Prej javësh, sherri dhe shemria politike ka shkuar në skaj. Askush nuk kujdeset më për gjuhën, për të ruajtur masën. Palët kanë nxjerrë bajonetat, kamat, e ç’t’u vijë mbarë, kanë futur në lojë të gjithë instrumentet jo politike, deri te shantazhet me foto dhe kërcënimet për fakte që i dinë, por po i ruajnë për një moment tjetër.
Gjithnjë në sfond janë lidhjet e politikës me krimin, një argument i mirë për ta goditur sa më shumë kundërshtarin, mundësisht për ta asgjesuar atë.
Beteja më e fortë për momentin në këto anë, është mes Ramës dhe Metës. Dhe hedhin shigjeta palët, më të helmëtat e mundshme. Duket sikur çdo gjë ecën në teh, dhe nuk ka ngelur më asnjë mundësi për t’u marrë vesh, për dialog, apo marrëveshje.
Fjalori i përdorur, nuk kursen askënd dhe asgjë.
Në këtë stuhi që ka përfshirë politikën shqiptare, duket se vjen lart e poshtë, pa bërë shumë bujë, një njeri normal. Është lideri i opozitës Lulzim Basha.
Ai po shfaqet me një format të pangjashëm me çka po ndodh me aktorët kryesorë të skenës publike në vend. I vëmendshëm, i qeshur, dëgjon njerëzit, i takon qytetarët aty ku ata janë dhe jetojnë vështirësitë e ditës.
Dhe mbi të gjitha është propozues. Ka dalë me disa ide, pika dhe projekte, që kanë të bëjnë me të rinjtë, me studentët, me biznesin e vogël, me të moshuarit, me njerëzit në nevojë.
Më e fundit, ajo për sistemin politik në vend, ku ka propozuar parlament me dy dhoma dhe një institucion të pavarur që do të verifikojë në mënyrë shteruese kandidatët për kryetarë bashkie dhe për deputetë.
Ka plot zhvillime në shoqërinë tonë, që nuk dihen me saktësi se si janë, nga burojnë, e si do të vijojnë. Fuga e madhe e ngjarjeve e deklaratave nuk ndalet. Ka mjaft dilema. Por një gjë dihet me siguri. Politika u ka ardhur njerëzve në majë të hundës, u është tëhuajtur, e sa vjen e prodhon më shumë antipati.
Për një lider që kërkon të ndryshojë këtë gjendje, të mobilizojë njerëzit, t’i frenojë ata që t’ia kthejnë një herë e mirë kurrizin partive, të krijojë besim, apo të frymëzojë, nuk është asnjëherë e lehtë. E siziftë sidomos në këto kushte. Por e qartë është se kush e pretendon, duhet të bëjë të kundërtën e asaj që po shohin njerëzit çdo ditë.
Basha këtë po e bën.
Është gjithnjë e diskutueshme sa efektive do të jetë kjo mënyrë. Është një bast jo i vogël, kur mendon se një shoqëri e lodhur nga zhvillimet e mërzitshme dhe pa fryte e rezultate, të presësh të reagojë nga një njeri normal. Devijancat janë në modë dhe liderët karizmatikë që kanë bujtur për 30 vite në skenën tonë, kanë lënë jo pak gjurmë.
Populistët po bëjnë kërdinë gjithandej nëpër botë. Basha nuk ka asgjë të përbashkët me një populist.
Por sado vonë, në atmosferën politikë, krim, pushtet, para, oligarkë, dikush që nuk ka lidhje me bandat që nuk ka drekuar, darkuar, kremtuar, nuk ka vizituar hotelet e tyre, që nuk thotë me arrogancë do ta bëja prapë, i ka të gjitha shanset, dhe ndoshta është i dënuar të vlerësohet.
Në kohën kur relativizohetgjithçka, me gjasë mund të diskutohet edhe nëse a është kjo një vlerë apo jo. Por mendjet e shëndosha dhe ata që i duan të mirën vendit më shumë se shefave të tyre, këtu nuk ka pse të mos bien në konsensus. Lulzim Basha, e ka këtë. Është i pastër nga krimi. I paprekur nga ky virus.
Kryetari i Opozitës dukshëm ka ndryshuar kurs, në krahasim me një vit më parë. Në kësi moti, në mars të 2019, ai ishte duke udhëhequr disa prej protestave më të forta të ndodhura në vend në këto 29 vite. Me përfitime shumë të diskutueshme, me jo pak kosto.
Prej 30 qershorit e këndej, ngjan se Basha ka rikuperuar shumë prej problemeve që kishte shkaktuar me ndërkombëtarët. Ai u angazhua për zgjidhje politike të krizës, dhe i ka qëndruar deri në fund agjendës së koordinuar me Bundestagun gjerman dhe me partnerët e tjerë të rëndësishëm të vendit. Ulja në tryezën e reformës zgjedhore, solli shëlbimin e parë. Zyrtarët e lartë amerikanë e kanë tashmë një partner normal dhe të përditshëm. Kjo nuk është pak, po të kemi parasysh qëndrimet e tyre të ashpra dhe kërcënimet in extremis ndaj PD përpara votimeve të 30 qershorit.
Basha e tregoi se është një faktor tek i cili mund të besosh, pasi po e çon deri në fund vullnetin për zgjidhje politike të krizës. Që do të thotë, zgjedhje të reja, të lira e të ndershme, pas përfundimit të reformës.
Disa hapa të domosdoshëm që shtrihen aktualisht përpara kreut të opozitës, që duhet t’i ndërmarrë pa humbur shumë kohë për ta konsoliduar më shumë profilin e tij, janë të natyrës strategjike dhe të politikës së brendshme në PD. Nuk ka pse humb më asnjë ditë kohë për të bashkuar gjithë faktorët, të larguarit, të mërziturit, qejfprishurit, të lënduarit, këdo që ka qenë në PD dhe që realisht kërkon e gjakon për largimin e Edi Ramës.
Kjo do t’i jepte fund menjëherë çdo lloj debati dhe diversioni më saktë, sikur paska një luftë se kush drejton opozitën. Po ashtu, do të rriste peshën dhe forcën e presionit përballë Ramës, i cili në fund do të duhet të pranojë zgjidhjen politike të krizës.
Hapi tjetër ngelet programi dhe ekipi qeverisës.
Mapo.al