fbpx

Aktualitet

“Lufta” me ambasadën e SHBA, Meta: A ta publikojmë bisedën me Palmer?





               Publikuar në : 12:30 - 21/11/19 |
mapo.al

Mbrëmë Ilir Meta ka patur një bisedë telefonike me Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA, z.Matthew Palmer, i cili është i Dërguari Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Besohet se biseda pa patur në fokus ngërçin e krijuar për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.


Në mëngjes ambasada amerikane që drejtohet nga e Ngarkuara me Punë, Leyla Moses Ones, bëri një deklaratë publike ku sugjeronte që zgjidhjen për Gjykatën Kushtetuesen ta japë Komisioni i Venecias.



Zëdhënësi i Presidentit reagoi ashpër duke thënë se drejtuesja e ambasadës është shpallur garante e veprime të paligjshme të kreut të KED, Ardian Dvorani dhe kryeministrit Edi Rama.


“Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit. Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Law” si çdo vend demokratik. Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor dhe për në Xibrakë!”, shkruante Tedi Blushi në facebook.

Pasi media u interesua, mësoi se biseda e rëndësishme ishte zhvilluar pikërisht mes z. Palmer dhe z. Meta.

Në një reagim të dytë, Tedi Blushi e konfirmoi bisedën telefonike dhe i kërkon ambasadës që të japë dakordësinë për ta nxjerr këtë bisedë për publikun. “Presidenti Meta nuk ka asgjë për të fshehur”, thotë ai.

Reagimi i plotë i zëdhënësit të Presidentit: 

Të dashur kolegë gazetarë,

Interesimit tuaj për një lajm, që siç më vutë në dijeni, ja u ka konfirmuar z.Guri Lekloti dhe ju ka sugjeruar t’ja u konfirmoj edhe unë, ju sqaroj:

Po, është e vërtetë që mbrëmjen e djeshme ka patur një bisedë telefonike rreth 30 minuta mes Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta dhe Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA, z.Matthew Palmer, me kërkesë të këtij të fundit.

Qendrimet e Presidentit Meta të shprehura gjatë kësaj bisede telefonike kanë qenë mjaft të qarta, transparente dhe shteruese.

Megjithatë nëse z.Lekloti, bie dakord me ambasadën e SHBA në Tiranë, dhe na autorizon ta publikojmë të plotë transkriptin e kësaj bisede telefonike, ne jemi gati ta vëmë atë të plotë në dispozicion të opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar.

Presidenti Meta nuk ka asgjë për të fshehur!

Konfirmojmë se marrëdhëniet tona strategjike me SHBA janë të forta, të qëndrueshme dhe transparente, si asnjëherë! /Mapo.al

Lexo edhe:

Ngërçi me Gjykatën Kushtetuese, Ambasada Amerikane ofron zgjidhjen


Etiketa: ,

Pas