fbpx

Kronika

Lumenj kokaine: Shqipëria në top listë, droga vërshon nga katër anët





               Publikuar në : 11:27 - 02/10/19 |
mapo.al

Kapen në Brazil 617 kg kokainë, me vlerë 9 milion dollarë, me logon e “FK Elbasani”. Në Holandë policia sekuestron në banesa të shqiptarëve 13 milion euro. Policia greke shkatërron rrjetin e trafikut të drogës Shqipëri-Turqi dhe kap rreth 1.2 ton marijuanë. Në Durrës dështon aksioni për kapjen e porositësve të 137 kilogramëve kokainë. Alarm gjerman për drogën në dokumentin e hapjes së negociatave. Partnerët e huaj nuk i besojnë më policisë shqiptare. 


Shqipëria ka qenë gjatë gjithë këtyre ditëve në top-listën e lajmeve të drogës. Operacioni në Greqi, i 3-4 ditëve të fundit kundër trafikantëve të heroinës, është paraprirë nga një tjetër rast, të kapjes së një porosie me kokainë në Portin e Pireut. Ndërkohë më 2 shtator në Brazil dyshohet të jetë kapur sasia më e madhe e drogës e porositur nga Shqipëria, lajmi për të cilën u publikua dje.



Porosi shqiptare?


Një sasi prej 617 kg kokainë e pastër është sekuestruar nga policia braziliane. Mediat vendase shkruajnë se pakot e drogës, të futura në një kabinë të dyfishtë të një kamioni, mbanin logon e klubit sportiv të Elbasanit, çka shton dyshimet se lënda narkotike do të sillej në Shqipëri. Nëse do të shitej në treg, do të kapte shifrën e plot 9 milionë dollarëve. Lënda narkotike është zbuluar në një kamion, që udhëtonte në rrugë rurale, ndërsa janë arrestuar katër persona në lidhje me rastin. Përveç drogës, janë sekuestruar kamioni dhe dy automjete tip Fiat, të cilët shërbenin për kontrollin e rrugës, teksa shoqëronin kamionin. Shoferi ka treguar se do të merrte 10 mijë dollarë për transportin e drogës. Autoritetet braziliane vijojnë hetimet për të zbuluar rrjetin dhe kush ishin porositësit e kokainës. Operacioni ku u sekuestrua kokaina është realizuar në datë 2 shtator.

Eksport e shkëmbim edhe në Turqi

Policia greke dha dje të dhëna për operacionin e sekuestrimit të mbi 1 ton droge dhe arrestimit të skafistëve shqiptarë që e transportonin me dy gomone. “Në datën 25 shtator jemi njoftuar për dy gomone që po tentonin të transportonin drogë në brigjet e Turqisë. U organizua operacioni nga policia dhe roja bregdetare me 10 skafe, 1 helikopter dhe 1 avion si dhe 2 avionë të FRONTEX në verilindje të detit Egje. Operacioni rezultoi në kapjen e një gomoneje dhe arrestimin e 3 personave që ndodheshin në të. Në datën 29 shtator, u zbulua një gomone tjetër me një shtetas në të, në zonën detare të Agistrio. U arrestua skafisti 35-vjeç”. Sipas policisë, grupi kriminal zgjidhte gomone me kapacitet të madh, motorrë të shpejtë e skafistë të zotë, që lundronin në ditë me vranësira dhe erëra të forta dhe det mbi 5-6 ballë. Më tej, policia bën me dije se në datën 30 shtator, në ishullin Piperi u gjetën dhe u sekuestruan 106 pako me 1 ton e 172 kg marijuanë.

Holandë, kapen 13 milionë euro në banesat e shqiptarëve

Policia holandeze ka organizuar një operacion anti-drogë në shkallë të gjerë në Amsterdam. Sipas gazetës NRC, policia ka kapur 12.8 milionë euro në cash gjatë këtij operacioni. Paratë u gjetën pas kontrollit në pesë prona. Kjo është sasia më e madhe e parave e kapur ndonjëherë. Gjatë operacionit janë arrestuar dy meshkuj nga Shqipëria, një burrë dhe dy gra nga Kolumbia, një burrë nga Zelanda e Re dhe një person nga Maroku. Sipas portalit AD, paratë janë gjetur në banesat e dy shqiptarëve në Salomonsstraat dhe Valkensburgerstraat në Amsterdam. Për më tepër, aty u gjet edhe një regjistër ku mbaheshin llogaritë për milionat. Paratë ishin të mbështjella me plastikë dhe ishin të fshehura në valixhe. Gjithçka nisi tre javë më parë, pas një informacioni se kolumbianët mund të ishin përfshirë në importimin dhe shitjen e kokainës në Holandë. Mendohet se një grua 52-vjeçare nga Kolumbia ishte përgjegjëse për trafikun. Ajo njihej si Mama Colo ose La Madre. Por asaj nuk iu gjet as para dhe as drogë. Një zyrtar i policisë tha se gjithçka është zhvilluar në mënyrë sekret nga frika e dekonspirimit. “Bandat e drogës fitojnë shuma të jashtëzakonshme nga trafiku i drogës. Të dyshuarit jetonin krejtësisht jashtë radarit,” tha ai. Sipas tij, ata jetonin në banesa shumë të shtrenjta. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë arrestime të tjera.

Alarmi nga Bundestagu

Shqipëria është një qendër e trafikut të drogës për tregun europian. Kështu thuhej në dokumentin e miratuar në Bundestagun gjerman, që kushtëzon nisjen e negociatave. “Sasia e kanabisit të konfiskuar në Itali – një tregues i sasisë së kultivuar – ra me 81% brenda një viti (6,59 ton në vitin 2018 krahasuar me 34,72 ton në vitin 2017). Ekziston edhe një bashkëpunim i ngushtë me autoritetet gjermane. Shqipëria mbetet sidoqoftë, qender e trafikut të drogës për tregun evropian. Trafiku i drogës është rritur ndjeshëm”, thekson Bundestagu gjerman. Pikërisht në ditën kur ‘droga shqiptare’ ka vërshuar që nga Ekuadori, Brazili, Holanda e Greqia, Gjermania nuk mund të ‘mbetet’ pas. Policia kufitare bavareze lajmëroi të martën se ka arrestuar një shqiptar 28-vjeçar. Ai po trafikonte 12.5 kilogramë kokainë drejt Austrisë. Makina e tij kishte targa gjermane. Pas kontrollit të policisë, brenda mjetit u gjet edhe sasia e drogës. Autoritetet nuk kanë dhënë shumë detaje për ngjarjen, pasi po hetojnë për itinerarin e sasisë së drogës. Një gjykatë vendosi ta lërë në paraburgim 28-vjeçarin nga Shqipëria.

‘Notojmë’ në kokainë

Sekuestrimi i 137 kilogramëve kokaine në Pire dhe Portin e Durrësit ishte vetëm ngarkesa e fundit e një prej linjave më të fuqishme të drogave të forta që e ka pikënisjen në Amerikën Latine, raporton A2 CNN. Që nga viti 2013, trafikantët e kokainës nga Ekuadori e përdorin vendin tonë si trampolinë për tregun europian. “Alba Exotic Group”, kompania që tentoi të transportonte 137 kilogramë kokaine kishte kryer plot 151 udhëtime me të njëjtin itinerar. Ky ishte rasti i vetëm që u diktua për këtë kompani. Për t’u veçuar është qyteti nga i cili janë nisur shumë nga ngarkesat, Gujakail një qytet portual i Ekuadorit. Rasti i parë daton në nëntor të vitit 2013 kur, në një kontejner u zbuluan 125 kilogramë kokainë. Destinacioni sipas autoriteteve ekuadoriane ishte Shqipëria. Një vit më pas, në maj, në të njëjtin qytet gjatë operacionit të koduar “Arkano”, policia ekuadoriane sekuestroi 89 kilogramë kokainë. Sërish destinacioni ishte porti i Durrësit. Ky u pasua nga një tjetër operacion për kapjen e drogës. Sërish 93 kilogramët e kokainës do të dërgoheshin në Shqipëri. Operacion tjetër që dëshmon për një linjë të konsoliduar të trafikut të kokainës, ishte ai i vitit 2016. Sërish destinacioni ishte Shqipëria. Pwr ta mbyllur për drogën qw shwnoi kumin e guximit sasia gjigande prej 613 kilogramësh me “Arbri Garden”.

 Policia shqiptare humb besimin e partnerwve

Zëvendësimi i 137 kilogramëve kokainë me oriz në portin e Pireut në Greqi, para se ngarkesa të mbërrinte Durrësin, ngre pikëpyetje mbi besimin e agjencive partnere tek autoritetet shqiptare, raporton A2 CNN.  Si për ironi, ndonëse kontejnerët e drogës ishin nën sytë e policisë, disa nga pako u nxorën nga porti dhe i dyshuari si autor, Gentian Malindi, u largua pa gjurmë. Rasti i 137 kg kokainë nuk është rasti i vetëm.  Në shkurt 2011, 200 kilogramë kokainë kolumbiane po udhëtonte drejt Shqipërisë, e tretur në 52 fuçi me vaj palme, të porositura nga një shoqëri tregtare në Gjirokastër. Droga u bllokua në portin e Antwerp në Belgjikë. Ngarkesa u zëvendësua dhe iu vendos GPS. Në qershor 2014, një sasi prej 265 kg kokainë nga Ekuadori, me destinacion Shqipërinë u bllokua në Malin e Zi. Në vendin tonë u arrestua vetëm kolumbiani, Augusto Triana, i ardhur për të marrë një këst të pagesës, që shkonte në 1 milionë euro. Në janar 2015, pas informacionit të ofruar nga autoritetet gjermane të drejtësisë u zbulua laboratori i drogës në Xibrakë. Agjentët e policisë i mbajtën në vëzhgim të dyshuarit, por Genci Xhixha, i cilësuar si kryesor në grup, i shpëtoi arrestimit. Ndërsa në shkurt 2017, pas sinjalizimeve nga agjencitë e huaja partnere autoritetet shqiptare sekuestruan 613 kg kokainë të mbërritur në një kontejner bananesh nga Kolumbia.


Etiketa: , , , , ,

Pas