Në Japoni, çdo pranverë, njerëzit mblidhen dhe admirojnë çeljen e luleve të qershive. Kjo është një ngjarje, traditë në këtë vend, për më shumë se njëmijë vjet. Por, sipas një studimi të ri, këtë vit lulet me famë botërore të quajtura, sakura po lulëzojnë shumë më herët se normalisht, për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu.
Studiuesit nga Met Office në Mbretërinë e Bashkuar dhe Universiteti Metropolitan Osaka në Japoni thonë se, ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale kanë bërë që lulet e qershive të çelin 11 ditë më parë nga sa parashikohej.
Lulëzimi i hershëm i tyre ka ndodhur për shkak të rritjes së temperaturave me disa gradë mbi normalen. Një nga e arsyet e ngrohjes globale është rritja e urbanizimit.
Qytetet priren të jenë më të ngrohta se zonat rurale, sepse ndërtesat dhe rrugët thithin nxehtësinë e diellit më shumë se peizazhet natyrore, një fenomen i njohur si “efekti i ishullit të nxehtësisë”.
Por shkencëtarët thonë se, një arsye akoma më e madhe janë ndryshimet klimatike, ku si pasojë e djegies së lëndëve fosile është shkaktuar rritje e madhe e temperaturave në të gjithë rajonin dhe botën.
“Kërkimi ynë tregon, jo vetëm që ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu dhe ngrohja globale kanë ndikuar në ndryshimin e datave të çeljes së luleve të qershive në Kioto, por edhe se, ngjarje të tilla parashikohen të ndodhin sërish deri në vitin 2100, kur kjo situatë të mos konsiderohet më ekstreme”, tha shkencëtari Dr. Nikos Christidis.
Pse është kaq e rëndësishme çelja e luleve të qershive?
Çelja më e hershme e luleve të qershive sjell pasoja për ekonominë lokale në Japoni, pasi është një kontribuues i rëndësishëm.
“Çelja e luleve të qershive në pranverë është një ngjarje e rëndësishme kulturore në Japoni”, tha Yasuyuki Aono, nga Universiteti Metropolitan Osaka.
Ajo zgjat vetëm disa ditë, ndërsa vendasit, por edhe turistët mund të bëjnë piknik nën pemët e qershive. Në këtë mënyrë bizneset ofrojnë ushqime dhe produkte të veçanta tradicionale, në periudhën kulmore të çeljes e cila zgjat vetëm disa ditë.
Nga ana tjetër, shqetësuese nuk është vetëm çështja e turistëve, por edhe fakti se, çelja e hershme e luleve të qershisë mund të ketë një ndikim në ekosisteme dhe mund të kërcënojë mbijetesën e shumë specieve.
Rritja e temperaturave ka efekte në bujqësi, gjithashtu ndikon te bimët, insektet dhe kafshët, të cilat mbështeten shumë tek njëra-tjetra për zhvillimin dhe ciklet e tyre jetësore. Një ndryshim në këtë cikël mund të nxisë një reaksion zinxhir, duke shkaktuar dëme në ekosisteme.
Për shembull, bimët e ndjejnë temperaturën rreth tyre dhe nëse është mjaft ngrohtë për një periudhë kohe, ato fillojnë të lulëzojnë dhe gjethet e tyre fillojnë të dalin më herët. Në mënyrë të ngjashme, nxehtësia e lartë mund të shkaktojë rritje më të shpejtë te insektet dhe kafshët. Bimë dhe insekte të ndryshme mund t’i përgjigjen rritjes së nxehtësisë me ritme të ndryshme, duke i nxjerrë jashtë sinkronizimit ciklet e tyre të jetës.
Ndërsa dikur ata rriteshin njëkohësisht çdo pranverë, tani lulet mund të rriten përpara se insektet të jenë gati, dhe anasjelltas, që do të thotë se mund të mos ketë ushqim të mjaftueshëm për insektet ose bimët.
Mirëpo, ky fenomen nuk ndodh vetëm në Japoni, por në disa kultura të ndryshme, ku rriten bimë me vlerë të rëndësishme ekonomike.
Sipas një studimi të fundit, edhe në Britaninë e Madhe pranvera ka ardhur një muaj më herët, e si pasojë edhe bimët në ishujt britanikë kanë çelur më herët. /Përshtatur nga CNN për Liberale.al/ V.Shkulaku