Aktualitet

Lufta II Botërore, realitete shqiptare në Malësinë e Gjakovës








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:25 - 27/11/20 |
Nga Veli Haklaj

Zhvillimet në rrafshin kombëtar në muajt e fundit të vitit 1943 ndikuan dukshëm dhe në Malësinë e Gjakovës.



Relacionet ndërmjet krahut nacionalist me atë komunist, shfaqja e elementeve të parë të Luftës Civile në Shqipërinë e Jugut, patën reflektimet e tyre edhe në Rrethin e Tropojës, çka përcaktoi zhvillimet kryesore gjatë vitit 1944. Pozicioni gjeografik dhe historikisht fryma kundër pushtuesit ishin ndër arsyet që në këtë trevë të përqendroheshin formacione partizane dhe nacionaliste jo vetëm të Malësisë së Gjakovës, por dhe të Kosovës, Shkodrës e më gjerë.


Kjo solli dhe ballafaqime ushtarake ndërmjet kampeve kundërshtare, me pasoja të shumta njerëzore dhe ekonomike. Në vijim lexuesi i Gazetës MAPO do të njihet me disa nga aspektet kryesore të këtyre zhvillimeve.



Aleanca e parisë së Malësisë së Gjakovës me nacionalistët
Mbas konferencës krahinore të Malësisë së Gjakovës që u mbajt në Kolgecaj (Fushë-Lumë) më 28 gusht 1943, kapitullimi i Italisë fashiste dhe ardhja e pushtuesit gjerman krijuan realitete të reja në Tropojë. Ndarja e Abaz Kupit nga Fronti Nacionalçlirimtar i vuri përballë dilemës një pjesë të parisë së Malësisë.



Për këtë, Adem Sali Metaliaj (nga Dragobia, myfti i Kukësit) dhe Ali Brah Neza (nga Shipshani) shkuan në Tiranë në fillim të nëntorit 1943, si përfaqësues të nacionalistëve të Malësisë së Gjakovës, dhe u takuan me krerët e Ballit Kombëtar e të Legalitetit. Protagonisti i këtij udhëtimi për në Tiranë, Adem Saliu, pohon se një natë para se të nisej për Tiranë, ishin mbledhur në shtëpinë e Uk Hasanit paria e Malësisë së Gjakovës, në mesin e të cilëve ishin dhe dy nga të rinisë, Ram Mujë Hoxha dhe Jah Sali Bajraktari.


Nga Paria ishin Tahir Hoxha, Sali Mani, Zenun Alija, Abdyl Qerimi, Selim Gashi etj., shumica e të cilëve ishin zogista. Të nesërmen, ditën, Adem Saliun e thërrasin në shtëpinë e Ali Bajramit. Krerët e Malësisë Sali Mani, Tahir Hoxha, Selim Gashi, Avdi Bajrami, Abdyl Qerimi i thanë atij se “e kemi parë të arsyeshme që të të dërgojmë në Tiranë për me marrë vesh nëse âsht nda nga Lëvizja Nacionlçlirimtare Abaz Kupi”.

Ata i dhanë para për shpenzimet dhe Adem Saliu u nis së bashku me Ali Brah Nezën për Tiranë, ku qëndruan dy-tre ditë. Paria nuk u përcaktoi atyre se me kë do takoheshin. Ata fillimisht u takuan me Sali Vuçiternin, në Tiranë, i cili ishte drejtor i Vakefeve, dhe u thotë që do të merreni vesh me Abaz Kupin, që është në rrethet e Krujës. Adem Saliu u takua edhe me avokat Sadri Fasllinë (nga Zogajt e Tropojës), i cili ato kohë më shumë rrinte në Kosovë, dhe me Isa Domin, me të cilin kishte patur lidhje dhe më parë.

Sali Hoxha (Vuçiterni) me Sadri Fasllinë kishin qenë nga kryesorët e Legalitetit, nga më besnikët e Zogut: Saliu kishte qenë deputet i Kukësit, kurse Sadriu gjykatës i Shkallës së Parë, dhe njeri me influencë i Prefekturës së Kukësit. Në takimin me Sadri Fasllinë, në shtëpinë e tij, pasi Ademi i shtroi punën e partive se si kishin lindur grindjet, Sadriu e porositi që “ju paria të lidhi me Legalitetin duke mbajtur lidhje me Zenun Alinë dhe Ram Mujën, të shkoni pas tyre”. Në Tiranë, Sali Vuçiterni i drejtoi Adem Saliun dhe Ali Brahën te një dyqanxhi, i cili u prezantoi një person që i çoi tek Abaz Kupi, në Fushën e Krujës, afër Urës së Zezë.

Pasi u prezantuan, ata i thanë Bazit se na kanë dërguar Ram Muja, Jah Sali Bajraktari bashkë me parinë e Malësisë së Gjakovës për me marrë vesh nëse jeni nda me Partinë Nacionalçlirimtare, apo jeni bashkë. Abaz Kupi u tha se “jam ndamun dhe për këtë i kam çuar letra dhe trakte Ram Mujës, Zenun Alisë dhe Parisë që të punojnë për me bashkue popullin rreth Legalitetit”. Bazi theksoi se ishte ndarë nga Lëvizja Nacionalçlirimtare se nuk i pajtoheshin konditat me ta dhe për këtë do forconte Partinë e Legalitetit.

Po në fund të nëntorit 1943, përfaqësues të parisë së Malësisë së Gjakovës, si Avdyl Qerimi, Tahir Hoxha, Brah Alia etj., shkuan dhe u takuan në Prizren me Xhafer Deven dhe prej andej në Tiranë me përfaqësues të qeverisë. Përveç të tjerave, me interes është të theksohet se ata u porositën që mos të luftonin misionet angleze, të cilët vepronin në rajon që nga fundi i vitit 1943. Sipas autorëve të projekt-Historikut të Rrethit të Tropojës, në veprimtarinë e tyre misioni anglez që vepronte në Malësinë e Gjakovës bashkëpunuan dhe me nënprefektin Selahudin Çabejn.

Përqendrimi i formacioneve kundër pushtuesit në krahinën e Tropojës
Në nëntor 1943, anglezët dërguan nga Italia Gani Kryeziun dhe Llazar Fundon, të cilët e filluan veprimtarinë e tyre në krahinën e Tropojës, ku lëvizja nacionalçlirimtare kishte marrë përpjesëtime të gjëra. Gani Kryeziu në veprimtarinë e tij bashkëpunoi dhe me shtabin Nacionalçlirimtar të Kosmetit, sidomos në krahinën e Bytyçit. Ndërkohë, në thirrjen e dytë të Këshillit Nacionalçlirimtar të Krasniqes, lëshuar në dhjetor 1943, në mes të tjerash thuhet: “… Na nuk duhet as nuk guxojmë t’i harrojmë traditat e të parëve tonë të cilët kanë pasë gjithmonë për zakon me qenë të parët ndër lufta kur e lypte nderi i Atdheut. … Malësia ka qenë dhe duhet të jetë strehë për të tanë luftëtarët…”

Në vijim thirrja u drejtohej patriotëve të Malësisë kreshnike: “…Shtrini dorën e vorfën shoqi-shojt, harroni dhe qitni anash grindjet dhe inatet personale përpara kësaj detyre kaq të shenjt e të madhe të atdheut. Zâni i patriotëve si Bajram Curri, Mic Sokoli … si dhe gjaku i dëshmorëve që ranë në luftë kundra fashizmit u thërrasin për bashkim e luftë”.

Me rastin e zhvillimit të Konferencës së Bujanit, 31 dhjetor 1943 dhe 1-2 janar 1944, në Malësinë e Gjakovës u përqendruan forca të shumta partizane: Aradha partizane me dy batalionet “Bajram Curri” e “Perlat Rexhepi”, dy batalione territoriale, shtabi Nacionalçlirimtar i Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit, Qarkori i Partisë për Kosovën, Këshilli Nacionalçlirimtar për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, gjithë teknika e partisë së Kosovës e krahinave të tjera dhe mjaft partizanë kosovar, serbë e malazezë, duke përfshirë dhe pjesën më të madhe të udhëheqësve të tyre.

Me përjashtim të qendrës së Nënprefekturës Tropojë, ku kishte një numër të vogël xhandarësh, dhe të minierës së kromit në Kam-Tropojë, që ruheshin nga qendra, pushtuesin e favorizonin forcat e shumta gjermane e bashkëpunëtorët e tyre në zonat përreth si në Kosovë, Kukës, Shkodër etj.

Vrasja e nënprefektit Selaudin Çabej
Në këto zhvillime intensive, krahu komunist në Malësinë e Gjakovës evidentoi si pengesë për realizimin e synimeve të tyre nënprefektin e rrethit. Celula komuniste e Rrethit Tropojë i vuri për detyrë batalionit “Rinia”, që të dërgonte një njësit për të vrarë nënprefektin e Tropojës, Selahudin Çabejn. Jaho Salih Mulosmani, komandant i këtij batalioni, vendosi të shkonte vetë për ta kryer këtë aksion.

Në Yje të pashuar II (Tiranë, 1971) kemi këtë përshkrim të ngjarjes: Më 25 janar 1944, Jaha me tre shokë niset e hyn në Tropojë, qendra e Nënprefekturës. Nënprefekti ishte në kafene. Jaha shkoi e u fsheh nën strehë të shtëpisë dhe e priti aty. Pas pak, nënprefekti del nga kafja dhe futet në shtëpi.

Jaha hyn pas tij. Në korridor, pasi i foli që të kthehej përballë, me një breshëri automatiku e la nënprefektin të shtrirë pa frymë përdhe. Jaha me shokët u kthyen shëndoshë e mirë në mal. Aksioni pati jehonë në Malësi të Gjakovës. Në thirrjen që lëshoi shtabi i batalionit “Rinia”, më 28 janar 1944, në mes të tjerash thuhet: “ … Me datën 25 kallnuer 1944, batalioni i “Të Rinjve të Malësisë” muer pagëzimin e parë të zjarrit. Një njësi fare e vogël e këtij batalioni vrau në Tropojë nënprefektin Selaudin Çabej…

Intensifikimi i veprimit kundër pushtuesit gjerman
Në Malësi të Gjakovës, Lëvizja Nacionalçlirimtare po merrte përpjesëtime të mëdha. Përveç formacioneve partizane, atje vepronin dhe njësitet vullnetare popullore në fshatrat kryesore, që përkrahnin dhe strehonin partizanët. Gjendja për pushtuesin gjerman paraqitej e rëndë dhe po ndikonte në tërë Veriun e Shqipërisë dhe në Kosovë.

Kjo gjendje u pasqyrua dhe në komunikimet shkresore ndërmjet autoriteteve lokale me ato qendrore. Sipas njoftimeve të Nënprefekturës së Pukës për Qarkkomandën e Xhandarmërisë së Shkodrës, rezulton se në katundin Degë të Tropojës, vepronte një çetë komuniste prej 200–300 vetash, e përbërë prej elementëve të mbledhur nga çdo anë, të shoqëruar prej dy oficerëve anglezë e 3-4 italianë. Këta të fundit ishin vendosur në xhaminë e Degës e në dy shtëpi të fshatit dhe ruheshin prej disa komunistëve, kurse pjesa më e madhe e çetës banonte në stanet dimërore të malit të atij katundi, ku thuhej se përkraheshin nga të gjithë banorët e atij katundi e sidomos prej Adem Hoxhës.

Sipas informacioneve, me anën e aeroplanëve aleatët kishin sjellë mitraloza të rëndë Austrie dhe armë automatike të çdo lloji, si dhe rroba e ushqime sasia e të cilave nuk dihej. Në fillimin e janarit 1944, anglezët e lartpërmendur kaluan Drinin me lundrën e Vaut të Dardhës dhe blenë në dyqanin e Dardhës 300 metra litar, pa u shprehur për qëllimin. Por anglezët kishin deklaruar se “duhej durim dhe pak kohë, mbasi dhe gjermanin shpejt ka me e gjetë fati që gjeti Italinë”.

Anglezët kishin shumë të holla me veti dhe blinin sende ushqimore dhe çdo gjë që kishin nevojë. Në raportimin e datës 10 janar 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë informonte Ministrinë e Punëve të Brendshme se ishin marrë masat e rastit prej Komandës së Qarkut të Shkodrës, njëherit ishte komunikuar dhe me Komandën e Qarkut të Xhandarmërisë së Kukësit për masa të njëllojshme.

Pas hetimeve dhe informatave të mbledhura rreth çetës që ndodhej në zonën Degë – Gegëhysen të Krasniqes (Tropojë), më 20 janar 1944, prefekti i Kukësit Rrok Perolli informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se, “fuqia e çetës preçizohet të jetë 400 – 500 vetësh e organizueme dhe e pajisur komplet në mënyrë ushtarake”.

Çeta furnizohej rregullisht prej anës së aviacionit anglez, si me ushqim ashtu edhe me veshmbathje. Si organizatorë të kësaj çete ishin anglezët, një major, një kapiten dhe të tjerë me grada më të ulëta. Në mes të çetës ndodheshin dhe të tjerë të huaj, italianë dhe grekë. Disponoheshin të dhëna se anglezët po përkrahnin më tepër Partinë Zogiste, se sa elementin komunist.

Për të mundur të eliminonin këtë çetë, prefekti Perolli rekomandonte dy rrugë: 1) Paria e Malësisë së Gjakovës që kishte shkuar në Tiranë të shtrëngoheshin që bashkë me popullin e Tropojës t’i dëbonin nga vendi; 2) ose të dërgohej një fuqi e xhandarmërisë së shtetit, që të bënin operacion duke pastruar vendin nga çetat komuniste dhe ata që i përkrahnin dhe u jepnin bukë.

Fillimi i Lëvizjes Kryeziu në Malësinë e Gjakovës
Një impuls të ri pozitiv u dha veprimeve kundër pushtuesit gjerman vendosja e vëllezërve Kryeziu në Malësinë e Gjakovës, të cilët krijuan një lëvizje neutrale në raport me krahët politikë që vepronin deri atëherë. Gani, Sait dhe Hasan Kryeziu bashkuan në lëvizjen e tyre familjet më të shquara të Malësisë së Gjakovës dhe rajoneve përreth.

Me informacionin e datës 26 janar 1944, Prefekti i Kosovës Rrok Perolli, informoi Zyrën Politike, në Ministrinë e Brendshme se Gani Kryeziu, i kthyer në Gjakovë para dhjetë ditëve nga internimi, tash katër ditë, bashkë me Ismet Kryeziun dhe një fuqi 200-300 vetash kishin shkuar në Tropojë, nga Tropoja në katundin Degë e Geghysen, të cilat ishin qendra të partizanëve.

Kishin shkuar dhe në katundet Tru e Berishë, të rajonit të Pukës. Thuhej se ishin takuar më partizanët dhe anglezët. “Dyshimi sa po vjen e na forcohet se autoritetet e Tropojës janë bashkue me partizanët, mbasi na ju shkruajmë dhe ato heshtin në përgjigje”, theksonte prefekti Perolli.

Në qoftë se Kryezeztë nuk kishin një autorizim nga Ministria e Brendshme, vlerësonte prefekti Perolli, “çështja duhej të konsiderohej shumë serioze e që mund të rrjedhin konseguenca të mëdhaja”.

Edhe Prefektura e Prizrenit, bazuar në njoftimet e Qarkkomandës së Prizrenit, më 28 janar 1944, informoi Zyrën Politike në Ministrinë e Punëve të Brendshme se Gani e Sait Kryeziu, nga Gjakova, porsa u kthyen nga internimi u arratisën me drejtim për në Bytyç të Tropojës, duke marrë me veti dhe vëllain tjetër Hasan Kryeziun dhe ish-t’internuarin Llazar Fundo. Arratisja e tyre ishte bërë, “siç thuhet, jo për qëllime të këqija, por nga frika e ndonjë arrestimi eventual prej autoriteteve ushtarake gjermane”.

Kurse Qarkkomanda e Kukësit, bazuar në informatat e mbledhura prej Postëkomandave të Kalasë së Lekës dhe asaj të Qafës, njoftonte se më datën 23 janar 1944 Gani dhe Seit Beg Kryeziu, ardhë nga Gjakova, kishin shkuar në katundin Tpla e Berishë, të rajonit të Tropojës, ku kishin mbledhur popullsinë duke u thënë të mos merrnin pjesë në asnjë parti, por të mbeteshin neutralë, mbasi kështu e kërkonte interesi i vendit.

Në këtë mbledhje ishte ftuar të merrte pjesë dhe Ymer Bardhoshi, nga Puka e banues provizor në katundin Zahrisht të Krumës, por nuk kishte shkuar. Tre ditë më pas, më 26 janar, Ganiu dhe Seiti shkuan në katundin Degë, në shtëpinë e Mus Hoxhës, për t’u takuar me një oficer anglez që ndodhej aty. Qëllimi i takimit dhe i bashkëfjalimeve që ishin bërë nuk dihej prej autoriteteve të qarkut, sepse Rrethi i Tropojës akoma nuk kishte njoftuar çështjen.

Ndërkohë, Qarkkomanda e Kukësit njoftonte se çeta që ndodhej pranë anglezëve, për shkak të vjedhjes së disa materialeve, ishte larguar prej tyre dhe thuhej se kishin mbetur me ata vetëm 30 persona, nga të cilët ndodheshin dhe disa rusë. Veç kësaj, theksohej se në katundin Trun të Pukës ishte formuar një çetë komuniste nën udhëheqjen dhe kryesinë e disa oficerëve anglezë.

Populli i Trunit u kishte kundërshtuar duke i ftuar të largoheshin së andejmi sa më parë, meqë nuk e dëshironin atë parti. Kurse Rrethkomanda e Tropojës informoi autoritetet e Qarkut Kukës se më datën 2 shkurt 1944, Gani Beg Kryeziu, i shoqëruar prej Ram Mujo Hoxhës, nga Gashi, dhe Zenel Hoxhës, nga katundi Pac (Bytyç), duke pasur me veti 10 persona të tjerë të armatosur, shkuan në Qendrën e Tropojës, ku, mbasi qëndruan një orë, u nisën për në katundin Gash (Kovaç të Gashit) për t’i bërë një vizitë familjes së Ali Rrustemit (i cili ishte vrarë në mars 1943) dhe s’andejmi do të shkonin në Bytyç, ku kishte qendrën e zakonshme.

Mbi qëllimet e lëvizjes së Gani Begut Rrethkomanda e Tropojës nuk kishte konstatuar ende të vërtetën, por vazhdonin hetimet. Për zhvillimet e mësipërme, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Kolonel Hysni Dema informoi hollësisht Zyrën Politike në Ministrinë e Brendshme. Veprimtaria e misioneve angleze u shtri dhe në krahinën e Nikaj-Mërturit.

Sipas informacionit të Nënprefekturës së Dukagjinit drejtuar më 5 shkurt 1944 Ministrisë së Punëve të Brendshme nga zëvendësisht prefekti i Shkodrës Llesh Marashi, rezulton se më 20 janar 1944, në katundin Btoshë të Komunës Nikaj-Mërtur, “kishin ardhur një oficer anglez bashkë me shtatë persona të tjerë, të cilët kishin grishë popullin që të luftojnë kundër gjermanëve, duke u premtuar armë, municion dhe veshëmbathje”.

Prefekti Marashi informoi dhe Komandën e Qarkut të Xhandarmërisë së Shkodrës për marrjen e masave të rastit.

Shkatërrimi i instalimeve të minierave të Kamit
Një alarm në autoritetet ushtarake gjermane shkaktoi aksioni i datës 30 janar 1944, ora 16.40, në vendin Kodra e katundit Kam, të rajonit të komunës së Bytyçit, ku një njësit nën drejtimin e Sadri Zeq Zallit (nga Begajt e Gashit të Gurit) këputën linjën teleferike që transportonte metal nga Kami, minuan motorin e teleferikut që ndodhej brenda në një barakë të shoqërisë “AMI” dhe e dogjën barakën, duke shkaktuar një dëm afërsisht 7 000 franga shqiptare. Në raportimin zyrtar të ngjarjes, Qarkkomanda e Xhandarmërisë së Kukësit informonte Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë se “sado që u muarën masat nga ana e Komandës Ushtarake të vendit, në bashkëpunim me ushtrinë gjermane, nuk ka qenë e mundur deri sot [17 shkurt 1944] të zbulohen autorët”.

Hetimet vazhdonin, kurse më 21 mars 1944 Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë informonte Ministrinë e Punëve të Brendshme se këputja e linjës teleferike në minierën e kromit në Kam ishte bërë prej një oficeri anglez, bashkë me disa partizanë (komunistë).

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas