Në tregun lindor, gjithçka mund ta merrje me klering. Nëse eksportoje qepë, domate e speca mund të merrje lehtësisht makina. Në praktikën e përditshme, shoferët e viteve kur në Shqipëri ngrihej socializmi “me forcat tona”, thoshin se makinat lindore shpenzonin shumë më tepër karburant se ato perëndimore. Por duket se kjo nuk kishte vlerë përderisa nafta vendase i mbulonte pa problem nevojat e qarkullimit të mjeteve shtetërore.
Formula ishte e njohur për vendet që ishin pjesë e KNER-it. Shqipëria gjithashtu kishte qenë pjesë e organizmave të lindjes dhe mund të merrte makina të prodhimit lindor duke i shkëmbyer me produkte bujqësore apo produkte të industrisë së lehtë dhe ushqimore. Për pasojë, në rrugët e Shqipërisë dhe të qyteteve shqiptare lëviznin me shumicë makina të prodhimit, rus, polak, çek, rumun. Makinat më të njohura ishin Zis, Gaz, Skoda, Tatra, Nysa, Zuk, Varshava, Ifa, etj.
Shumë më të rralla ishim në qarkullim makinat e prodhimit perëndimor. Për anëtarët e Byrosë Politike u porosit një seri Benc Mercedes 280 SEL, për parkun e delegacioneve ishte në dispozicion një seri Volvo. Për drejtorë të veçantë kishte Fiat 131, si dhe ndonjë Alfa Romeo. Në makinat e mëdha kamion kishte disa Volvo dhe Scania të prodhimit suedez, të cilat punonin për llogari të TIR (Transporti Internacional Rrugor). Mjete Volvo për transport të mjeteve të blinduara kishte edhe ushtria. Për disa vite në rrugët e Tiranës qarkulluan dhe disa autobusë urbanë tip Fiat Viberti, prodhim Italian, të cilat erdhën si reparacione të Luftës së Dytë Botërore. Më pas ato u zëvendësuan me autobuzët fisarmonikë Shkodra, një imitim i motorit Skoda. Vitet e fundit u futen edhe autobuze urbanë të prodhimit francez tip Saviem si dhe disa të prodhimit gjermano-perendimor Benz Mercedes dhe Man
Pjesa tjetër që përbënte më shumë se 90 për qind të mjeteve të transportit ishin makina të prodhimit lindor. / Leonard Veizi-Dita
Më poshtë po publikojmë fotot e automjeteve që kanë qarkulluar në Shqipërinë e viteve 1945-1990: