Pep Guardiola është zgjedhur “Trajneri më i mirë” i Premier League për sezonin që sapo u mbyll (2020-2021), pasi udhëhoqi Manchester City drejt titullit kampion.
Pasi zbuloi zgjedhjen për çmimin prestigjioz, Premier League ka shkruar në faqen e saj zyrtare: “Guardiola fiton çmimin për herë të tretë në karrierën e tij menaxheriale, pasi e kishte pretenduar atë edhe në dy sezonet e mëparshme fituese të titullit, 2017-2018 dhe 2018-2019. Spanjolli bëri histori këtë sezon, pasi skuadra e tij Manchester City u bë e para që fitoi titullin, pasi ishte e teta në ditën e Krishtlindjes.
Pep bëhet kështu njësoj si Arsene Wenger dhe Jose Mourinho, ndërkohë që vetëm Sir Alex Ferguson e ka fituar atë më shumë, 11 herë.
50-vjeçari mundi të nominuarit e tjerë Marcelo Bielsa, David Moyes, Brendan Rodgers dhe Ole Gunnar Solskjaer në çmimin e sezonit, teksa votat nga publiku u kombinuan me ato të një paneli të ekspertëve të futbollit për të vendosur fituesin”.