LSI ka prezantuar sot programin për Durrësin, në prag të zgjedhjeve më 25 prill. Elona Guri e cila është në krye të fushatës në Durrës, ka marrë fjalën e para.
Teksa hodhi akuza ndaj qeverisë, Guri tha se në Durrës do të ndërtohen zona të lira ekonomike me ngarkesë fiskale dhe taksa 0, për të luftuar papunësinë dhe varfërinë, si dhe çdo pengesë që aktualisht i ka ngritur investitorëve të huaj Rilindja.
“Ndërsa Rama nuk i do investitorët e huaj, që ekonomia shqiptare të jetë monopol i oligarkëve, me ndryshimin që vjen, ekonomia kthehet në shërbim të të gjithëve.
Pozicioni gjeografik, porti i Durrësit, lidhja infrastrukturore, afërsia me aereoportin dhe lidhja tokësore me Kosovën dhe rajonin, sëbashku me burimet njerëzore profesionale që jetojnë në Durrës, tregojnë më së miri për potencialin e zhvillimit.
Potencial, të cilit i ka munguar deri më sot, vullneti nga politika që ta vendosë Durrësin në shërbim të punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve të tij.
Ndërsa i gjithë programi i LSI ka synim kryesor punësimin e qytetarëve, ky projekt specifikisht e kthen Durrësin në motor të punësimit masiv dhe të mirëpaguar”, – tha Guri.