Një memorandum masash të reja shtrënguese nga ana e trojkës për Greqinë me reduktime pagash dhe pensionesh, tatime të reja të pronave, lirime nga puna në sektorin publik dhe hapjen e profesioneve të mbyllura, që në formën e ultimatumit iu dorëzua partive dhe qeverisë për adoptim dhe zbatim. “Do të nënshkruajmë marrëveshjen e kreditimit për të siguruar vijimësinë e financimit që i nevojitet ekonomisë greke, apo jo?” ishte pyetja e shtruar nga zëdhënësi i qeverisë, Pandelis Kapsis, në formën e një dileme të re për forcat politike dhe shoqërinë greke që reagon e shokuar ndaj cunamit të ri të masave. Qeveria shpreson se me “shkurtimin e shekullit” – do të ulë me 4.5 miliardë euro kuotën e përvitshme të kamatave prej 17 miliardë eurosh – dhe krijimin e tepricave të para primare për këtë vit, do të fillojë edhe kthesa në ekonominë e saj në recesion të thellë (aktualisht -7%) për të pestin vit me radhë. Por nuk ndajnë të njëjtin optimizëm edhe qytetarët grekë, që të rrënuar nga papunësia dhe taksat e njëpasnjëshme, bëhen gjithnjë e më mosbesues ndaj kursit të ndjekur. “Kurrë dhe asnjë nuk u ka premtuar grekëve se në qoftë e do të merret edhe ky këst, në qoftë se do të nënshkruhet edhe kredia e re, në qoftë se do të kurorëzohet edhe Ndërhyrja e Sektorit Privat, borxhi do të mund të bëhet i menaxhueshëm”, thotë profesori i së drejtës së punës, Aris Kazakos, i cili si shumë kundërshtarë të tjerë të kursit të ndjekur e cilëson edhe marrëveshjen e NSP “katastrofale” për ekonominë greke. I njëjti skepticizëm edhe në media, ku vështirë se mund të gjesh një fjalë të mirë për programin e trojkës. “Unë besoj se kemi hyrë në një rrugë pa kthim dhe se fundi i saj do të jetë varfërimi i plotë i popullit grek”, i thotë DW analisti politik Fotis Papulias, i cili beson se “edhe kurorëzimi i Ndërhyrjes së Sektorit Privat nuk do ta bëjë të menaxhueshëm borxhin grek”. E keqja më e madhe, sipas tij, janë masat që e shoqërojnë dhe kushtëzojnë kreditimin e ri “që, në qoftë se do të zbatohen, atëherë dilema shekspiriane të jetosh apo të mos jetosh do të ketë marrë përgjigjen e saj në Greqi, dhe sigurisht do të jetë të mos jetosh”.