I ftuar në emisionin ‘Të paekspozuarit’ në News24, analisti Fatos Lubonja ka komentuar deklaratën e presidentit Ilir Meta se ai është gati të sakrifikojë mandatin e tij, për t’i dhënë fund krizës politike. Lubonja u shpreh se kriza më e madhe, përpos krizës politike, është kriza e Shqipërisë. Gjithashtu Lubonja u shpreh se, nëse Meta jep dorëheqjen si president, e thellon më shumë krizën.
“Unë do veçoja fjalën krizë të përdorur nga Meta, sepse Edi Rama përpiqet të bëjë propagandë sikur këtu nuk ka krizë dhe sipas tij ka ca njerëz që duan të marrin pushtetin në tavolinë. Ka përdorur fjalën juntë, dhe dhunë që njëra i takon opozitës dhe tjetra mazhorancës. Fjala e rëndësishme është dialog, sepse junta nuk na çon asgjëkund. Për çfarë krize e ka fjalën Meta, pra krizë mes dy forcave? Por kriza më e madhe është kriza e Shqipërisë. Meta thotë të zgjidhim këtë krizë dhe të hapim negociatat, por nuk është zgjidhje e krizës së Shqipërisë. T’i thotë ai Edi Ramës largohu, kjo nënkupton se e thellon krizën. Se nëse presidenti i bashkohet opozitës me largimin nga presidenca, kjo thellon krizën”, tha Lubonja.
Kurse Andi Bushati tha se kreu i shtetit nuk kërkon t’i hedhë benzinë zjarrit, ndërsa shtoi se Edi Rama e ka të vështirë shkëputjen nga karrigia e pushtetit. Analisti shtoi se deklarata e Presidenti Ilir Metës është një kunj për shefin e ekzekutivit.
“Mendoj se ka dy mënyra të shikuarit, deklaratën e Metës. I pari është në rrafshin sipërfaqësor. Një njeri që thotë jam gati të djeg mandatin, asociohet me Kryemadhin dhe Bashën. Por, ai thotë unë jam gati të vetësakrifikohem nëse gjendet zgjidhje për krizën. Pra, këto janë shumë të ndryshme. Gjëja e dytë, është kjo deklarata ‘djeg mandatin presidencial’. Është një karshillëk dhe kunj për Ramën. Meta thotë unë e lë postin nëse kemi zgjidhje krize. Po të bësh panoramë të madhe të figurave politike, Berisha ka dhënë dorëheqjen, Ilir Meta ka dhënë dorëheqjen, Pandi Majko dy herë, Fatos Nano është larguar. Kemi një njeri që në 21 vjet ka shkruar shumë tekste dorëheqjesh për të tjerët, por nuk ka dhënë kurrë dorëheqjen vetë dhe ky është Edi Rama. Deklarata e Metës mund të merret në këtë kontekst”.