Lëvizja Socialiste për Integrim ishte e para që kërkoi të kishte më shumë vëmendje nga ana e qeverisë për festimet e 70- vjetorit të Çlirimit.
Në fakt, deri në muajin e fundit nuk pati ndonjë lëvizje që të tregonte se po afronte një festë e rëndësishme.
Para disa ditësh, një bunker bërthamor i regjimit komunist u hap për publikun, por ndaj kryeministrit Edi Rama pati akuza se ai po hapte një muze të fshehur për Enver Hoxhën.
Vetë Rama nuk iu përgjigj direkt akuzave se kishte mbledhur reliket e Enver Hoxhës në një bunker, por në një postim të shkurtër në Twitter, shkroi se “Bunk- Art është një hapësirë lirie për njerëz që nuk kanë frikë nga hija e tyre”.
E megjithatë, ajo që është në sulm këto ditë, është LSI.
Një ditë më parë, kryetari i saj, Ilir Meta, ishte në ceremoninë për rivendosjen e monumentit “5 heronjtë e Vigut”, këtë herë jo në qendër të Shkodrës, por në një rrethrrotullim periferik.
Sot të rinjtë e LSI kanë mbushur sheshet me portrete të dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, një ide e konsumuar me vendosjen e martirëve në bulevard për vizitën e Papës.
Duket se LSI është në sulm në prag festash, edhe pse ka pasur zëra se Ilir Meta është detyruar që të heqë shallin e partizanit, sidomos pas një deklarate të ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, se Enver Hoxha ka qenë një monstër.