Miratohet kërkesa e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për dënimin e Elton Kilës. Gjykata e Elbasanit caktoi dënimin me 5 vite burg, dënim i cili u ul për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe sekuestrimit të disa pasurive në emrin e tij dhe të familjarëve.
Elton Kila u dënua vite më parë në Itali për trafikim të lëndëve narkotike, vendim që u njoh në Shqipëri.
Sakaq në Shqipëri ai është hetuar për krim ekonomik për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale” lidhur me dënimin në shtetin italian.
Pas hetimit Gjykata miratoi kërkesën e Prokurorisë. Rikujtojmë se para pak kohësh Kilës i kanë djegur disa nga makinat e tij luksoze në stacionin e tij të shërbimit.
Njoftimi i Prokurorisë së Elbasanit
“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan miratoi sot kërkesën e Prokurorisë së Elbasanit për deklarimin fajtor të të pandehurit Elton Kila, i akuzuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Elton Kila u dënua me 5 vjet burg, pasi mori një dënim të reduktuar për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe sekuestrimit të disa pasurive në emër të tij dhe familjes së tij”.
Pasuritë e sekuestruara:
Me kërkesë të prokurorisë Elbasan, u ekzekutua Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan Nr. 913 date 07.12.2018, për sekuestro preventive për pasuritë:
Një ndërtesë 5-katëshe, me sipërfaqe banimi 1502 m2, në Elbasan
Njësi Shërbimi me sipërfaqe 400 m2, në Elbasan
Një sipërfaqe toke prej 5200 m², në Elbasan.
Sekuestro 100% të kuotave të zotëruara nga shtetasja I.K në shoqërinë tregtare “KILA TRANS” sh.p.k.