Manchester City dhe Paris Saint-Germain janë “lodrat e një shteti” që duhen përjashtuar nga kupat e Europës, për shkak se kanë shkelur rregullat e Fair-Play financar, ka thënë presidenti i La Ligas gjatë eventit Financial Times’ Business of Football, që mbledh liderët e biznesit të futbollit çdo vit.
Javier Tebas, i cili drejton prej 6 vitesh ligën e parë të futbollit spanjoll, gjithashtu ka paralajmëruar klubet angleze se do bënin një gabim gjigant nëse do mbështesnin idenë e një Super Lige europiane, e cila do të shkatërronte kampionatet vendase.
Tebas është një ndër zërat më kritikë ndaj UEFA-s në arenën europiane dhe në shënjestrën e tij janë sidomos Manchester City e PSG: “Man City dhe PSG nuk e vrasin mendjen sa të ardhura, sepse i marrin të ardhurat nga një shtet. Nëse duan të blejnë një lojtar, ata përdorin para nafte, para gazi“, tha Tebas, duke lëshuar një akuzë të drejtpërdrejtë. “Kjo gjë i detyron klubet e tjera të futen në një situatë ekonomike mjaft të rrezikshme, edhe çmimet kanë shkuar në qiell nga frika se klubet me mbështetje shtetërore do t’ua rrëmbejnë yjet.
“Ky nuk është më sport, nuk është më një industri. Thjesht transformohet në një lodër, për të zbavitur drejtuesit e një shteti. Kur diçka kthehet në lodër, fëmijët nisin të luajnë me fëmijët e tjerë dhe shkatërrohet i gjithë sistemi.
“Në të vërtetë, origjina e të gjithë këtij problemi me Super Ligën është efekti inflacionar që Manchester City dhe PSG kanë krijuar në gjithë Europën, sepse klubet e tjera detyrohen të kërkojnë para për të garuar me këto klube”.
Manchester City është nën hetim nga UEFA për shkelje të rregullores së Fair Play Financiar dhe rrezikon të dënohet, ndoshta edhe me përjashtim nga Champions League.
Tebas i akuzon 6 klubet kryesore në Angli edhe për “pandershmëri”, sepse nuk e kanë bërë asnjëherë publike mbështetjen e tyre për Super Ligën Europiane, që pritet të nisë më 2024.
Propozimi i mbështetur nga presidenti i Shoqatës së Klubeve Europiane dhe pronari i Juventusit, Andrea Agnelli, synon që të zëvendësojë formatin aktual në Champions me një format të ri, me 4 grupe me nga 8 ekipe, me kualifikimin të bazuar te performanca historike, më shumë sesa rezultatet në kompeicionet vendore.
“E ardhmja e futbollit europian është në rrezik. Nuk është shaka kjo që po ndodh, duhet transparencë. Klubet e mëdha angleze po gabojnë, sepse nuk do u shtohen të ardhurat. E shumta do blejnë më shumë yje, nga 7 Ferrari do kenë 10 Ferrari.
“Ju siguroj se modeli i Super Ligës që duan të futin UEFA dhe ECA do të dështojë pas 10-15 vitesh. Kampionatet kombëtare kanë një kulturë prej dhjetëra vitesh rivalitet mes klubeve, ndaj do krijohet një shkëputje totale mes tifozëve“.
/telesport.al/