Pas Monika Kryemadhit, Lulzim Basha ka pritur në zyrën e tij në PD edhe aleatët e tjerë të opozitës. Burime për Mapo thanë se Basha ka pritur në takime kreun e PR, Fatmir Mediu, të PDK, Nard Ndoka, atë të LZHK, Dashamir Shehi, të PBDNJ, Vangjel Dule si dhe kreun e PAA, Agron Duka. Në fokus ka qenë vendimi i Bashës për të djegur mandatet e PD në Kuvend. PAA dhe PDIU janë shprehur që një ditë më parë se mbështesin vendimin e kryedemokratit. Ndërkohë që nuk janë shprehur ende zyrtarisht LSI, PR, LZHK dhe PBDNJ.
Djegia e mandateve ishte në fokus edhe të takimit të Bashës me Monika Kryemadhin. Takim zgjati rreth 60 minuta. Në përfundim të takimit, Kryemadhi nuk ka dashur të japë detaje për mediat, duke u shprehur se informacion do të ketë pas mbledhjes së grupit parlamentar të LSI.
Një ditë më parë edhe pse nuk u shpreh qartë nëse do mbështesë propozimin e kryedemokratit për djegien e mandateve, Kryemadhi shkroi në një postim në Facebook: “Beteja kundër Ramës dhe bandave të krimit vazhdon. Nuk ka parë gjë akoma!” Përgjatë ditës së sotme, deputetë të LSI kanë reaguar përmes statuseve në Facebook mbi propozimin e kryedemokratit Basha për djegien e mandateve. Ata janë shprehur pro këtij vendimi, megjithatë vendimin zyrtar do ta marrë grupi kuvendor i LSI sot në 17:00.
“Mandatet”/ LSI shtyn mbledhjen për në orën 17:00, deputetët: T’i djegim
/Gazeta Mapo/