Filantropi dhe pronari i hoteleve “Hilton”, Barron Hilton është ndarë nga jeta këtë javë në shtëpinë e tij në Los Angeles. 91-vjeçari vdiq për shkaqe natyrore, konfirmoi Fondacioni Conrad N.Hilton. Familjarët e tij shprehën dhimbjen dhe vlerësimet më të larta për Barron Hilton.
“Babai im ishte një bashkëshort i mrekullueshëm për nënën tonë, një model për 8 fëmijët e tij, një mik besnik dhe bujar, biznesmen vizionar dhe sportist i apasionuar”– tha Steven M.Hilton.
“Jam e pikëlluar nga humbja e gjyshit. Ishte një legjendë, vizionar, i shkëlqyer, i pashëm dhe i sjellshëm. Ai jetoi një jetë me aventura të mëdha dhe arritje të jashtëzakonshme”-shkroi Paris Hilton në “Twitter”.
Në vitin 2007, Barron Hilton u raportua se nuk do t’ua kalonte fëmijëve të ardhurat marramendëse prej 1.2 miliardë dollarësh (të përftuara nga shitja e “Hilton Hotels Corp”), por fondacionit bamirës.