Blog

Madhështia në flluskën e zeros














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:34 - 30/07/19 |
Nga Zef Zefi

Nga Zef Zefi





Dy ditë para 30 qershorit 2013, “Le Courrier des Balkans”(Korrieri i Ballkanit), i kërkon një intervistë Edi Ramës të sapozgjedhur kryeministër. Intervista u përcoll me titullin: “Shqipëria: Edi Rama, Kryeministri dhe Vdekja”.  Edhe me leximin ma empirik, sido që kishte “miell” për të gjitha disiplinat, evidentoheshin dy spikatje: E para, se intervista në vend të pesë minutave siç qe planizuar, zgjati dymbëdhjetë herë më shumë. Ndonëse për të qenë “politikisht korrekt”, duhet nënvizuar se asnjëri nga intervistuesit, qoftë (Filipi) Bertinchamps, ashtu Gjini (Arnault Derens) s’ishin ankuar me ndonjë lokucion si: “S’të lë, s’ke ç’i bën.” Apo “interesant ky tipi…!”


Evidentimi i dytë ishte: Si dhe pse u ndërkall vdekja qysh në titull në këtë radhojë sostantivësh të rëndësishëm: Shqipëria, Edi Rama, Kryeministri dhe, ajo e tmerrshmja… Prite zot! Me intuitë çdo lexues mendoj se ka kërkuar ta evitojë ose zëvendësojë fjalën e “keqe” që kish nyjëtuar neo-kryeministri i atëhershëm nga frika, me një fjalë më të butë.  P.sh me fjalën Zero. Dhe shkonte. D.m.th rrinte, siç thoshte Sokrati i Madh për epistemet e tij.  Edhe gramatikisht, zeroja do të rrinte me homogjenet e rendit në raporte cilësore, saktësisht kallëzuesore, njësoj si fjala e tmerrshme. Pavarësisht se rezultati i kumtit do të dilte jo më pak i tmerrshëm: Shqipëria-zero, Edrama-zero, Kryeministri-zero.





 



***


Hiçi ose Zeroja, i pari në listën e numrave të plotë, është i fundit që ka mbërritur në skenën e numrave racionalë. Njerëzimi kishte bërë kaq shumë llogari aspak të vështira aritmetike, kishte zgjidhur ekuacione algjebrike dhe teorema të komplikuara gjeometrike, përpara se indianët dhe Maya të fusnin në matematikë konceptin e hiçit, heshtjen, terrin, mosqenien ose boshin.

Por në fusha e disiplina të tjera me sfumatura të ndryshme, nocioni i zeros ishte përdorur shumë më përpara. P.sh goja e hapur te Teogonia e Hesiodit që i jep emrin Kaos (shqip: humnerë e zezë) 700 vjet P.K. “Kush je ti, pyeti Polifemi. -Askushi- u përgjigj Udhësi. Quhem askushi. Jam askushi…(Homeri, “Odisea”) Te Zhyl Verni personazhi Nemo. Po kështu metafora e hiçit shfaqet kur flasim për dikë a diçka që mungon, nuk ekziston, ose nuk do të mbërrijë kurrë; “duke pritur Godot” të Samuel Becket. (Mendo duke pritur shtetin “që duam” sa shekuj kaluan).

Apo duke pritur akuzën që të ndodhë te “Procesi” (Kafka). Dhe mundimet prej Krishti të Josef K. nga akuza-zero efektet e së cilës janë tragjike.  Tek ekonomisti Adam Smith, hasim entitetin e “dorës së padukshme” si rregullator teologjik që s’i bindet askujt, po i ndreq të gjitha. Pra kapitali, ndonëse për dy realitetet e tjera sociale, borgjezia e klasa e punës, kjo dorë duhet mbajtur nën kontroll. Zeron e gjejmë gjithashtu tek metafora e hijes, që del nga qenia, dhe merr një identitet të vetin, “Peter Pan,” apo Casella i Alighierit. Realizmi magjik është plot me zero-entitete, që shpesh krijojnë efekte tronditëse. Edhe vaginën elizabetianët e anatemuan derisa eufemuan në asgjë/ja, nga e cila mendohet se rrjedh dhe një nga titujt e mëdhenj të tragjedisë botërore të Shekspirit “shumë zhurmë për asgjë(në)” Në muzikë, te Bitellsat “No-where- man”.

Lexo edhe :  PS me 74 mandate më 25 prill- Rama: Shqipëria Fitoi

Sidoqoftë një nga metaforat më të njohura me zero, është Nihilizmi, term i prurë nga Ivan Turgenievi. “Etër e bij” 1862 e vazhduar më tej nga Dostojevski si shprehja më e kulluar artistike në romanet e tij filozofike, “Krim e ndëshkim”, “Djajtë” apo i “Vëllezër Karamazov” etj.

Në shek. XX janë Breznitë e humbura të Xhon Stejn, Rinia e djegur e Xheims Dean, Ekzistencializmi i Sartrit, apo “I huaj” i Kamy që kulmon te Niçe, i cili profetizon, sikur të ishte nënshtetas i sundimit rilindas. “Të gjitha vlerat do të zhvlerësohen…, mungon qëllimi, mungojnë përse-të…” Në fizikë “hiçi” mund të konsiderohet në dy kuptime komplementare; negativisht, si mungesë materie, e pozitivisht si prezencë e boshit. Fizika moderne ka shkuar me tej. Duke futur konceptin e boshit energjetik, me përkufizimin se boshi është gjendje e energjisë minimale të një hapësire. Paul Dirac imagjinoi boshin kuantistik si një det antielektronesh me të njëjtën masë të elektroneve, po me ngarkesë të kundërt. Kjo thërrmijë e quajtur më vonë pozitron, e shtyn idenë tonë deri te takimi i fizikës me metafizikën parmenidiane. Zeroja ka lindur si mohim në teoritë e mendimit filozofik. Në matematikë ka dhe bashkësi boshe që korrelohen, vetanake ose prerëse.  Por që në momentin e hyrjes në rendin e numrave, kjo mori vlera të pallogaritshme. Mjafton të mos shpërfillim software-in e sotëm ose njërin nga binarët “01”, që po bën çudira nga më të paimagjinuarat. Boll qé ky të integrohet në një makinë “hardware” me të cilin nuk ka asnjë lidhje përjashtuar habitatin teknik. Ismail Kadare në vep IX, duke folur për shkrimtarin Flober, thotë se Flober i pakënaqur me veprën e tij, ëndërronte të shkruante kryeveprën “Për asgjë”. Le të mendojmë për pak paradoksin sesi asgjë-ja mund të shkruajë politikë…

 

***

Pyetjes së fundit “keni 15 vjet në politikë (sot në vitin e 22-të), neo-kryeministri i atëhershëm i përgjigjet mes të tjerash “…kam një problem me vdekjen dhe me historinë… bëj politikë për të luftuar idenë e asaj pra zeros…”, ndërsa këtë makth, i intervistuari kërkon t’ia asociojë sportistit të paafirmuar kurrë, d.m.th. sportistit pa talent. Ashtu dhe artistit mediokër po me të njëjtin talent. Pra Zero. Nuk e di, po Jean dhe Phelippe, pra, Gjini e Filipi (emra malokësh këta dreqër) para gjashtë vitesh mbasi e patën rrëmuar mirë inkonshion e neoKryeministrit na lanë një shkrim kontribuent e profetik në “Res-publiken” e tyre, që mund ta shpëtonte Re(s)publikën tonë nga rrënimi në “Res-privata”. Mjaft t’ia këndonim tri herë në ditë para e pas buke artikullin, në vend të “vizave” që merr. Bashkë me artikullin edhe “pasllmin” e atit të ekzistencializmit Kirkergard, “…mo ki frikë vdekja, mbasi gjatë jetës biologjike e ke bërë atë, sa herë ke ndërmarrë veprime përtej stofit tënd”.

1


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas