Një ditë para samitit të BE-së, Bullgaria është vënë nën presion të fortë politik, me qëllim që t’i hapë rrugë anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Bashkimi Europian, nga lufta në Ukrainë, ka ndryshuar qasje për zgjerim, pritet që Shqipëria të përfitojë nga zvarritja e çeljes së negociatave
Një mocion mosbesimi të mërkurën kërcënoi se do të rrëzojë qeverinë bullgare dhe kryeministrin Kiril Petkov, i cili nga ana e tij, u zotua se do të luftojë korrupsionin dhe mbajti një qëndrim jashtëzakonisht të ashpër kundër Rusisë.
Koalicioni katër-partiak i Petkov mori detyrën gjashtë muaj më parë, për t’u shpërbërë në fillim të këtij muaji lidhur me mosmarrëveshjet mbi shpenzimet buxhetore apo edhe nëse Bullgaria duhet të zhbllokojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Vendi i Bashkimit Evropian tani përballet me një raund të ri trazirash politike dhe ndoshta zgjedhjet e tij të katërta kombëtare që nga prilli 2021, duke vënë në rrezik miliona euro nga fondet e rimëkëmbjes së BE-së dhe planet e tij për të adoptuar euron në vitin 2024.
Bllokimi mund të pengojë gjithashtu përpjekjet e Bullgarisë për të siguruar prurje të qëndrueshme të gazit natyror pasi Moska ndërpreu dërgesat e gazit në vendin ballkanik – pothuajse plotësisht i varur nga gazi rus – për shkak të refuzimit të Sofjes për të paguar në rubla.
Duke folur gjatë një debati mbi mocionin e mosbesimit në Parlament këtë të martë, Petkov u bëri thirrje ligjvënësve që të mbështesin kabinetin e tij mes një lufte në Ukrainë dhe inflacionit në rritje. Dukshëm Bullgaria është vënë nën presionin e Gjermanisë dhe të Bashkimit Europian, për të hequr veton
Ukraina dhe Moldavia do të marrin statusin e vendit kandidatit
Ukraina do të bëhet një vend kandidat zyrtar për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të enjten, në një vendim simbolik, por moral-ngritës të saj, pas pushtimit të Rusisë, thanë ministrat dhe diplomatët të mbledhur këtë të martë.
Udhëheqësit e BE-së në Bruksel pritet të nënshkruajnë rekomandimin e lëshuar javës së kaluar nga Komisioni Evropian. Pas disa ditësh diskutimesh të brendshme të BE-së, asnjë kundërshtim midis 27 vendeve anëtare nuk është shfaqur, i thanë tre diplomatë për Reuters.
“Ne po punojmë që t’i themi (presidentit rus Vladimir) Putin se Ukraina i përket Evropës, se ne gjithashtu do të mbrojmë vlerat që mbron Ukraina”, u tha gazetarëve ministri i Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Jean Asselborn, përpara takimit me ministra të tjerë të BE-së.
Moldavia është gjithashtu pothuajse e sigurt se do t’i jepet statusi i kandidatit, thanë diplomatët, megjithëse Gjeorgjia duhet të përmbushë kushtet, domethënë të kapërcejë ngërçin politik në vend.
Një zyrtar presidencial francez, vendi i të cilit kryeson BE-në deri në fund të qershorit, u tha gazetarëve në një konferencë se ishte i bindur se asnjë nga 27 nuk do të bllokonte statusin e kandidaturës për Ukrainën dhe Moldavinë.
“Ne po krijojmë konsensus. Në këtë moment nuk mund të them që të 27 janë dakordësuar, por ka shpresë të arsyeshme për të arritur shpejt një marrëveshje për Ukrainën dhe Moldavinë në Këshillin e BE-së”.
Ministri i Francës për Evropën, Clement Beaune, u tha gazetarëve pas takimit ministror në Bruksel se kishte “konsensus total” midis 27-ve, por nuk do të ishte në dorën e krerëve të shteteve ta konfirmonin atë. Pavarësisht nga disa dyshime midis vendeve veriore të BE-së se pranimi i Ukrainës, e cila vuan nga korrupsioni endemik, është joreale, ministri i jashtëm i Danimarkës tha se e mirëpret dhënien e statusit të kandidaturës së Ukrainës.
“Është shumë mirë dhe është diçka që Danimarka e mbështet me gjithë zemër; ne duam të ndihmojmë Ukrainën që të arrijë ëndrrën e saj evropiane”, u tha Jeppe Kofod gazetarëve në Luksemburg. Ndërsa kandidatura e Ukrainës bën një zhvendosje strategjike drejt lindjes, përballë luftës së Rusisë në Ukrainë, Kievit ka të ngjarë se do t’i duhen vite për t’u bërë një anëtar i bllokut, nëse fare.
Ukraina tashmë ka një pakt të tregtisë së lirë me BE-në, por aplikoi për t’u bashkuar disa ditë pas pushtimit të Rusisë. Moska thotë se “operacioni i saj special ushtarak” ishte pjesërisht i nevojshëm nga cenimi i Perëndimit në atë që ajo e karakterizon si sferën e saj të ligjshme gjeografike të ndikimit.
Sondazhi: Lufta e Ukrainës ka rritur besimin për Europën e Bashkuar
Gati dy të tretat e evropianëve e konsiderojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian “gjë të mirë”, tregoi një sondazhi i publikuat sot, duke shënuar rezultatin më të lartë në 15 vjet.
Shumica e vendeve treguan qëndrime dukshëm më pozitive ndaj anëtarësimit në BE krahasuar me një sondazh të kryer në fund të vitit të kaluar, tha Parlamenti Evropian në një deklaratë, veçanërisht në shtetet baltike të Lituanisë dhe Estonisë”, transmeton “Liberale.al”.
“Me rikthimin e luftës në kontinentin tonë, evropianët ndihen të qetësuar që janë pjesë e Bashkimit Evropian”, shtoi presidentja e parlamentit Roberta Metsola. Sondazhi tregoi se vetëm një në 10 të anketuar e shihnin Rusinë pozitivisht krahasuar me një në tre në 2018.
Qëndrimet ndaj Kinës gjithashtu u përkeqësuan. Evropianët raportuan një imazh më pozitiv të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. Gati 60% e konsideruan mbrojtjen e “vlerave të përbashkëta evropiane” një prioritet, edhe nëse do të ndikonte në çmimet dhe kostot e jetesës, të cilat janë rritur ndjeshëm që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Një tjetër sondazh i mbështetur nga BE-ja i publikuar javën e kaluar tregoi 80% mbështetje për sanksionet ekonomike ndaj Rusisë dhe një politikë të përbashkët sigurie dhe mbrojtjeje. Sondazhi i Parlamentit Evropian anketoi rreth 27,000 njerëz në 27 shtetet anëtare të bllokut, në sondazhin e zhvilluar midis prillit dhe majit.