Një seri incidentesh u shënuan sot nga Kukësi në Gjirokastër, ku bashkitë e drejtuara nga opozita, bashkë me mbështetësit e tyre u përplasën me Policinë e Shtetit në tentativë për të liruar ambientet që përdoren si KZAZ.
Deri më tani raportohet për dy të plagosur, të cilët janë duke marrë mjekim në spitalin e Traumës.
Mësohet se Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka shkuar në spital për të vizituar të plagosurit. Ata janë Alfred Lika nga Burreli dhe Rasim Hoxha nga Kamza. Alfred Lika ka një plagë në kokë nga goditjet e policisë, ndërsa Rasim Hoxha, punonjës i policisë bashkiake është sulmuar me gaz lotsjellës teksa ishte në krye të detyrës.
Gjithçka po ndodh sot, vjen pas kërkesës së kryetarëve të bashkive për të liruar ambientet, si shkolla, pallat sporti, pallat kulture, etj. që përdoren si Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ).
Bazuar në dekretin e Presidentit për të shtyrë zgjedhjet lokale, kryebashkiakët kanë bërë të ditur se më 30 qershor nuk ka zgjedhje. Nga ana tjeter KZAZ-të nuk janë njoftuar nga KQZ-ja për të liruar ambientet.
Sakaq, ambientet janë marrë në ruatje nga Policia e Shtetit. Dhe pikërisht këtu ka lindur konflikti në fillim mes Policinë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit ku më pas janë përfshirë dhe militantët e PD dhe LSI. Në disa qytete, si Burrel, Klos, etj. ata kanë arritur të nxjerrin materialet zgjedhore dhe ti djegin.