Edi Rama lajmëroi se javën e ardhshme do bëhen të ditura emrat e kabinetit të ri, ndërkohë që janë lajmëruar dhe “dorëheqjet” e para nga postet qeveritare dhe kuvendi. Najada Çomo është tërhequr nga parlamenti, ndërsa Erjon Braçe nga posti i zëvendëskryeministrit. Të dy kanë emërues të përbashkët rezultatin e dobët në zgjedhje. Çomo zhgënjeu me votat nominale, ndërsa Braçe si drejtues politik i qarkut Fier
Në mbledhjen e fundit të qeverisë, Kryeministri Edi Rama njoftoi se javën e ardhshme dalin emrat e rinj të kabinetit, duke paralajmëruar kështu zëvendësime ministrash për katër vitet e ardhshme. Vetëm disa prej tyre, do e kenë vendin të sigurt, të paktën kjo u la të kuptohej nga gjuha me superlativë që Rama përdori për Ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku apo atë të Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe Milva Ikonomin e Bujqësisë. Të tjerët më pas, nuk kanë asgjë të sigurt në kabinetin e ardhshëm qeveritar. Ndoshta një përjashtim mund të bëhet për Pandeli Majkon në rast se nuk do ketë një riformatim edhe të ministrive aktuale. Majko për momentin vazhdon të mbajë postin e Ministrit të Diasporës. “Qeveria e ardhshme do të formohet javën tjetër. Ju do të vazhdoni punën deri në minutën e kalimit të detyrës, pa lënë asnjë ditë të shkojë kot. Kemi një skuadër kampione ku ka shumë zgjedhje për çdo rol dhe kampionati 4-vjeçar që ka nisur të nesërmen e zgjedhjeve të fundit kërkon jo vetëm një informacion të mirë qeverisës, një kryesi efektive, por edhe një stol rezervash të gjatë, për të pasur mundësi energjizimi të skuadrës. Ky është avantazhi i madh në krahasim me rivalët dhe duhet bashkë ta kultivojmë këtë avantazh”, tha Rama.
Ikja e Braçes
Por mbledhja e fundit e qeverisë ka pasur dhe ajo kurbanët e saj, të cilët nuk e kanë vazhduar “detyrën deri në minutën e fundit”. I pari që do të lajmëronte ikjen nga kabineti ishte zëvëndëskryeministri Erjon Braçe. Pavarësisht se Braçe që nga koha kur ka marrë detyrën në vitin 2018, ka firmosur shumicën e vendimeve qeveritare, sërish është parë nga Rama si i papërshtatshëm për atë post. Por ndoshta shkarkimi i Braçes vjen si pasojë dhe e rezultatit të dobët që PS mori në Fier, ku ai ishte drejtues politik. Nga ky qark më herët la mandatin Gramoz Ruçi, ndërsa kreu i Bashkisë së Lushnjës Fatos Tushe, po përballet me akuza për korrupsion në SPAK dhe gjendet i arrestuar. Me akuza po përballet dhe kreu i Bashkisë Fier, Armando Subashi, por për të akuzat nuk janë zyrtare dhe janë ngritur në formë tymnaje nga ana e socialistit Petro Koçi, kryetar i PS së qarkut dhe deputet i Fierit. Subashi për momentin ende nuk është nën hetim por e ka të pasigurt kandidimin dhe për një mandat tjetër si kreu i bashkisë së një prej qyteteve më të mëdha të jugut.
Dorëheqja e Çomos
Në mbledhjen djeshme Rama lajmëroi dhe tërheqjen nga mandate të shefes së Spitalit Infektiv Najada Çomo. Kjo e fundit rezultoi më pak e votuara në listën e kandidatëve fitues të PS-së, megjithëse Rama e futi të dytën në listë me mendimin se kontributi i saj në luftën kundër pandemisë do i siguronte vota. Në fakt nuk ndodhi ashtu. Sipas rezultateve përfundimtare Çomo arriti të marrë vetëm 1583 vota nominale ose më pak e votuara në listën fituese të deputetëve për qarkun e Tiranës. Sipas renditjes mandatin duhej që ta merrte Pandeli Majko, por atë do e përfitojë socialistja tjetër Mimi Kodheli, e cila përfiton në bazë të nenit 164 të Kodit Zgjedhor, i cili nuk lejon uljen e përfaqësimit të grave në kuvend. Gjithsesi kjo mbetet çështje interpretimi nga ana e KQZ, pasi në Tiranë përfaqësimi aktual i grave të PS-së është në masën 45% shumë më i lartë sa e detyron ligji prej 30%. Majko ishte i 19 në listë dhe arriti të merrte 8780 vota duke mos arritur ta thyejë herësin, që për PS në kryeqytet ishte diku tek 12600 vota. Nga ana e saj Mimi Kodheli rezulton si gruaja më e votuar e mbetur jashtë listës fituese me 5597 vota. Fakti që nga mandati është tërhequr një grua e favorizon së tepërmi Kodhelin, e cila në zgjedhjet e 25 prillit ishte e 21 në listën e Tiranës.
Deklaratat e Ramës
Basha: Asgjë e re nga mashtrimet e vjetra
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar pas fjalimit të mbajtur nga Edi Rama në fund të mandatit të dytë të qeverisë së tij. Basha shkruan në Twitter, se, ‘asgjë e mirë nuk mund të vijë nga një e keqe e vjetër që e ka bërë Shqipërinë të pajetueshme për fëmijët tanë’. Reagimi i kreut të PD-së Lulzim Basha: Asgjë e re nga përsëritja e mashtrimeve të vjetra. Plehrat digjen në kriza mjedisore të stisura për të çuar taksat e qytetarëve te mafia e inceneratorëve, krimi gëlon prej ortakërisë me pushtetin, korrupsioni që ka kapur shtetin është i përhapur në çdo qelizë të qeverisë, varfëron dhe largon shqiptarët, të braktisur edhe në kohë pandemie me numrin më të lartë të vdekjeve në raport me popullsinë në Europë dhe paketat më të vogla ekonomike në kontinent, integrimi në të cilin mbahet peng nga dështimet e njëpasnjëshme. Ky është bilanci real i një regjimi që masakron zgjedhjet vetëm për të vjedhur familjet shqiptare. Autorët e tij duhet të ishin përpara drejtësisë për atë që u kanë bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve në këto 8 vite, jo duke përrallosur për arritje imagjinare. Partia Demokratike është e angazhuar për të sjellë ato zgjidhje që masakra e 25 prillit u mohoi qytetarëve, sepse asgjë e mirë nuk mund të vijë nga një e keqe e vjetër që e ka bërë Shqipërinë.