Aktualitet

Macron: Europa të mbështesë rinisjen e bisedimeve Kosovë-Serbi






               Publikuar në : 19:45 - 16/07/19 |
mapo.al

“Serbia dhe Kosova janë shtete europiane dhe ne duhet të ndihmojmë që kjo të bëhet fakt”, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Ai i bëri këto komente në Beograd ku po qëndron për vizitë dy ditore pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Macron tha se Europa duhet ta mbështesë rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh midis Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje konkrete në muajt e ardhshëm.


“Unë do të angazhohem personalisht për këtë, sepse besoj në Europë”, tha Macron. I pyetur nëse Franca mund të ofrojë zgjidhje konkrete për vazhdimin e dialogut, Macron tha: “Nuk jam këtu për t’ju dhënë mësim”. “Nuk kam përgjigje, nuk ka zgjidhje magjike as në xhepin tim, as në atë të Gjermanisë, të Shteteve të Bashkuara apo të Rusisë”, tha Macron, duke paralajmëruar një takim të ri të delegacioneve.

“Do të organizoj një takim të posaçëm me udhëheqësit e Kosovës, me kryeministren e Serbisë dhe kancelaren (gjermane, Angela) Merkel. Franca është e angazhuar për të gjetur një marrëveshje të qëndrueshme”, tha ai.

Presidenti i Francës po ashtu tha se të dyja palët duhet të përmbahen nga lëvizjet e njëanshme. “Vendimet në kundërshtim me angazhimet e bëra, duhet të ndërpriten”, tha ai. Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, ka ngecur që në fund të vitit të kaluar, kur Kosova u ka vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia. Për vazhdimin e dialogut, Serbia ka vënë kusht heqjen e taksës.

Qeveria e Kosovës, përkundër thirrjeve edhe të Bashkimit Europian, edhe të Shteteve të Bashkuara, nuk është zmbrapsur nga taksa. Presidenti i Serbisë, Vuçiç, tha se bisedimet e tij me presidentin francez kanë qenë “të sinqerta dhe të hapura”. “Ka mundësi që kurrë nuk kam pasur bisedime të tilla të hapura dhe të sinqerta me ndonjë zyrtar”-tha Vuçiç.

Aleksandër Vuçiç tha se me Macron ka biseduar për problemet, para së gjithash për “zgjidhjen e nyjes së Kosovës”, si dhe e ka lutur atë që ta ndihmojë Serbinë në zgjidhjen e krizës në dialog dhe në rrugën e saj europiane. Vuçiç tha se Serbia është e gatshme të pranojë ndihmën dhe përkrahjen e Francës në fushat e sundimit të ligjit dhe reformës gjyqësore. Adresimit të dy presidentëve i parapriu nënshkrimi i disa marrëveshjeve nga të dyja delegacionet në disa fusha.


Etiketa: , , , , ,

Pas