Gazetarët shqiptarë kanë me Brukselin një lidhje të veçantë. Shpesh kanë shkuar në kryeqytetin belg në vizita pune, trajnime, kurse apo thjesht ture njohjesh me institucionet e Bashkimit Europian. Së shumti, një koleg i mërguar në atë qytet, Fatos Mahmutaj, me dashamirësi e pa përtesë na ka pritur. Ai na ka treguar Brukselin, ne i kemi kujtuar Shqipërinë. Në një pakt të heshtur.
Brukseli, është një qytet jo vetëm i shqiptarëve të ‘tureve të BE-së’, por edhe i mërgatës së vjetër të djathtë shqiptare. Unë për vete ia njoh ca piketa atij qyteti dhe ia konsideroj të miat. Për shembull, Starbucks-in në aeroport, kafenenë e vjetër të një Europe të Tetëqindtës në hotelin Metropol, dizajnuar nga një francez i quajtur Alban. Po të isha i ndershëm me veten dhe me lexuesin, pa hipokrizi, do të pranoja se, po, edhe Red Light District-in. Jo për seksin si të tillë, si mish që ngulet në mish, por për atë aromën superbe që shpërndan mundësia e lirisë në poret e individit që e sprovon veten përnjëmend vetëm kur mundet të zgjedhë. Sepse vetëm kështu e njeh veten e vërtetë.
Brukseli është një qytet i ngrysur nga jashtë, por i qeshur përbrenda. Deri dje. Moda do e donte që përveç një statusi apo një flamuri belg në Facebook të mos na kërkohej më shumë nga ndërgjegjja sociale. Por janë kujtimet, të cilat na përbashkojnë me belgët dhe europianët e tjerë që na shtyjnë drejt diçkaje më shumë se kaq. Të paktën fjalëve. Të mundohemi qe me anë të gjuhës të kuptojmë një marrëzi, e cila është gjithashtu vepër e të ngjashmëve tanë, njerëzve, pavarësisht fesë, ngjyrës së lëkurës apo hapësirës gjeografike prej nga vijnë.
Më shumë se kaq, ajo që ndodh në Bruksel apo Paris na ndodh dyfish. Na ndodh edhe kur shpërthen atje, por edhe sepse është një shenjë që mund, dhe do të ndodhë këtu gjithashtu. Përgjakja është e përbashkët. Trishtimi dhe zia gjithashtu.
Po ta shohim rrethin që po mbyllet, mund ta imagjinojmë lehtësisht se ngushtimi i tij i fundit do na kapë edhe ne. Aq më keq nëse ndodh në fund. Mundet që deri atëherë edhe nervi i reagimit të ketë ngordhur. Nënshtrimi që skajon me imagjinatë Houllebecq-u të ketë ndodhur. Sizmika e akteve terroriste ka ardhur duke u ulur nga veriu i lartë i botës, New York-u, deri në veriun e Europës, Londra; ka marrë një kthesë drejt perëndimit duke targetuar Madridin; i ka dhënë çmendurisë një kurbë ngjitëse duke goditur dy herë Parisin; për t’u ulur në jug, mu aty ku ndahet Europa e Azia, në Stamboll e Ankara. Dje e pati radhën zemra e Europës, Brukseli, ku ndodhen maja e sigurisë, NATO dhe kulmi i një përbashkimi multikulturor, Bashkimi Europian.
Jemi ekzaktësisht në Europën e fundviteve ’30, por kësaj here nazizmi është zëvendësuar me fundamentalizmin islamik. Nuk janë vetëm hebrenjtë të përndjekurit, por tashmë edhe europianët, të krishterë e laikë, të cilëve ashtu siç bëri Hitleri, u kërkohet të pranojnë pushtimin, shndërrimin ose zhdukjen. Myslimanët, ata që besojnë në Zot jo te një skizofreni, janë gjithashtu në përndjekje. Pse, a nuk ishin edhe gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore?
Shqipëria, për sa i takon, e ka lakun dy vrujime larg. Ajo kalamendet e kompleksuar para humanizmit, partneritetit dhe sigurisë së vet. Muxhahedinët iranianë i ka pranuar dhe është gati të presë refugjatët sirianë. Çfarë të bëjë? Partneritetin me amerikanët dhe europianët e ka të rëndësishëm, por ka jetike sigurinë e qytetarëve të vet. Shtoji kësaj luhatjeje infrastrukturën e dobët të sigurisë, mungesën e seriozitetit të institucioneve, varfërinë apo duarngritjen kombëtarë të fshehur pas ‘e bo Zoti mirë’.
Një prej simboleve të Brukselit është Manneken Pis, një djalë i vogël cullak që urinon. Sipas legjendës, urina e atij vogëlushi lagu fitilin që shkonte drejt dinamitit, i cili do hidhte në erë Brukselin. Bëhet fjalë për një luftë mes fuqive të shekullit XIV.
Kush ndër këta burra mund të bëhet ai fëmijë? Për të shpëtuar sot Brukselin dhe botën.