Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar gjatë auditimit të kryer në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit Tiranë, nga viti 2014 deri më 2017-ën, se makina, kamionë, skafe, motoçikleta dhe mjete të tjera motorike, të konfiskuara, kanë përfunduar në tregun informal.
Nga auditimi, institucioni më i lartë i kontrollit të financiar në Shqipëri, ka konstatuar se, kontraktuesit nuk dokumentojnë shkatërrimin e mjeteve motorike të konfiskuara, për kthimin e tyre në skrap, duke lënë shteg për abuzime, duke i nxjerrë ato në tregun informal.
KLSH ka konstatuar gjithashtu se mjetet e konfiskuara, kanë dalë nga nga magazinat e shtetit, për t’u kthyer në skrap, së bashku me targat dhe pa u çregjistruar.
Në Drejtorinë Rajonale Rezervave Materiale të Shtetit-Tiranë (Lundër), të gjitha mjetet e konfiskuara që kanë hyrë janë të pajisura me targën e Republikës së Shqipërisë apo targa të shteteve të huaja.
Nga auditimi konstatohet se, mjetet e shitura në formë skrapi janë bërë dalje së bashku me targat e tyre, pa marrë asnjë konfirmim në se janë çregjistruar nga DPSHTR.
Ky veprim është në kundërshtim me ligjin nr. 8378, datë 22.07.1998 “Për Kodin Rrugor në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, VKM nr. 153, datë 07.04.2000 “Për miratimin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar dhe Udhëzimin nr. 1, datë 18.01.2012
Raporti i KLSH 88 makina dhe 22 motora me çmim të ulët
Në raport thuhet se janë shitur 88 makina dhe 22 motorra me çmim shumë të ulët, duke u bazuar në një udhëzim të gabuar. “Nga auditimi konstatohet se për periudhën objekt auditimi, Autoriteti Shitës ka zhvilluar disa ankande me objekt “Shitjen e automjeteve për qarkullim”, përcaktimi i vlerës së tyre për t’u shitur në ankand është bërë duke u bazuar në udhëzimin e Ministrit të Punëve të Brendshme nr. 75, datë 13.03.2014. Kjo mënyrë llogaritje nuk ka lidhje me VKM nr. 1242, datë 16.12.2009.
Ky vendim ka për objekt administrimin dhe shitjen e mjeteve që dalin tepër, mbas miratimit të listës së mjeteve që mbeten në pronësi të institucioneve dhe që do të shiten me ankand, funksionarëve publikë ose nëpunësve civilë të administratës, pjesë e institucionit.
Përdorimi i kësaj reference (udhëzimin e Ministrit të Punëve të Brendshme nr. 75, datë 13.03.2014) në 2 ankande të zhvilluara me objekt “Shitjen e 88 mjeteve për qarkullim dhe 22 motoçikletave” me fond limit 12,580,000 lekë, nga 25,160,000 lekë që është vlera e tyre reale, ka ulur padrejtësisht vlerën për më pak 50 %, duke sjellë si pasojë të ardhura të munguara për Buxhetin e Shtetit në shumën prej 12,580,000 lekë”, ka konstatuar KLSH.
Tjetërsimi i 94 mjeteve
Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se nga periudha 1997-2010 janë mbajtur pa shitur edhe 94 mjete motorike, të cilat më pas janë tjetërsuar, nga “mjete për qarkullim” në “mjete për skrap”. “Nga DPRMSH mbahen pa u shitur (ardhur nga periudhat 1997-2010) 94 mjete motorike të ndryshme pa asnjë dokument si, procesverbali i sekuestrimit, konfiskimit dhe dokumentacioni për çregjistrimin e mjeteve sipas rregullave.
Nga moskryerja e procedurave të shitjes në ankand fillimisht si mjete për qarkullim (edhe për vakum ligjor) pas kalimit të një kohe të gjatë në ambiente të hapura, këto mjete janë zhveshur nga të gjitha pjesët motorike dhe xhenerike, si sistemi i drejtimit, kambio, diferenciali, sistemi i amortizimit, etj duke u kthyer në “mjete për skrap”.
Tjetërsimi i këtyre mjeteve nga “mjete për qarkullim” në “mjete për skrap”, ka sjellë si pasojë të ardhura të munguara për buxhetin e shtetit në shumën rreth 22,560,000 lekë”, vijon raporti.