Eurodeputetja dhe zëvendëspresidente e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek është e zhgënjyer nga Qeveria e re.
Lunaçek në një konferencë për media gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë, tregoi se ndihet e zhgënjyer nga Qeveria e re për faktin se nga 21 poste ministrore, vetëm dy janë femra.
“Ka pasur premtime nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi që në Qeverinë e ardhshme do të ketë më shumë femra. Nevojitet një përmirësim dhe ky është një zhgënjim”, tha Lunaçek.
Ajo tha se ka takuar Kryetarin e ri të Kuvendit, Kadri Veselin, dhe shefin e diplomacisë Hashim Thaçin, po ashtu tregoi se nga këta dy ajo ka kërkuar debat më dinamik në Parlament.
Lunaçek tha se nga kjo Qeveri e re ajo pret vende të reja të punës dhe i kërkoi ‘pushtetasve’ ta kthejnë besimin te të rinjtë, të cilë po largohen nga Kosova. Dhe në këtë mënyrë mund të ndikohet në liberalizimin e vizave, tha Lunaçek, shkruan Express.
Ndërsa sa i përket korrupsionit, Lunaçek tha se nuk ka parë ndonjë përparim nga Qeveritë e vjetra, dhe pret që kjo Qeveri e re punojë më shumë rreth zhdukjes së korrupsionit.