Kryesore

Lubonja dhe Bushati: Pse nxitoi Rama te Rai, turp i Bruno Vespës






               Publikuar në : 19:07 - 06/03/19 |
mapo.al

Dalja e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në emisionin ‘Porta e Porta’ në Itali ka provokuar shumë reagime online. Shumë meme janë prodhuar, por po kaq i frikshëm ishte intensiteti i komenteve të bëra nga njerëzit e qeverisë në faqen e këtij emisioni.


Por analisti Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, tha se nëse publiku italian donte me të vërtetë të dinte çfarë po ndodh në Shqipëri, le të niseshin gazetarët italianë dhe ta shikonin nga afër situatën, jo të ngrihej kryeministri e të përpiqej të rregullonte imazhin e Shqipërisë.

“Vespa nuk njihet në Itali si ata që thonë të vërtetën, por si shërbëtor i regjimit të Berluskonit. Sado që e kam ndjekur prej kohësh Italinë edhe Vespën, ajo që pashë dje i kalonte caqet e imagjinatës sime. Edhe në Shqipëri, edhe gazetarët me shërbëtorë bëjnë kujdes të ftojnë në studio jo vetëm njerëz që mbështesin njërën palë, por edhe palën e kundërt, ndërkohë që ai kishte ftuar Ramën dhe tre personazhe, ku njëri ishte gazetari i Liberos që s’dinte asgjë nga Shqipëria, i dyti Igli Tare që është futbollist dhe s’ka jetuar fare në Shqipëri, aq më tepër që njihet si njeri i afërt me Ramën dhe i treti një sipërmarrës, edhe ai i panjohur. Mua më bëri përshtypje që mungonte publiku shqiptar, mungonte një intervistë me njerëzit, një zë i paanshëm, s’po them politik por mungonte gjithçka. Ishte qartazi një gjë si mund ta thuash: e blerë! Ndoshta jo me lekë, por me influenca. Ishte turpi i turpit të Bruno Vespës, ndaj besoj edhe e kishte futur në pjesën e fundit. Kryeministri i një vendi, në vend që të ketë 15 minuta në orën kryesore, futet atje në fund pas debateve të rëndomta të ditës, kjo ishte e neveritshme. Nëse duan të mësojnë ç’ndodh këtu, le të vijnë gazetarët italianë, por jo të niset kryeministri nga Shqipëria për të sqaruar çfarë ndodh këtu dhe për të rregulluar imazhin e Shqipërisë”,- tha Lubonja.

Kurse Andi Bushati shkruan tek Lapsi.al se ajo e mbrëmshmja ishte një shfaqje e turpshme.

“Që nga protesta e opozitës në 16 shkurt dhe më tej, pas vendimit radikal për djegien e mandateve, Shqipëria është rikthyer në vëmendjen e perendimorëve. Natyrisht, duhet thënë hapur dhe qartë se nga kancelaritë euro- atlantike Edi Ramës nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë. Të gjithë pothuajse një zëri kanë dënuar aktet e dhunës dhe sjelljen ekstremiste të pakicës për të braktisur kuvendin. Në këtë aspekt, për pushtetin e rilindjes, situata duket ende rozë.

Por, një vëzhgues i vëmendshëm nuk mund të mos këqyrë një lëvizje tektonike që zhvillohet me sens të kundërt. Një mori mediash prestigjoze kanë rikthyer sytë nga Tirana. Sipas devizës së njohur të këtij profesioni, se lajm është vetëm lajmi i keq, ato po përpiqen të kuptojnë arsyet e asaj që po ndodh në Tiranë. Dhe “Rai 2” e dha verdiktin e tij: trafikantët e drogës që blejnë vota,” shkruan Bushati.

“Pikërisht këtë lojë, atë të perëndimit të dy shpejtësive, ku gazetarët përshkruajnë një realitet që trondit më pas dhe burokratët, e ka kuptuar edhe Edi Rama. Si një nohës i mirë i “PR” ai e ka ndjerë se ç’mund të prodhojë në të ardhmen mekanizmi mediatik i vënë në lëvizje. Prandaj ai la parlamentin dhe nxitoi të nxjerë kokën, pak para mesnatës në «Porta a porta». Prandaj ai ka lobuar me gjithçka kishte mundësi që të balancojë valën e artikujve dhe reportazheve për qeverisjen e tij, që nuk po pushojnë në mediat perendimore, që prej 16 shkurtit.

Askush nuk mund të vërë bast se me sponsorizimin e shfaqeve të neveritshme si ajo e së martës në mbrëmje, ai do të arrijë ta realizojë qëllimin e vet. Por, ama, asnjeri nuk mund t’a akuzojë, si miop, që nuk e shikon se nga i vjen rreziku. Pavarësisht se për momentin e ka mbështetjen e kancelarive, ai tashmë e di se cili është «kazani» që mund të shkërmoqë fasadën e shndritshme që ka ndërtuar duke nxitur një efekt domino. Për të ndalur këtë shkoi e ra në gjunjë tek Bruno Vespa”.


Etiketa: , , , , , ,

KOMENTO (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

  1. Sa qesharake… fundi i kazanit te pa kallaisur ndonjehere, rreket te beje me turp njerin prej gazetareve dhe prezantuesve televiziv me te mire te botes… bravo kazani. I mjeri Bushat me perngjan me ate cunakun me lapsin e tij majethyer, te vene mes buzeve te tij qe nuk mundin dot te murmurisis, sepse nuk i ka hyre ne koke asgje nga ajo cfare i ka shpjeguar mesuesi.

    Përgjigju ↓
Pas