Shkrimtarja e njohur vjen për lexuesin me një roman thriller. “Vrasje në kryeministri”, historia e një libri që na çon në një komplot ballkanik
Historia e Beti Dukës, një vajze të re, e të bukur, që i duhet të zbulojë një komplot që është zhvilluar brenda mureve të kryeministrisë, është në qendër të romanit më të ri të shkrimtares Diana Çuli. “Vrasje në kryeministri”, (Botimet Dudaj) sjell një dimension të ri të letërsisë së Çulit, një emër me kontribute në letrat shqipe, atë të letërsisë thriller, shumë pak e lëvruar nga autorët tanë. Me aftësinë e shkrimit, Çuli arrin të të magjepsë me një histori, që orvatet të tregojë dhe një panoramë të Ballkanit të sotëm. Në anketën e fundvitit të bërë nga MapoLetrare, “Vrasje në kryeministri”, u rendit i dyti ndër 10 librat më të lexuar të vitit 2018-të. Më poshtë autorja vjen me një bisedë e cila kërkon të hulumtojë misteret e këtij libri.
Vrasje në kryeministri, romani juaj i dhjetë, kësaj radhe i botuar nga botimet DUDAJ, në një kohë të shkurtër ka arritur një numër të madh lexuesish. Ai doli dhe një nga librat më të rekomanduar në anketimin tonë në MAPO – saktësisht i dyti, pas Kur sunduesit grinden të Ismail Kadaresë. Si e shpjegoni, ju si shkrimtare, këtë tërheqje kaq të menjëhershme?
Unë e kam më të vështirë se ju, lexuesit, që ta shpjegoj. Sepse shkrimtari nuk e di, deri në minutën e fundit, se si do të perceptohet libri që ka shkruar nga lexuesit e tij. Isha tepër e pasigurt kur libri doli në treg, sepse lexuesi ynë nuk është mësuar me thriller-a të shkruar nga autorë shqiptarë, por kryesisht me ata të huaj. Dhe personazhet e dashur janë ata të Dan Brown-it, të Ken Follet-it, Stephen King-ut e të tjerë të famshëm, që përkthehen vazhdimisht tek ne. Pa përmendur paragjykimet që janë krijuar ndaj letërsisë shqipe, e cila diskriminohet në përgjithësi. Për këtë arsye nuk kisha asnjë ide se si do të pritej. Ishte një sfidë e imja, më shumë me veten, pas disa sprovave të hershme dhe të vonshme, si me Hotelin e Drunjtë, nëse do të arrija t’ia dilja mbanë.
Dhe mendoni se po ?
Nga përshtypjet e lexuesve them se kam arritur të zgjidh vështirësitë kryesore : mbajtjen e gjendjes pezull, misterin, kërshërinë. Kjo është kryesorja.
Romani ka patur jehonë të shpejtë edhe në mediat televizive kryesore, ku ju kanë intervistuar paprerë. Madje, njëra nga këto intervista, Vitrina e librit në Top Channel u realizua brenda në- korridoret e kryeministrisë, aty ku sipas subjektit tuaj, u krye vrasja. Ka qenë një synim për të tërhequr vëmendjen?
Nuk e mohoj. E kam thënë dhe në një intervistë tjetër se një nga versionet e titujve, pra Vrasje në kryeministri, nuk më mbushte mendjen, por, pastaj, bashkë me botuesen, e vendosëm. Edhe për arsyet që thashë më lart, për vështirësinë e lexuesit tonë me thriller-at. Dhe, për t’iu përgjigjur drejtpërdrejt pyetjes suaj, ndodhia e vrasjes në kryeministri, pra e vdekjes që dyshohet për vrasje, nuk ka thjesht qëllim tërheqës. Linja e së fshehtës, që zgjidhet në fund, vrasjet e tjera që pasojnë, në vendet e tjera dhe për arsyet që dalin dalëngadalë gjatë shtjellimit të subjektit, e bëjnë të detyrueshme krimin në atë seli. Sepse të shpie logjika e ngjarjeve, ideja kryesore e librit. Që nuk po e shpjegojmë, se i heqim kureshtjen atyre që nuk e kanë lexuar.
Sipas një statistike ndërkombëtare të kohëve të fundit, librat policeskë apo thriller, apo giallo, si e quajnë italianët, përbëjnë sot zhanrin letrar më të lexuar në botë. Si mendoni, cilat janë arsyet e këtij suksesi? A ka patur paragjykime si jo letërsi e dorës së parë?
Po, patjetër. Romani policesk u përhap në mes të shekullit të tetëmbëdhjetë si letërsi e lehtë, prodhim komercial dhe konsumist, por, duke filluar që nga vitet pesëdhjetë të shekullit të 19-të, ky zhanër afirmohet si trashëgimtari më i vendosur i letërsisë së angazhuar, që ridhte si pasojë e reflektimeve filozofike mbi marrëdhëniet e natyrës njerëzore e të gabimeve të saj, të shoqërisë e të luftrave të saj, të politikës e të intrigave të saj.
Në këtë kuadër të gjerë thriller-i i jep dorë shkrimtarit të hulumtojë në gjithfarë skutash shpirtërore, motivesh, psikologjie – madje thriller-i psikologjik gjithashtu sot është shumë i lëvruar – të gjurmojë më të pakapshmen e më të pamundshmen. Nga ana tjetër, për shkak të gjendjes së pezullit dhe të misterit, lexuesi ndihet i përfshirë, i interesuar dhe i motivuar nga sfida që i propozon autori, pra që të ndjekë dhe ai bashkë me dedektivin çështjen e të zbulojë të vërtetën. Po ashtu, vend-ndodhja e krimit ka shumë rëndësi në këtë zhanër. Zakonisht hapësirat janë të mbyllura, dhoma të vogla, ku pak njerëz mund të hyjnë, si është në këtë rast ndërtesa e kryeministrisë dhe zyra e një punonjësi të lartë.
Pra, kjo sfidë që autori ndërmerr bashkë me lexuesin është dhe një lojë enigmash…Por, duke lexuar librin tuaj, më duket se rreth ngjarjes zhvillohet edhe një dramë, e jo vetëm një, siç është përshembull drama e brendshme e dedektives Beti Duka, e cila nuk shpëton dot nga misteri i zhdukjes së prindërve të saj. Që nuk ka lidhje me subjektin kryesor të romanit, por qëndron si re mbi kryet e personazhit kryesor.
Po, është dhe kështu. Thriller-i ka rregullat e tij – është i famshëm Dekalogu Knox, i botuar më 1929, i përpiluar nga Ronald Knox, ku gjenden rregulla strikte, si përshembull: detektivi nuk mund të jetë fajtori. Ose : ngjarjet paranormale duhen përjashtuar nga rrëfimi, etj. Por, nga ana tjetër, zhanri ka evoluar kaq shumë, sidomos në pesëdhjetë vjetët e fundit, – në Perëndim kryesisht – sa, përveç vështirësisë që ka për t’u shkruar, për shkak të formulave logjike, sot ka thriller-a socialë, politikë, psikologjikë, siç thashë, etj. Romani im i përket thriller-it politik, me një prekje të lehtë të atij social.
Përmendët gjendjet pezull, formulën logjike…Vërtet, romani ka gjendje pezull nga fillimi në fund, lexuesi rend të zbulojë jo vetëm fajtorin, por edhe arsyen e këtij komploti që zgjerohet nga faqe në faqe dhe del nga kufijtë e Shqipërisë. Në fillim duket sikur supet e brishta të Beti Dukës nuk do ta mbajnë dot të gjithë peshën e rëndë të gjetjes së të vërtetës, por më pas, kjo përshtypje harrohet. Ka qenë e vështirë mbajtja e këtij regjistri të pezullit, të misterit, që si merimangë hapet gjithnjë e më shumë?
Sigurisht. Ka patur periudha që ngecja, nuk e vazhdoja, se më duhet të gjeja fillin logjik të ngjarjes, se mund të tingëllonte artificiale. Edhe qenia e Betit, grua e re dhe e bukur në mes të kësaj shtjelle gjithnjë e më dramatike e të rëndë, duhej të justifikohej. Duhej që ajo vërtet të ishte nga ata njerëzit me guxim të madh. Dikush nga lexuesit më ka pyetur : Si ka mundësi që një grua e tillë të jetë dedektive ? Dhe unë u përgjigja : por a nuk është një nga tiparet e dedektivit, agjentit, spiunit që të mos kuptohet ? Që të ketë një forcë të brendshme të tillë, të madhe, që të dijë të ndryjë brenda vetes emocionet e detyrës së vërtetë dhe të hiqet si dikush tjetër ? Të pranojë dhe të durojë identitetin e dyfishtë ? Njerëz të tillë ka kudo, në të gjithë botën, pra Beti është një prej tyre.
Ju keni shkuar në zemër të problemeve të sotme politike të Europës, të euroskepticizmit, të populizmit në rritje dhe të erërave të reja e të panjohura, ndoshta të rrezikshme, që po fryjnë në kontinentin tonë e në gadishullin tonë. E keni patur si synim fillestar të trajtonit këtë temë ?
Po. Sigurisht. Kjo ishte tema që doja, por duke e dhënë në një mënyrë letrare.
Libri është si një udhëtim nëpër Ballkan. Hyjmë në qytete të njohur e të panjohur, përshkojmë rrugë të gjata, në dimër e në verë, njohim një pjesë të tij. Ka qenë e qëllimshme?
Mendoj se po, duke dashur të jap ide dytësore, pamje të tjera marrëdhëniesh njerëzore, të flas për Ballkanin jo si perceptohet shpesh nga të tjerët dhe nga vetë ne, por ashtu si është në të vërtetë: ku ka shumë dashuri, shumë bukuri, shumë gjëra të përbashkëta dhe shumë probleme që i shkaktojmë dhe vetë.
Nuk mund të mungonte një histori dashurie, e cila shkakton emocion nga vështirësia që ka për t’u realizuar, nga ethja e dyshimit, nga tërheqja, por edhe nga frika…Për t’u bërë libri më tërheqës?
Pse jo? Por edhe sepse dashuria është pjesë e jetës. Ajo mbin edhe në kontekstin më të papritur e më të pamundur. Kësaj radhe i bie Betit të vuajë dyshimin nëse kjo dashuri mund të realizohet apo jo.
Në këto tre dekada të fundit keni patur një krijimtari të pandërprerë, me romane, vëllime me tregime, drama…Ju kanë munguar vetëm skenarët e filmave. Nuk mendoni t’i riktheheni ? Filmat mbi romanet tuaj, Hije që mbeten pas dhe Rrethi i Kujtesës, shihen me interes sot e kësaj dite. Nuk mendoni t’i riktheheni ?
Mendoj. Edhe kam shkruar. Por është terren shumë më i vështirë e më i ndërlikuar se ai i librit. Por, nuk i dihet.
Këtë vit Dreri i trotuareve mbush tridhjetë vjet që është botuar për herë të parë. Çfarë ndjesie ju shkakton që lexuesit jo vetëm nuk e kanë harruar, por edhe e lexojnë vazhdimisht ?
Një dashuri e dhimbshme është Dreri për mua. Sepse pati histori të vështirë botimi dhe kur u botua, ishte në prag të ndryshimeve. Unë e harrova atë libër, sepse në vitet e para ’90 nuk kishte as librari. Por ndërkohë ai jetonte dhe jetoi përmes lexuesve. Tani e dua më shumë se më parë, që doja të shkëputesha prej jehonës së tij dhe të shkruaja libra të tjerë.
Do të vazhdoni me thriller-in?
Po. Do të vazhdoj. Pa hequr dorë nga zhanri tjetër, jo thriller, që kam lëvruar përherë.