Mapo Letrare

MALLI I SHTEGTARËRVE, NJË POEMË PA EPILOG…







               Publikuar në : 17:18 - 10/08/19 |
mapo.al

-Rreth librit “Antologjia e mallit” 1, botim i MUZGU-t


Nga Viktor Gjikolaj

Përmbledhja poetike “Antologjia e mallit’’ është një veprimtari rishtare e Klubit letrar, që mban emrin e poetit të shquar Ndoc Gjetja. Një orë poetike me argumentin “mall” pasuron kremtimet e sivjetshme të festës lokale të Lezhës “Dita e shtegtarit”.

E përuruar në mesin e viteve ‘2000, kjo festë, tashmë është një traditë e bukur.

Kjo ditë memorizon nëpërmjet kremtimeve, ato kohë të eksodeve biblike, që filluan nga qendrat urbane drejt kontinentit të vjetër. Kanë kaluar që asohere tri dekada. Shtegtarët me lotin e mallit si gur mbi vete, me shtatin në dhe të huaj e me zemrën në djepin e tyre, janë një realitet që dhemb, janë një përmallje pa cak…

Motivi i mërgimit është i hershëm në letërsinë gojore, që nga baladat e moçme, deri në këngët e ditëve tona. Poetët e Rilindjes qenë ata, që e nisën poemën e mallit, me De Radën, Seremben, Gavril Darën e për të vijuar këngët e kasaj poeme me Fishtën, Naimin, Çajupin, Mjedën, Koliqin, Camajn e Kutelin…

E hershme dhe e pasur është edhe tradita letrare e Lezhës. Herët kulmon me poetin kombëtar, Gjergj Fishta dhe pasurohet me poetët N.Gjetja, R. Marku, P.Zogaj etj.

Kjo treshe u vijua me poetë të talentuar si: Alban Bala, Marash Mirashi, Pjetër Jaku, Mark Simoni, Nikoll Njeçi, Alfon Zeneli, Ndue Marku, Mehdi Dashi, Edmond Kaceli, Pëllumb Syku, Tonin Nikolli, Llesh Murrani, Viktor Vokrri, Dritan Mesuli, Hekuran Koka, Ndue Dragusha, Lulzim Kalaj, Ervis Gaspri, Azem Baliaj, etj. Po kështu, tradita e mirë e poeteve, Silvana Gjebrea dhe Shpresa Rama Kapisyzi, po vazhdon me krijimtarinë e poeteve, Elinda Marku, Angjelina Gjeka, Alma Jaku, Fatmira Loci, Bruna Përvathi, etj. Kjo përmbledhje, ka poezitë e 37 autorëve, poetë të emigruar e të migruar nga Lezha si dhe ata rezidentë.

“Antologjia e mallit” dëshmon se Lezha ka një realitet kreativ konkurues me poezinë e letërsinë që krijohet në hapsirën shqiptare. Dhe jo vetëm ky botim, por një varg veprash në prozë, ku mund të përmendim krijimtarinë e Kujtim Dashit, Gjergj Shytit, Ndue Gasprit, Salvator Gjeçit, Ernest Markut, Alket Bushit, Lulzime Celamit, etj…

Shtegtimet shqiptare janë lajtmotiv i përjetshëm dhe malli i mërgimtarëve një poemë pa epilog.

Klubi Letrar’’Ndoc Gjetja’’ falënderon gjithë autorët pjesëmarrës dhe beson se kjo risi, do kthehet në një traditë, ku “Antologjia e mallit” 1, të pasohet me botime të përvitshme.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas