Një tjetër aksident me pasojë një të vdekur është shënuar në qytetin e Fierit. Ngjarja e rëndë është regjistruar në afërsi të rotondos së lagjes Sheq i Madh, në hyrje të këtij qyteti. Viktima këtë radhë është një i moshuar 78-vjeçar i quajtur Spiro Tegu. Ky i fundit ka qenë duke ecur në këmbë dhe në një nga xhepat e rrugës hyrëse të qytetit, është përplasur nga një automjet tip Benz me targa AA047Ak, mjet i cili drejtohej nga shtetasi Robert Rrapushaj. Fillimisht i moshuari ka marrë plagë të rënda prej goditjes dhe është dërguar me urgjencë në mjediset e spitalit. Pavarësisht ndërhyrjes së bluzave të bardha për ta mbajtur në jetë, disa orë pas ngjarjes, i moshuari ka ndërruar jetë në spital. Policia arrestoi drejtuesin e mjetit. Njëkohësisht është duke punuar për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.