fbpx

Aktualitet

Lutje, hiqni kamerat nga duart që kërkojnë panine





               Publikuar në : 12:09 - 29/11/19 |
Mapo.al

Pamjet, videot dhe fotot e duarve pertej kanxhellave që kërkojnë ushqim, po bëjnë xhiron e botës. Të prekurit e tërmetit janë në kushte të jashtëzakonshme, dhe me siguri edhe të paushqyer. Por për fat të keq, kjo situatë po shfrytëzohet nga mediat për audiencë.


Të dëmtuarit, të pastrehët, të lënduarit e kësaj katastrofe kanë patjetër dinjitetin e tyre si qënie humane, dhe këto ditë, ndoshta në një vlerë më të lartë se të tjerët. Ata duhen respektuar në vuajtjen e tyre. Nuk është aspak e pazakontë, dhe aspak turp që të kenë uri, apo që të luftojnë për një vakt. Nuk ishte zgjedhja e tyre kjo. Nëse media kërkon t’ia tregojë këtë opinionit publik, për shkak se po mbahet e fshehtë, shumë mirë. Por fiksimi në aparate i portreteve të vuajtura që zgjasin duart për panine, kapërxen limitin e informimit dhe nëpërkëmb, fëmijë, burra, gra e të moshuar.



Uria e tyre nuk mund të bëhet ushqim për klikime. Aq më tepër kur këto zbulime i marrin dhe agjensi të huaja lajmesh dhe i shpërndajnë në mbarë botën. Gazetarët kanë bërë punë të shkëlqyer deri tani, padyshim. Ata janë një kategori e “heshtur” e heronjve të kësaj drame. Sidomos reporteret që kanë qendruar aty me ditë dhe me orë të zgjatura.


Po këto lloj pamjesh nuk ndihmojnë. Nidhmon informacioni i dobishëm, që tregon se në një zonë të caktuar, ka banorë që kanë nevojë për ushqim. Ndihmon nëse orientohet si duhet opinioni, për t’iu gjendur të prekurve me cfarë ata kanë nevojë.

Gazeta Mapo ka publikuar foto dhe pamje të kësaj natyre, por nga ky moment ka vendosur të mos nxjerrë më imazhe të duarve që zgjaten drejt ushqimit.

Mapo.al


Etiketa:

Pas