Nga Ervis Iljazaj
Dy përfaqësitë diplomatike më të rëndësishme për Shqipërinë dhe marrëdhëniet e saj me aleatët, janë padyshim ai i Bashkimit Europian dhe ai amerikan. Në mungesë të këtij të fundit, i cili merr shumicën e vëmendjes së opinionit publik, ambasadori i ri Bashkimit Europian, Luixhi Soreka, mbetet zëri më i rëndësishëm i misioneve diplomatike në Shqipëri.
Ndoshta është herët për të dhënë një gjykim për profilin e tij, por, me aq sa ka treguar deri më tani, mund të thuhet se, Luixhi Soreka është tërësisht një profil teknik dhe jo politik.
Deri më tani, nuk ka asnjë deklaratë e cila mund të lexohet politikisht nga ana e tij. Edhe në ato pak deklarata publike të tij, ambasadori i ri i Bashkimit Europian, ka qenë pothuajse perfekt për të dhënë idenë se, ai ndodhet në Shqipëri vetëm për të çuar përpara agjendën e procesit të integrimit të Shqipërisë, dhe për të ndihmuar vendin tonë për realizimin e kritereve për hapjen plotësisht të negociatave vitin e ardhshëm, gjë e cila mbetet prioriteti kryesor i qeverisë shqiptare. Madje, në varësi të këtij procesi, varet një pjesë e madhe e fatit politik të kësaj qeverie.
Si të thuash, me emërimin e Luixhi Sorekës në Shqipëri, Bashkimi Europian, ka dashur të ketë një përfaqësues të një profili më teknik dhe larg problematikave të ditës së politikës shqiptare.
Prandaj, më së paku me atë që ka treguar deri më tani, ndryshe nga paraardhësit e tij, Soreka duket një diplomat fjalëpakë dhe i fokusuar totalisht te misioni i cili i është ngarkuar.
Vetë momenti politik që po kalon Shqipëria, duke parë procesin e negociatave që ka përpara, kërkonte një profil të tillë dhe, Bashkimi Europian, me sa duket, kësaj here ka qëlluar në shenjë.
Ndoshta jo rastësisht, Bashkimi Europian ka deleguar në Tiranë zotin Soreka, i cili është një njohës i mire i çështjeve të sigurisë dhe krimit të organizuar.
Luigi Soreca ka patur një pozicion për çështjet e sigurisë në Komisionin Europian. Në këtë kuptim, lufta ndaj krimit të organizuar, është një çështje që e njeh mjaft mirë dhe me shumë gjasa do të jetë prioritet i tij gjatë misionit në Tiranë. Jo vetëm kaq, por edhe gjatë kohës së tij profesionale në Itali, ka punuar si person i angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar, dhe e njeh mjaft mirë këtë çështje.
Vendimi për negociatat që Shqipëria pret të marrë në vitin 2019, nuk ka kriter tjetër, përtej indeksit të krimit që do të kemi deri në atë moment.
Kështu që, lufta ndaj krimit të organizuar, është padyshim prova më e madhe e qeverisë Rama. Jo vetëm për hapjen e negociatave, por do të shërbejë edhe si një test për vazhdimin ose jo të kësaj qeverie.
Bashkimi Europian, në të gjitha raportet e tij, thekson fort domosdoshmërinë e luftës ndaj krimit të organizuar. Në këtë moment, ndoshta ky kriter, është i vetmi nga i cili varet ecuria e çështjes së negociatave vitin që vjen.
Kështu që, pa rezultat në luftën kundër krimit, nuk do të ketë perspektivë europiane për Shqipërinë.
Në këtë kuptim, kush më mirë se sa një person i specializuar në këtë fushë, do të ndiqte nga afër këtë proces, dhe do të raportonte për suksesin apo për dështimin e saj në Bashkimin Europian.
Ajo që ka treguar deri më tani ambasadori i ri është shpresëdhënës që, më në fund, kemi të bëjmë me një profesionist të mirëfilltë, dhe jo me një të kulisave politikë. Shpresojmë të jetë kështu edhe në vazhdim, pasi dihet se, realiteti shqiptar, shpeshherë infekton dhe profesionistët më të mirë.