në ditë, apo 30 mijë euro në muaj për Bashkinë e Tiranës.
“Ju i keni parë ca njerëz që vijnë vërdallë dhe marrin para cash nga njerëzit për t’u parkuar makinat. 1 mijë euro në ditë fitim bashkisë nga parkingu te sheshi ‘Italia’, një projekt pilot që rezulton një histori suksesi. Një tjetër projekt pilot është ai në rrugën ‘Dritan Hoxha’, ku kemi edhe një korsi për urbanin dhe një për biçikletat. Lajmi i mirë është për rezidentët, të cilët e kanë parkimin falas. Sheshet e pallateve ishin kthyer në sheshe për shitje automjetesh, ndërkohë që të ardhurat do t’i shkonin qytetit. Vende shumë më të sofistikuara se ne i kanë bërë këto debate, por nuk i kanë politizuar”, tha Veliaj.
Sa u takon tarifave, Bashkia aktualisht ka vetëm një regjim, atë për 3 mijë vende me 1.000 lekë ora, ndërkohë që sipas Veliajt, kryeqyteti duhet të ketë disa paketa tarifimi, për shembull: kur rri 5 orë paguan 2 mijë lekë.
Ndaj këtij propozimi reaguan ashpër anëtarët e djathtë të këshillit. Fabian Topollaj akuzoi kreun e bashkisë se me këtë vendim po merr në pronësi asetet e qytetit të Tiranës për t’i shfrytëzuar në mënyrë private. Me këtë akt, sipas tij, i hiqen kompetencat Këshillit Bashkiak, pasi zonat se ku mund të parkohet janë kompetencë e këtij organi.
“Me këtë ligj biem dakord që poshtë pallateve, qytetarët e Tiranës të paguajnë 1 mijë lekë ora në disa zona dhe 400 taksa ora në disa vende të tjera. Ky vendim i kryetarit të bashkisë vjen në një moment ku varfëria është trefishuar sipas BB”, tha Topollaj.
Me heret Shezai Rrokaj përfaqësues i LSI në këshillin bashkiak, duke shprehur qëndrimin e forcës së tij, doli kundër projektit të kryebashkiakut Erion Veliaj për të bërë parkingje me pagesë nëpër zonat rezidenciale të banorëve të Tiranës.
Rrokaj tha se Lsi është kundër bërjes së parkingjeve nëpër lagje me pagesë.
Ai tha se Lsi do të mbështesë vetëm parkingjet me zero kosto për qytetarët.
1000 leke ora? 1 euro eshte 140 leke; d.m.th. me teper se 7 euro ora….