Mapo Letrare

MAPO LETRARE/ Besnik Mustafaj: Për letërsinë dhe gruan te “Letrat e mia kredenciale”

“Pasi i kam njohur gjatë (gratë), te secila prej tyre ka mbetur një mister, ku nuk kam mbërritur dot…”


Nga Arta Marku

Atë mbrëmje binte shi, shumë shi. Çezare Pavese ishte i lumtur. Kish lënë takim me balerinën këngëtare të barit që mbushej dingas me studentë. Kish rënë përhumbtas në dashuri me të dhe, më në fund, kish marrë guximin ta ftonte për të pirë diçka. Takimin e kishin lënë në orën 18.00, përpara hyrjes së barit. Ai, natyrisht, kishte mbërritur më herët në takim. Mezi priste. Por dhe nëse do të kish qenë i përpiktë në orar, do t’i kish takuar të priste. Gjatë madje.

Shiu nuk kishte ndërmend të ndalte kurse këngëtarja që i kish rrëmbyer zemrën nuk po dukej. Por ai priste gjithsesi, s’ka gjë pse orët vraponin të zinin njëra – tjetrën. Kur u kthye më në fund në shtëpi, ishte natë e thellë. Qull nga shiu i rrëmbyer dhe i dërrmuar nga pritja e kotë, zuri shtratin, në ethe. Kish marrë plevitin. Iu desh edhe një herë të priste gjatë derisa ta linte sërish shtratin, i shëruar. Vetëm atëherë, disa muaj më pas, kur e ftohura kaloi dhe ai u rikthye në shkollë, mori vesh se kish pritur përpara hyrjes së gabuar të barit. Tjetërkund e kish lënë takimin me balerinën e adhuruar.

Ishte viti 1925 dhe Çezare Paveze vetëm 17 vjeç. Sidoqoftë thuhet se ai nuk kishte fat në dashuri. […] 

***

I provova të gjitha, më kot, nuk gëzova.

S’e dija ç’më mungonte,

Kujtoja se kisha gjithçka

 

Atëherë në të majtë të krahërorit

Zoti më shkuli një brinjë

Dhe me ashtin tim të bëri aq të bukur ty(Motiv profan–Biri i Adamit–B.Mustafaj)

 

… Jo vetëm pse është aq e bukur, por se është e ndërtuar me lëndën e tij, gruaja është një qenie e pashpërfillshme nga burri. Jo më kot Paveze nuk e kish ndjerë jo thjesht kohën që vraponte, se ndoshta koha rrjedh gjithnjë kështu, si rëra mes gishtave, pamenaxhueshëm, pa u ndjerë, por as shiun e rrëmbyer mbi vete, teshat e ngjitura për lëkurë, të ftohtin që i hynte në palcë, plevitin që mori gjatë pritjes së pambarimtë, duke ëndërruar takimin e parealizuar.

E pastaj gruaja e pikas poezinë brenda burrit për ta tërhequr jashtë, e mbas kësaj poezia nuk mbaron. Përkundrazi zgjatet e zgjatet e sofistikohet njëkohshëm me stërhollimin e njohjes dhe zbulimit gjithjë e më të thellë të gruas prej burrit.

 

Ti nuk skuqesh më, kur flet me mua

Jo se atëherë ishim më të largët

Por dihet:

Të gjitha stinët kanë gjyrat e tyre (Intime–Harrimi i dashurisë–B.Mustafaj)

 

Padyshim duhet një sy i mprehtë për t’i dalluar, veç ngjyrave, nuancat e tonet që janë të pafundme. Por besoj se poetët e kanë se ndryshe si mund të ishin poetë. Mes të tjerash, më e çuditshmja e vërtetë e njerëzve që mbajnë këtë përcaktim, shqisa e poetit, nëpërmjet të cilës gruaja shihet ndryshe, përtej asaj që duket.

Po gruaja në jetën e Besnik Mustafajt, burrit dhe sidomos poetit me shqisën e gjashtë?

***

–Tashmë jo vetëm fëmijëria është larg, por burri është konsoliduar. Gratë përballë jush, njohja, zbulimi i tyre janë pjesë e burrërimit. E thatë, ishte një vajzë ajo që ju nxiti apo ju bëri poet, meqenëse filluat të shkruani poezi për t’i tërhequr vëmendjen . Pra poezi për dashurinë. Si ndryshojnë poezitë e dashurisë së një djali nga poezitë e dashurisë së një burri?

Unë besoj se të gjithë poetët e kanë filluar me vargje për dashurinë. Pra, të gjithë ata që më vonë do të bëheshin poetë, e kanë përdorur fillimisht imagjinatën e tyre të pazakonshme dhe për t’iu drejtuar dikujt në mënyrë të personalizuar. Më duket pamundur të ndodhë ndryshe. Një adoleshent nuk mund të ketë ndonjë përjetim më të fuqishëm se dashuria, të cilën të ketë nevojë ta shprehë me fjalë, ta shpallë publikisht. Një adoleshent, siç isha edhe unë në ato fillime, e sheh poezinë si një mundësi të mrekullueshme sublimimi të Dylqinjës së tij dhe asgjë më shumë. Ai, domethënë unë, as që e shkon nëpër mend se poezia do të bëhet qëllimi më i lartë, në mos i vetëm i jetës së tij profesionale. Si “autor” ai i drejtohet vetëm një lexuesi, që është Muza e tij. Sepse edhe e vërteta, të cilën ka marrë ai përsipër të shprehë, prek vetëm dy veta: autorin dhe lexuesen e tij të identifikuar.

Në ndonjë rast të rrallë, siç ka ndodhur me mua, këto rrethana të bukura, të pafajshme, shumë shpesh edhe tronditëse shërbejnë për të zbuluar poetin. Në qoftë se ky zbulim do të kishte ardhur më vonë, kur në kokën time do të kishin zënë rrënjë ëndrra të tjera për të ardhmen, ndoshta poezia do të kishte qenë kalimtare, ashtu siç ishte natyrshëm kalimtare në jetën time vajza, e cila ma bëri për herë të parë zemrën të më rrihte ndryshe, për të më lajmëruar se trupi im prej mashkulli po hynte në një moshë të re.

Unë as në rini nuk kam qenë nga ata, që thurnin shumë ëndrra për të ardhmen e vet. Gjithmonë kam patur pak ëndrra, por i kam dashur shumë, u kam besuar fort dhe i kam ndjekur me një këmbëngulje të rrallë. Poezitë e atij djalit të viteve 1974–1975, që isha unë, me poezitë e dashurisë së burrit, që jam tani, kanë ndryshimin që ka një syth në pranverë me një frut në vjeshtë në të njëjtën degë.

–Por gratë ju nuk i keni vetëm në poezi (dhe jo vetëm në letërsi). Kam pikasur një element ngacmues te “Fletorja rezervat” që është pikërisht prania e grave në një mënyrë të papritur. Një pasdite Nikolë Zand ju fton të shkoni bashkë në sfilatën e Yves Saint–Laurent. Fundin e një pasditeje tjetër e kaloni me një aktore e një tjetër herë ikni shpejt nga një pritje, sepse shoqëruesja juaj kishte shumë ftohtë… Sigurisht, prania e gruas është e pashmangshme në jetën e një burri. Cila është specifika e kësaj pranie në jetën tuaj? 

Kjo është gjithashtu një pyetje e vështirë për mua. Ju në këtë rast keni parasysh praninë e gruas në jetën time publike, e cila ka qenë e shumëfishtë: si diplomat, si politikan dhe si njeri i kulturës.

Pak muaj pas vendosjes time në Paris më erdhi një propozim i “çuditshëm”. Një nga firmat më të famshme në botë për veshjet më ofroi një kontratë për të më veshur gjatë gjithë vitit mua dhe familjen time, shoqëruar kjo me një honorar mujor sa trefishi i pagës që merrja si amabasador. Kur i pyeta përse ma bënin një ofertë të tillë, m’u përgjigjën se isha krejt i përshtatshëm për qëllimet e tyre komerciale: frekuentoja mjediset diplomatike, ato politike dhe mjediset artistike të Parisit. Tri mjedise që pak kryqëzohen njëri me tjetrin e ku njerëzit i kushtojnë një vëmendje të posaçme veshjes. Ata donin që unë të paraqitesha në këto mjedise i veshur ekskluzivisht nga firma e tyre. Ishte një propozim shumë joshës, jashtëzakonisht joshës, por që unë nuk e pranova. Pa të drejtë, më dukej sikur të gjithë do të më shihnin si “top model” dhe nuk do të më merrnin seriozisht.

Përveç vëmendjes ndaj veshjes, njerëzit që frekuentonin jetën moderne në të tri këto mjedise – flas gjithnjë për Parisin, – kishin edhe një tipar tjetër të përbashkët: vëmendjen ndaj grave. Më besoni, sy për sy bëheshin shumë komplimente, por prapa shpine bëheshin edhe më shumë komente e thashetheme lidhur me bukurinë, me elegancën, domethënë me veshjen, me arsyen pse kjo apo ajo grua (e bukur) gjendej në krah të këtij apo atij burri. Më ka qëlluar një herë ta dëgjoj edhe Presidentin Mitterand të bëjë kështu. Ishim në një pritje te Pallati Elisée. Po bisedoja me shkrimtarin francez François Nourissier, kur drejt nesh u afrua Presidenti Mitterand dhe, pa më vënë re fare mua, që isha aty, iu drejtua shkrimtarit, me të cilin kishte njohje të vjetër:

–Kujt i përket kjo tigreshë? – Ai tregoi me vështrim një grua, që binte në sy për gjithçka e sidomos për flokët e dendura, të kuqe.

–Është gruaja e re e filanit, – iu përgjigj Nourissier duke përmendur emrin e një botuesi të njohur.

–Ah, e paska edhe këtë! – lëshoi Presidenti Mitterand me një tringëllim zëri ku, siç m’u duk mua, kishte zili.

Pastaj hodhi një vështrim drejt meje, u kujtua që unë isha megjithatë ambasador, domethënë përfaqësuesi i një vendi të huaj, më buzëqeshi si për të më thënë se kështu e kanë këto punë dhe u largua pa më përshëndetur.

–Dukeni i vëmendshëm në fakt ndaj gruas. Nuk ju shpëtojnë hollësitë. Për shembull thoni (sërish te “Fletorja rezervat”) se keni arritur në konkluzionin se gratë franceze nuk ju duken edhe aq karteziane… Cogito ergo sum, thoshte Dekarti. Të mos jesh kartezian do të thotë të mos mendosh, apo nënkuptoni thjesht se gratë franceze nuk janë racionale?

Jo, jo nuk duhet përkthyer kështu. Të jesh kartezian do të thotë që, në vendimet dhe në veprimet e tua, të udhëhiqesh nga mendja, e cila, për të kryer detyrën e saj te njeriu, presupozohet të jetë gjithmonë e ftohtë. Kartezianizmi si rrymë filozofike dhe etike ka lindur në Francë, me Dekartin në zanafillë dhe është bërë me kohë pjesë thelbësore e identitetit kulturor të njeriut francez. Unë kam dashur në këtë rast të nënvizoj një vëzhgim, që më përket vetëm mua, pra, nuk do të thotë aspak se vlerësimi im është doemos i vërtetë, lidhur me natyrën e gruas franceze. Unë kam patur rast të vërej se ajo është shpesh shumë më spontane në zgjedhjet e veta, më ëndërrimtare, më e gatshme ta jetojë çastin pa llogaritur pasojat e nesërme, cilësi këto që nuk përputhen me frymën e kulturës dhe etikën karteziane.

Kam ndjekur me kureshtje shumë të madhe shkrimet në shtypin britanik në periudhën kur pritej të përurohej tuneli nënujor i La Manche, që do të lidhte me tren Parisin me Londrën, në vitin 1994. Në fakt ai tren do të lidhte kontinentin me ishullin. Por në shtypin britanik nuk flitej për Brukselin apo për kryeqytetet e tjera europiane. Vetëm për Parisin. Ishte një fushatë e vërtetë denigruese për francezët e veçanërisht për gratë franceze, gjë e paimagjinueshme nga unë, që isha rishtar në botën e lirë. Emra të shquar të letërsisë, të arteve të tjera, të mendimit universitar britanik e përjetonin plot panik këtë risi të mrekullueshme, që do të siguronte shpejtësinë dhe rehatinë në lëvizjen e njerëzve dhe mallrave midis këtyre dy pjesëve të Europës.

Sipas autorëve të këtyre shkrimeve, që presupozohet të ishin më mendjehapurit e shoqërisë britanike, nëpërmjet kësaj lidhjeje, Britania e Madhe do të humbte një mbrojtje thelbësore, të cilën e kishte patur në sajë të statusit të saj ishullor. Nëpërmjet këtij treni, në ishullin e tyre do të vërshonin francezët si një lumë i pashtershëm për të përhapur andej veset e tyre. Veçanërisht bartëse të këtyre veseve ishin gratë franceze, të cilat përshkruheshin me të gjitha të zezat: amvisa të këqija, me shtëpitë të mbytura nga pisllëku e që nuk dinë e as nuk duan të gatuajnë, bashkëshorte bishtpërdredhura, gra që mbajnë era zhul sepse nuk lahen, të cilat shtratin e mëkatit e përdorin më shumë se kokën për karrierë.

Nuk e kam kuptuar kurrë nga çfarë përvojash u vinte ky perceptim kaq negativ burrave britanikë për femrën franceze. Por kjo është punë e tyre. Mund të them vetëm se edhe një perceptim i tillë është pa lidhje me kartezianizmin, që edhe grave franceze, ashtu si burrave francezë, u pëlqen ta kenë si imazh të markës së tyre. Kjo ishte përshtypja britanike, krejt e pangjashme me përshtypjen time për gruan franceze, ku gjithashtu ajo nuk shfaqet dhe aq karteziane.

–A është gruaja franceze modeli i gruas për ju, pra spontaniteti i saj? Ose me mirë, si do ta përshkruani modelin ideal femëror? Si e gjykoni këndvështrimin e Ernesto Sabatos, të cilin te një grua e tërheq shumë feminiteti. “Më tmerron për vdekje gruaja si mashkull”, thotë ai…

Modeli i gruas për mua nuk lidhet me identitetin e saj kombëtar apo etnik. Sepse shfaqja e feminitet, për të cilin flet në këtë rast Ernesto Sabato, sigurisht që është në dukjen e saj një çështje stili jete. Po flas gjithnjë për shfaqjen e feminitetit. Pra, mbi stilin kanë doemos ndikimin e tyre të madh kultura dhe traditat e mjedisit familjar dhe kombëtar, ku është rritur dhe jeton femra. Por thelbi i feminitetit, ai që quhet nur femëror, mbetet po i njëjti dhe shkon shumë përtej stilit. Ky nur ose feminiteti përbën gjithsesi “pjesën” e vetes, që femra dhuron fillimisht për syrin mëkatar mashkullor, qoftë ky sy i njohur apo i panjohur. Në letërsinë botërore mund të mblidhet një antologji e mrekullueshme me poezi, ku poetë të mëdhenj i kanë kënduar një femre të panjohur, e cila ka kaluar para syve të tyre si rrufe, i ka goditur me nurin e saj dhe është zhdukur. Përjashtim bëjnë vetëm femrat e mbuluara me ferexhe, të cilat fshehin fytyrën dhe të gjitha lakimet e trupit kur janë në vendet publike. Në fakt, ato fshehin kështu nurin femëror, duke i hequr botës përreth një nga bukuritë më të çmuara.

Për të qëndruar te fjala e Ernesto Sabatos, do të thosha se mua nuk më tmerron aspak gruaja që duket si mashkull. Me të mund të kem marrëdhëniet më normale profesionale, mund të kem edhe marrëdhënie të bukura miqësore. Dhe kam shumë raste të tilla si në ekipet ku kam bërë pjesë apo edhe kam drejtuar. Kam femra të tilla edhe në rrethin tim të afërt miqësor. Feminiteti në kuptimin që ka parasysh Sabato merr rëndësi për mua vetëm kur arrin të zgjojë tek unë joshjen, që është një energji, do të thosha biologjike.

–Besoj se jo çdo grua në jetën e një shkrimtari (krijuesi në përgjithësi), pavarësisht raportit me të, mund të shndërrohet në subjekt letërsie. Si janë gratë që instinktivisht apo vetëdijshëm ju i keni futur në prozën a poezinë tuaj, modelet që ju shërbejnë për të portretizuar personazhet tuaja?

Nuk kam patur kurrë modele të paracaktuara femërore për të qenë personazhe në prozat apo poezitë e mia. Tani që po i sjell nëpër mend kalimthi personazhet femërore të letërsisë time, vërej se në të mungojnë krejtësisht gratë shpirtliga, intrigante, mizore. Por, në jetën reale natyrshëm që unë kam njohur plot të tilla ca më nga afër, e ca më nga larg. Nuk kam ndonjë shpjegim pse ato nuk e kanë ngacmuar kurrë imagjinatën time të shkrimtarit deri tani. Ndoshta një ditë do përpiqem edhe unë të krijoj një pasardhëse shqiptare të lady Makbeth.

Duke u përpjekur, megjithatë, t’i jap një përgjigje pyetjes tuaj, ndoshta mund të them, pa zbuluar ndonjë sekret, se në jetën e zakonshme, si çdo burrë i moshës time, kam njohur shumë gra. Por janë fare të pakta ato që kanë arritur të bëhen pjesë e realitetit tim të dytë e më të rëndësishmit, që është realiteti i pasqyruar në prozën dhe në poezinë time. Ju siguroj se këto nuk janë përzgjedhur në mënyrë të vetëdijshme. Ato vetë ia kanë bërë vendin vetes së tyre në këtë realitet. Për herë të parë po përpiqem të kuptoj në çfarë janë dalluar ato.

Shpjegimi më bindës më duket ky: pasi i kam njohur gjatë, te secila prej tyre ka mbetur një mister, ku nuk kam mbërritur dot. Nuk kam në kujtimet e mia përshtypjen se ato kanë synuar të ma fshehin një pjesë të vetes. Përkundrazi. Por ato ishin natyrshëm mistere, enigmë dhe në vazhdim janë bërë pa dijeninë time pjesë e imagjinatës time, ku sigurisht nuk do të ishin më ato të mëparshmet. Ato kanë pësuar ndryshimet e pashmangshme që pëson një krijesë gjatë kalimit nga një jetë në një tjetër. Besoj se i gjithë ky proces shënon përpjekjen time këmbëngulëse për ta zbërthyer enigmën e tyre. Në fakt kam arritur vetëm ta shndërroj enigmën e secilës në një enigmë tjetër, siç ka ndodhur me Ana B. e “Autoportret me teleskop”, për shembull.

(Teksti është fragment nga libri LETRAT E MIA KREDENCIALE/ Besnik Musfataj në një rrëfim me Arta Markun/ Botimet Toena/ 263 fq/ 1000 l.)

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas