Ka raportuar nga terreni si gazetare e politikës për vite me radhë, ka provuar studion e debatit si moderatore, ka bërë drejtoren e lajmeve dhe producenten e një emisioni investigativ, por sërish është kthyer me mikrofon në dorë tek intervistat në terren. Gazetarja Mimoza Picari po shkel në një territor tjetër që nuk e kishte prekur më parë, atë të grave dhe problemeve të tyre.
Me anë të një bashkëpunimi me Zërin e Amerikës, Picari po realizon një cikël materialesh që cekin problematikat e gjinisë “së dobët” në vendin tonë që nga dhuna, abuzimi seksual, edukimi, arsimimi, ndikimi në jetën publike, në biznes, në shëndetësi, përfshirjen e grave në rrjete kriminale, trafikimi etj. Në një intervistë për MAPO ajo flet për këtë projekt, për problemet e medias me lirinë dhe për dilemat e saj mbi profesionin.
Znj. Picari, pas një karriere të gjatë si gazetare, redaktore e producente televizive në median shqiptare, keni nisur bashkëpunimin me Zërin e Amerikës, me një cikël materialesh për problematikat e grave në Shqipëri. Çfarë do të thotë për ju kjo?
Kjo për mua do të thotë shumë. Së pari, bashkëpunimi me VOA është një shtrat i sigurt profesional. Mund të japësh shumë, por në fund e sigurt do të kesh mësuar më shumë se sa ke dhënë. Për mua kjo ka rëndësi. E shoh si shkollë, si edukim profesional. Nisur nga kjo shembujt janë konkretë. Cikli i prodhimeve për gratë më ka çuar në një sferë tjetër pune. Ajo që më ka bërë përshtypje gjatë realizimit të tyre, është se nuk e dija më parë që mund të gjeja kaq shumë gra punëtore, herë në heshtje dhe herë jo, personazhe që me dëshmitë dhe me punën e tyre, përpiqen që jeta e grave në Shqipëri të përmirësohet. Kjo duke filluar që nga dhuna, abuzimi seksual, edukimi, arsimimi, ndikimi në jetën publike, në biznes, në shëndetësi, përfshirjen e grave në rrjete kriminale, trafikim, drogë etj. Kam hyrë në shumë skuta problemesh, zgjidhjesh dhe dëshirash. Një tokë e pashkelur më parë nga unë.
Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje gjatë realizimit të materialeve për gratë. Së fundi ju pamë të intervistoni disa gra dhe vajza të dënuara për trafikim dhe kultivim droge dhe më herët keni sjellë dëshmi vajzash të trafikuara apo dhe të grave me ndikim në jetën publike, të atyre që kanë patur sukses në biznes, të grave të dhunuara etj.
Më ka bërë përshtypje fakti që ato vënë shpirtin mbi gjithçka. Janë gjithnjë të gatshme të bashkëpunojnë, të thonë të vërtetën, dhe në fund të thonë faleminderit. Nuk ka më bukur se të punosh me gra profesioniste.
Si gazetare me përvojë, çfarë nuk shkon sipas jush me median shqiptare edhe pas afro 30 vitesh demokraci?
Ka shumë gjëra që nuk shkojnë në median shqiptare, duke filluar që nga censura, autocensura, përzierja e interesave politike, kushtet e punës së gazetarëve etj. Media nuk ka qenë kurrë më parë në ditë kaq të errëta. Por jo vetëm ajo, thuajse e gjithë jeta ka hyrë në një spirale dëshpërimi që lidhet me mungesën e shpresës. Kjo vihet re dhe nga sondazhet që tregojnë se shumica e shqiptarëve duan të largohen nga vendi.
Pse nuk po arrin dot media këtu të jetë e lirë siç duhet të jetë një media, por mbetet në pjesën më të madhe robe e censurës, autocensurës dhe interesave të ndryshme politike dhe ekonomike?
Nuk mund të them që s’ka media të lira. Ka media dhe zëra të lirë që ndikojnë në jetën politike dhe shoqërore të vendit, edhe pse me shumë mundim dhe shpeshherë të kërcënuar, apo të dhunuar. Por ajo që dominon është mungesa e lirisë, dhe ndikimi i fortë i qarqeve politike, sidomos të pushtetit në media. Që një media të funksionojë e lirë duhet që burimet e financimit të saj të jenë të palidhura me përfitimet nga pushteti.
Nga të gjitha profilet e punës së gazetares, që nga terreni e deri te kryeredaktore lajmesh e producente e një emisioni investigativ, cili ka qenë më sfiduesi për ju?
Të gjitha kanë qenë sfiduese. Secila më ka dhënë shumë, kanë plotësuar njëra-tjetrën. Por ajo që mbetet e imja pjesë e pandashme dhe më e dashura mbetet puna si gazetare në prodhim. S’ka gjë më të bukur të shohësh një punë me logon tënde.
Nuk mund ta shmangim një pyetje me karakter gjinor… sa e vështirë është për gazetaret gra që të ushtrojnë këtë profesion në një treg ku përgjithësisht dominojnë burrat, sidomos në nivelet drejtuese?
S’e kam ndjerë kurrë me thënë të drejtën diskriminim gjinor në profesion, përkundrazi jam ndjerë më në avantazh se burrat. Me shefat dhe shefet kam patur raporte sa institucionale aq dhe miqësore, duke respektuar kufirin që i ndan të dyja. Është shumë bukur të jesh grua në profesionin tonë, edhe pse të jesh edhe nënë, do të thotë dyfish e vështirë. Por në fund të ditës frymëzimi për gjithçka rrjedh nga familja. Ajo është vatra e ngrohtë që shkrin akujt e lodhjes së ditës.
A ka patur raste që keni menduar të dorëzoheni pa kushte, ta lini profesionin?
E kujt nuk i ka shkuar në mend një dorëzim qoftë dhe i përkohshëm, një “armëpushim” le të themi ndryshe. E kam menduar, por jam ngritur, sepse në ADN-në time rrjedh profesioni që bëj. Edhe kur mendoj se mund ta lë unë atë, s’më lë ai mua. E qartë që s’kam shpëtim. Por është një dënim shumë i bukur.
Shumë shpesh dëgjojmë miq e shokë, që janë larguar nga Shqipëria, ose duan të largohen. Ti e ke menduar ndonjëherë?
Dikur mund ta quaja largim, emigracion, ikje nga Shqipëria etj. Sot më pëlqen ta quaj ndryshe. Thjesht transferim. Jetë e re në një qytet të ri. Dua të quaj veten qytetare të botës, edhe pse barrierat për ta merituar këtë gjë janë të forta. Sepse ne akoma s’kemi të drejtë të jetojmë ku të duam, të punojmë ku të duam. Duhet të endemi akoma nëpër ambasada, për të përkthyer një kontratë pune në një vizë pune, në shumicën e rasteve pa sukses. Ende nuk jemi të lirë, dhe në fakt ky lloj burgu ma shpif. Bota e ka zgjidhur lirinë me ne. Na la të lirë thjesht si turistë. Thjesht të vazhdojmë të shpenzojmë para për ata. Më tutje, jemi në një vrap me pengesa të shumta. Nuk njoh asnjë mik, mikeshë që nuk do të ikë, nuk do të dërgojë fëmijët jashtë për studime, ose që i ka jashtë dhe u thotë: – Mos u ktheni. Trishtim i madh.