Ekonomi

“Lumë” ankesash për unazën – Mbikëqyrja e punimeve, operatorët në garë kundër ARRSH-së






               Publikuar në : 12:32 - 17/01/19 |
mapo.al

Pas skandalit të falsifikimit të dokumenteve nga kompania ‘DH Albania’, e cila arriti të shpallej fituese e 18 milion eurove për ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe, probleme janë shfaqur edhe nga operatorët ekonomikë që kanë garuar për tenderët e mbikëqyrjes së punimeve në këtë vepër infrastrukturore.


Këtë herë janë kompanitë që janë bërë pjesë e procedurave të prokurimit publik në lotin 1 dhe 2 të unazës, të cilët nuk kanë qenë dakord me garat e zhvilluara, duke ju drejtuar Komisionit të Prokurimit Publik për të ankimuar vendimet e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Ankesa e parë është regjistruar për lotin 1 nga kompania Illyrian Consulting Engineers. Fondi limit i vënë në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për këtë shërbim arrinte në rreth 15.4 milion lekë.

Ndërkohë që ajo që bie në sy në këtë procedurë është fakti se fillimisht Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur të pranojë ankesën e operatorit, por një ditë më pas ka bërë një korrigjim të vendimit të mëparshëm, duke vendosur mospranimin e tij.

Ndërkaq, 2 ankesat të tjera janë regjistruar edhe për lotin 2 të segmentit pallati me shigjeta-sheshi Shqiponja.

Ankesa e parë është depozituar nga kompania A&E Engineering shpk në datën 27 dhjetor 2018, ndërsa në datën 31.12.2018 edhe kompania IKN ka vendosur t’i drejtohet KPP-së për të njëjtin tender të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Këto 2 ankesa janë në shqyrtim dhe ende nuk është marrë një vendim. Ndërtimi i unazës së madhe është i ndarë në 3 lote, ndërsa kosto totale e tyre arrin në rreth 40 milion euro./SCAN


Etiketa: , ,

Pas