Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Lefterie Luzi, ka hedhur votën e para ndër përfaqësuesit e lartë të institucioneve shtetërore.
Nga Akademia e Arteve, ku ushtroi të drejtën e saj si qytetare, Luzi bëri thirrje për pjesëmarrje masive në votime.
“Ju bëj thirrje qytetarëve të shkojnë të gjithë pranë qendrave të votimit sepse këto zgjedhje janë testi i radhës së Shqipërisë. U bëj thirrje dhe grave, të cilat duhet të jenë sot pjesë e votimit edhe për një arsye më shumë për shkak se përfaqësimi i tyre në këshillat bashkiak do jenë 50%. U bëj thirrje edhe votuesve për herë të parë, që kësaj radhe do jenë pjesë e procesit dhe të ardhmes së Shqipërisë”.
Pasi ka dalë nga qendra e votimit, Luzi deklaroi se KQZ-ja ka punuar deri në orët e para të mëngjesit për të bërë të mundur krijimin e infrastrukturës që të gjithë të kenë mundësinë të votojnë.
Kur u pyet mbi çështjen e Kurbinit, Luzi tha se ende nuk e di nëse janë hapur qendrat e votimit, por deklaroi se ajo që është kryesore, është fakti se baza materiale është shpërndarë e gjitha.
Në fund, kryetarja e KQZ-së i bëri thirrje të gjithëve që sot të shkojnë të votojnë sepse këto “janë zgjedhje për të ardhmen”.