fbpx

Personazh

Luiza Gega: Gjithnjë kam dashur të jem e pavarur





               Publikuar në : 09:15 - 08/03/19 |
mapo.al

Bisedoi: Alessia Selimi


“Pavarësia ime, e cila është forcë për mua, nënkupton vetminë, që e konsideroj timen pikë të dobët”. Kjo frazë e shkrimtarit italian Pier Paolo Musolini e përshkruan më së miri Luiza Gegën.



Atletja e suksesshme shqiptare, e cila mban rekord në vrapimin 800, 1500 dhe 3000 metra, shfaqet shumë larg stereotipeve të ngritura rreth personazheve që kanë mbi supe një emër të njohur. Nënkampionia e Europës ka lindur në Dibër dhe kur ishte 3 vjeç, familja e saj u zhvendos në Durrës. Është fëmija i dytë i një familjeje me pesë fëmijë dhe e vetmja që i është përkushtuar sportit.


Me një çiltërsi të pashoq, Luiza vjen në një intervistë për “Mapo” në një “ecje” të ngadaltë që herë-herë përmban edhe hapa të hedhur drejt të së kaluarës.

Me një pasion për përballje dinamike me ftohtësinë e ajrit, sytë e Luizës, sikurse shkëlqejnë, njohin herë pas here edhe lot. Të nxehtë e të revoltuar me mënyrën sesi trajtohen sportistët e nivelit të saj në vend, e megjithatë, lehtësisht të avullueshëm përballë fitoreve, të cilat shijohen shumë më tepër kur vijnë si produkt i një personi që ia ka dalë mbanë, përkundrejt pagesës modeste, kushteve të vështira stërvitore dhe sakrificave, që jo pak herë e kanë molepsur në pikëpyetje të mëdha.

Si do e përshkruante nënkampionia e Europës, Luizën e vogël?

Unë zihesha me të gjithë çunat e lagjes. Zihesha me këdo që mund të më cenonte te gjërat që unë doja. Konfliktohesha tmerrësisht shumë me mësuesit. Madje një prej tyre në shkollë fillore i ankohej mamit tim se në 25 vite profesion kurrë nuk kishte hasur një si unë. Sot kam ndryshuar, jam një tjetër Luizë. Më e mbarë dhe më e qetë.

Si është zbuluar talenti i Luizës?

Në shkollën 8-vjeçare organizoheshin shpeshherë gara vrapimesh dhe unë dilja gjithmonë e para. Një i afërmi im, që në atë kohë ishte trajner te shkolla e mesme “Mjeshtëria Sportive Durrës”, një ditë më pyeti nëse kisha dëshirë të stërvitesha. Pa e menduar gjatë i thashë “po”. Edhe prindërit e mi ishin dakord, sepse e kishin vënë re prirjen time. Kësisoj, mund të them se kam filluar të stërvitem për herë të parë në moshën 14-vjeçare dhe që prej asaj kohe nuk jam ndalur.

Duke mos anashkaluar arritjet tuaja të rëndësishme në atletikë, ju u penalizuat së fundmi në Kampionatin Europian të Sallave të Mbyllura në Glasgou për shkak të ndryshimit të rregullores. Si e përjetuat të gjithë situatën e krijuar?

Asnjëherë s’i kam pëlqyer garat e dimrit sepse kërkojnë një lloj luksi që ne nuk do ta kemi shansin ta kemi ndonjëherë dhe as e kemi marrë mundimin për ta kërkuar. Kërkojnë stërvitje dhe terren specifik. Unë nuk e kisha faktikisht me qejf, por po e shihja si një garë testuese. Nuk synoja për ndonjë medalje, por të qenit pjesë e pesëshes së parë, e kisha të sigurt. Gjithsesi, gjërat shkruan në një mënyrë aq të mbrapshtë saqë nuk i jap dot shpjegim.

A ka patur ndonjëherë Luiza Gega momente kur i ka thënë vetes që duhet të ndalet dhe të heqë dorë nga sporti i atletikës?

Sinqerisht, shpeshherë, kam dashur të heq dorë. Sepse kam arritur në një moshë që njeriu duhet të mendojë edhe për të ardhmen. Por në mua pasioni për sportin është shumë i fuqishëm. Më është shndërruar në drogë. Më trondit fakti kur e mendoj se ajo ditë do të vijë në mënyrë të pashmangshme, do jetë tepër e dhimbshme për mua. E megjithatë, unë them se nuk do të largohem plotësisht nga sporti pasi nuk rri dot pa të.

Në qoftë se Luiza do gjendej përpara një kapsule kohe, e cila do t’i mundësonte të kthehej pas në të kaluarën, çfarë do të bënte ndryshe?

E kap shumë herë veten duke dëshiruar rikthimin në kohë; të isha edhe njëherë 20 vjeçe, për t’iu fokusuar akoma edhe më shumë sportit. Unë kam pesë vite që jam sportiste e nivelit të lartë, por që për fat të keq e kam nisur vonë stërvitjen, 19 vjeçe. Ndërkohë që, sportistët e këtij lloji e nisin rrugëtimin e tyre në një moshë fare të vogël. Megjithatë, asokohe nuk ka patur trajnerë që ishin të përgatitur në këtë drejtim…Them se nëse do i isha futur sportit të atletikës në një moshë më të herët, do kisha bërë shumë gjëra më ndryshe.

Jeni shprehur se këtij vendi i keni dhënë më shumë nga çfarë ju ka ofruar. Vijoni ta mendoni këtë gjë?

Patjetër që vijoj të kem të njëjtin mendim. Çfarë ka dhënë në të vërtetë vendi im për mua? Shumë njerëz më thonë: “Edhe ti Luiza, sesi dukesh kur thua që ke 11 vite që rri me qira”. Po ky është realiteti. Pavarësisht se unë kam ofruar çdo gjë nga vetja, shtetit nuk i intereson. Unë vijoj të shprehem publikisht dhe nuk ka ndryshuar asgjë; shteti thjesht nuk dëshiron ta mbështesë sportin. Unë bëj gjithë kohës llogari rreth faktit nëse mundem dot të shkoj në grumbullim dhe nëse mund t’i siguroj vetes një ushqim cilësor. Ndërkohë që, sportistit elitar i duhet thjesht të përkushtohet në stërvitje dhe të japë maksimalisht gjithçka nga vetja; pra të mos shpërqendrohet për probleme të këtij lloji.

A ndiheni në ndonjë moment se ky sport mund t’ju ketë marrë kohë të pashlyeshme nga jeta juaj private?

Shpeshherë. Më ka shkëputur tërësisht nga jeta sociale. Regjimi strikt më ka larguar shumë prej miqve. Në të shumtën e rasteve, unë nuk ndodhem pranë tyre. Më vjen shumë keq për këtë pjesë, por nga ana tjetër, arritjet e korrura në profesion më ngushëllojnë dhe më bëjnë t’i them vetes që çdo sakrificë ia ka vlejtur barra qiranë.

Luiza, sikurse edhe ju e thatë, një ditë do t’ju duhet të tërhiqeni nga atletika. A keni menduar se çfarë do të bëni në të ardhmen tuaj?

Në momentet që po flasim, duhet ta pranoj se jam shumë e lëkundur. Kam menduar në fakt të zhvendosem edhe te motra ime në Amerikë. Atje vlerësohet aq shumë sporti dhe kjo gjë mua më pëlqen, më ngroh zemrën.

Ju si një femër e arrirë në fushën tuaj, çfarë do iu këshillonit vajzave të reja që janë ende në hapat e parë të jetës?

Unë gjithnjë kam dashur të jem e pavarur. T’i dal për zot vetes dhe të mos ia shtrij dorën askujt. Edhe nëse një ditë do të krijoja familje, nuk do të më pëlqente t’ia zgjasja dorën bashkëshortit tim. Jetës nuk i dihet kurrë… Një femër e pavarur është forcë për shoqërinë dhe kjo e jona ka me të vërtetë nevojë për femra më shumë të këtij soji. Unë këtë natyrë e kam të trashëguar nga mamaja ime, e cila ka punuar shumë, tmerrësisht shumë për familjen tonë.

Po atyre vajzave që synojnë të përfshihen në botën e sportit?

Ndonëse unë mund të ankohem nga mëngjesi deri në darkë për kushtet dhe mënyrën sesi trajnohen sportistët në vend, më lejoni t’ju them se tre vajzat e tezes sime janë zhvendosur në Tiranë pikërisht për t’iu përkushtuar atletikës. I kam tërhequr unë nga pas, sepse janë me të vërtetë të talentuara. Pra, dua të them se pavarësisht gjithçkaje, sporti është me të vërtetë kulturë dhe nuk ka asgjë më të bukur se sa ta kultivosh atë me pasion, disiplinë dhe dashuri.


Etiketa: , , , ,

Pas