Një breshëri plumbash i dha fund më 25 dhjetor 1989 mbretërimit të terrorit të Nikolae Çausheskut. Për shumë rumunë, shkaku i vdekjes është i ndryshëm: Ata mendojnë se bëhet fjalë për një mallkim vdekjeje
Nga Renate Nimtz-Koster, Spiegel
Një madhështi e veçantë mbretëron në këtë sezon të errët të vitit në varrezat Gençea në Bukuresht: qirinj, shirita me ngjyrat kombëtare të Rumanisë dhe kurora madhështore me lule dekorojnë varrin e çiftit diktatorial Nikolae dhe Elena Çaushesku. Ky vend është kthyer edhe në një vend peligrinazhi. Prifti lutet këtu bashkë me mbështetësit e Çaueshekut gjatë nëntorit, në ditën e Shën Nikollës më 6 dhjetor, dhe për Krishtlindje, në ditën e vdekjes së të dyve.
Këtë vit vizitorët janë më të shumtë në numër. Nga plumbat e një njësie pushkatimi, u ekzekutuan rreth 25 vjet më parë “Conducator”-i dhe e shoqja e tij, që e mbante veten për shkencëtare.
Në një proces gjyqësor blic, një gjykatë ushtarake i dënoi ata me vrasje më 25 dhjetor 1989.
“Vdekje tradhtarëve, historia do hakmerret për ne,” ishin fjalët e fundit të tiranit.
Pati thashetheme në atë kohë se ai u ekzekutua kaq shpejt për të mos lënë mundësinë e gjetjes së një pasardhësi.
Në të vërtetë, shumë rumunë mendojnë se ka një shpjegim shumë më të ndryshëm për vdekjen e despotit: Një mallkim vdekjeje e vizitoi Çausheskun atë ditë, prapësitë e tij u kthyen për hakmarrje.
“Unë e kam mallkuar rëndë”
Diktatori i ardhshëm dërgoi tanket dhe mitralozët më 4 dhjetor 1957 në fshatin Vadu Rosca, rreth 200 kilometra në verilindje të Bukureshtit.
Banorët po bënin rezistencë ndaj kolektivizimit. Çaushesku, në atë kohë 39- vjeç, i veshur me një kapele ushtarake në kokë dhe një mantel blu, e drejtonte vetë shtypjen e rebelimit.
Nën komandën e tij, njerëzit e Sekuritates nisën të qëllojnë fshatarët e mbledhur. Drejtuesit të rebelimit, Nitu Stan, i kishte shkuar nga pas djali i tij gjashtëvjeçar, me një thikë të madhe në dorë e duke thirrur: “Në këtë mënyrë nuk do të vrasin baba”.
Mitralozët ishin përballë shkopinjve e lopatave të fshatarëve.
Ndërkohë që lugina tronditej, Ionut Cristea i binte pa pushim këmbanorës së kishës.
Plumbat e goditën, ndërsa ai shtrëngonte akoma litarin.
Nitu Stan kujton se si njerëzit rreth e qark tij vdisnin, mes tyre edhe Dana Radu, një e re.
Një shoku i tij, Marin Craciun, nuk lëvizi kur njerëzit e shërbimit sekret nisën të largonin të vdekurit. Por kur Çaushesku e goditi me takën e çizmes në stomak, ai e mallkoi.
“E mallkova kaq rëndë, atë e të gjithë njerëzit e familjes së tij, për të vdekurit tani,” thotë Craciun.
Të mbijetuarit nga kjo masakër u morën në pyetje nga Sekuritate dhe u keqtrajtuan barbarisht.
Torturuesit i godisnin në fytyrë dhe ua thyenin dhëmbët.
Por mallkimi nga fshati Vadu Rosca nuk ishte i vetmi që tërhoqi mbi vete despoti rumun.
Çaushesku realizoi me dhunë një projekt për modernizimin e Bukureshtit.
Ky “sistematizim” shkatërroi disa zona historike, 22 kisha dhe një spital të vjetër e të nderuar.
Spitali ishte ndërtuar në vitin 1835 nga princesha Safta Elisabeta Brancoveanu për të varfërit.
Diktatori ishte veçanërisht i tërbuar me një pllakë mermeri të vendosur në hyrje të spitalit.
Aty shkruhej: “Kush i prek muret e kësaj godine, do të vdesë në një festë publike”.
Në një emision të stacionit televiziv rumun Romania TV, historiani Dan Falcan konfirmoi se mbi pllakat shkruhej diçka e tillë.
Kjo përforcoi më shumë bindjen te rumunët se Çaushesku, që e quante veten Gjeniu i Karpateve, vdiq në Ditën e Krishtlindjeve të vitit 1989 për shkak të mallkimit.
“Çaushesku vdiq i dënuar”
Nëse e ka goditur vërtet mallkimi i vdekjes apo jo, kjo nuk dihet, por fundi i ngjan shumë fatit të fshatarëve rebelë në Vadu Rosca.
I mbijetuari Marin Cracuin i pati thënë shkrimtarit Varujan Vosganian, që diktatori vdiq njësoj si “shoku që kisha pranë”.
“Edhe ai ra në gjunjë dhe ata e qëlluan aq shumë, deri në momentin që ai u shemb nga pas. Vetëm se Çaushesku vdiq me duart e lidhura nga pas”.
Në shtëpinë e tij, Nitu Stan tregon për nipërit e tij masakrën e vitit 1957.
Tokën e kolektivizuar e ka marrë sërish.
Dy hektarë pyje i mungojnë akoma.
“Shteti rumun ka shumë plagë për të shëruar, jo vetëm për fermerët,” thotë 87- vjeçari.
“Komunistët nën Ion Ilieskun, që e quajtën veten demokratë dhe erdhën pas vitit 1989, nuk ishin shumë të interesuar për këtë”.
Pensionet e fermerëve si Stan, pas tre dekadash punë të vështirë në fermat kolektive, janë sa vlera e 20 paketave cigare.
Ndërkohë që përkrahësit vazhdojnë të zbukurojnë me lule e shirita varrin e Çausheskut, në fshatin Vadu Rascu me 1200 banorë ka vetëm një memorial të thjeshtë.
“Sot,” raporton gazeta lokale, “asnjë nga autoritetet nuk kujtohet për ngjarjen”.
Por mallkimi i vdekjes nga banorët e Vadu Rosca ndaj diktatorit mizor nuk shlyhet nga mendjet e shumë rumunëve.