Mbi romanin “Djalli komik” të Zija Çelës
Nga Ali Aliu
1.
Nga cilado perspektivë t’i qasesh, shkrimtari Zija Çela vjen dhe të shfaqet i veçantë, shumëfish i dallueshëm në prozën romanore të shqipes. Si natyrë krijuese, ai është një stoik i lindur, i denjë për admirim. Autor me poetikë të përveçme narrative që, duke përftuar shkollave më të qëndrueshme shkrimore, lë shenjën e tij me penën e vet emblematike. Shkrimtar me bindje e filozofi që shtrihet dhe bën për vete hapësira andej e këndej Akeronit, që zbut e përnjerëzon acarime, që familjarizon jetë-vdekjen me një natyrshmëri antike, dhe gjithandej me këmbë Anteu në truallin arbëror, sot e mot e përtej.
Zija Çela është përkushtimtar i ethshëm i krijimtarisë letrare, jo si qëllim më vete, por për ta bërë botën rreth e qark më njerëzore. Ky është vizioni, të cilit ai i beson. Dhe prandaj, në statusin e shkrimtarit, vazhdon t’i japë gurit përpjetë si një vigan, edhe pse i brishtë fizikisht e tashmë atyre shtigjeve, që i ngushton mosha e tretë. Pasioni i kësaj natyre krijuese i ngjan një vrapi të përhershëm drejt ndërtimit të përmendores së vet krijuese me tipare njerëzore. Dhe është i vendosur në të vërtetën e vet, i bindur se ajo, vepra e tij, vihet në shërbim të përsosjes së botës arbërore, në mbrojtje të saj nga e keqja e ligësia. Vetëm një pasion i tillë krijues, natyrë e të mëdhenjve, e mban Zija Çelën në studion e tij të punës në një përditshmëri krijimtarie të pandërprerë.
Përse me kaq stoicizëm i qëndron ngasjes në këtë lëmi shpirtërore shkrimtari Zija Çela që, me një ritëm të rrallë, sapo dorëzon për shtyp një roman fillon projektin e ri, i cili, siç ka pohuar në intervista, zë e ngjizet gjatë përmbylljes së romanit që ka në dorë? Mos, vallë, beson thellësisht se misioni i tij do ndikojë në ndreqjen e botës njerëzore, apo thjesht për ta çliruar shpirtin nga brenga e madhe për të? Po të mos i besonte së parës, autori mbase nuk do të gjente paqe për vete, çka do të thotë se të dyja ngasjet në rastin e Zija Çelës plotësojnë njëra-tjetrën.
Në këtë frymë është edhe prirja e Zija Çelës për të qëndruar pranë lexuesit, meqë ai me të drejtë beson se kauzën e kanë të përbashkët, synimin që edhe konsumuesi i artit të bëhet sa më human. Këtë frymë ka ai edhe në filozofinë e jetës së përditshme. Ata që e njohin, ata që janë më pranë tij, pajtohen kur thuhet se Çela edhe si krijues, edhe si njeri qëndron në harmoni të përsosur. Është natyrë e afërt, e dashur, miqësore, por i rreptë ndaj vetes.
2.
Ngjarja në romanin “Djalli komik”, më i riu i Zija Çelës, zhvillohet në qytetin metaforik me emrin Horketa, i cili një ditë prej ditësh do të gdhihet me një sëmundje të frikshme të quajtur paralizë. Në fillim, sëmundja që rrezikon të shtrihet këmbëkryq mbi tërë qytetin-shtet, befasisht do të godasë qytetarë të rastit, gati-gati si mallkim qiellor. Kështu hapet rrëfimi, i cili pas shfaqjes të kësaj epidemie, vihet në kërkim të prejardhjes, të parashenjave të sëmundjes, të burimeve e shkaktarëve, që mund të jenë të jashtëm apo të brendshëm, etj. Fillon kështu rruga e narracionit, për të nxjerrë në shesh tërë atë, që shumë qytetarë e kanë mbajtur të fshehur përpara rrezikut të sëmundjes, e cila i godet pa paralajmërim, në gjumë a në punë, në zyrë a në supermarket, në ecje apo në kafene. Po cila është sëmundja? Një paralizë e pjesshme ose e përgjithshme, ngrirja e ndonjë gjymtyre ose e tërë trupit. Lemeria e parë nis e zbutet dhe, nga një kërcënim apokaliptik, narratori fillon ta menaxhojë atmosferën, herë duke e kthyer në një gjysmë teatri, në një gjysmë loje të rrezikshme ku ndihet athtira e gjakut, herë duke vënë në kandar peshën e mëkatit të secilit, mëkatin e bërë apo të menduar, gjithnjë me synimin që të nxjerrë sa më shumë lëndë nga nërçet, ku e fusin veten individët dhe komunitetet njerëzore.
Në një nga shkrimet e mia, vite përpara, për prozën romanore dhe tregimtare të Zija Çelës pata thënë: “Gjetjet e veçanta dhe të guximshme, me trajtime e kumte plot risi, personazhet fiktive dhe reale, emërtimet kuptimplote gjeografike, pasazhet eseistike dhe përsiatjet për vepra e autorë realë, sentencat dhe fjalët e urta nga tradita gojore që përzgjidhen sa me masë e po aq në funksion artistik, spikama e menjëhershme dhe e dendur, elementet ndërtekstuale të lidhjeve të jashtme dhe të brendshme, të zgjuara e të fjetura, të zëshme dhe të heshtura mes korpusit të madh të personazheve, që gëlojnë si zgjua në prozën e tij, e bëjnë atë, poetikën narrative të Çelës, me fondament narrativ sa klasik realist, po aq me premisa burimore magjike drejt trendeve moderne e pasmoderne.” Në këtë qasje mund të përfshihet edhe romani “Djalli komik”.
Rrëfimi i ngjarjes në “Djalli komik” i ka piketat bartëse të vendosura saktësisht: paraliza që godet Horketën shqiptare, përpushjet e saj nën presionin e frikës që nxjerr në sipërfaqe botën, frymën, shpirtin e vet. Horketa shqiptare përbën profilin e një universi njerëzor, që me mjeshtëri dhe finesë emblematike autori do ta lëvizë tërë atë botë drejt një prirjeje humane vetëpastruese. Njerëzit dhe veprimet e shumta të tyre janë ato që e mbushin skeletin, fabulën, që sa është e kapshme aq edhe evazive, që shfaqet si shkas për inventarizimin e botës që e dimë dhe nuk e dimë në përmasa të atilla, siç paraqitet Horketa. Dhe jo vetëm personazhet, por edhe çdo shenjë, gjurmë e tyre, firma e adresa, dyqane, kafe e zyra, rrugë, sheshe e lagje, nofka a nishane trupore, virtyte dhe vese, që shtrihen në çdo cep publik apo të fshehur, vijnë në roman për ta bërë sa më të kapshëm ambientin, frymën dhe shpirtin e qytetit metaforik e alegorik. Pikërisht kur i afrohesh atij realiteti, familjarizohesh me të, me materien alegorike të tij, atëherë edhe si lexues natyrshëm e ndien se është përfshirë edhe përditshmëria jote.Toka dhe hapësira nëpër të cilën lëviz rrëfimtari bashkë me lexuesin, janë reale dhe ëndërrore, ashtu si njerëzit, si bëmat e tyre. Ndodh që e njëjta ngjarje rrëfehet versionesh të ndryshme nga dëshmitarë të ndryshëm, me frymën rashomoniade, ku tërthorazi besohet se nuk ekziston e vërteta absolute. Edhe sëmundja e paralizës, rrethanat e saj, origjina, arsyet, qëndrojnë sa reale, sa pezull, sa groteske, ngasje dhe injektim konstant për të mos lënë cep të qytetit pa e nxjerrë në tregun e përditshëm, në funksion të portretit të kompletuar të Horketës.
3.
Poetika narrative e Zija Çelës në këtë rast, nga tradita realiste klasike, parapëlqen narratorin sovran që sheh, dëgjon dhe regjistron çfarë ndodh zëshëm apo heshturazi, duke depërtuar nën sipërfaqe e nëpër qiej dhe, njëkohësisht, duke ardhur e hapur ndaj trendeve më bashkëkohore. Ajo është përjashtimisht e veçantë dhe e papërsëritshme, me prirje të jetë edhe realiste e mirëfilltë, por në vend të ngritjes monumentale të ambientit, të karaktereve, peizazheve, Zija Çela e thur sfondin e vet narrativ, para së gjithash, duke përfshirë një korpus marramendës personazhesh. Kjo është shtylla e parë mbështetëse. E vijnë pastaj denduria e detajeve, digresionet përplasëse dhe të pleksura deri në pafundësi, përshkallëzimi i konkliktit që e mban gjallë tërheqjen gjatë leximit, përvijimi në rrathë koncentrikë i kompozicionit, energjia e vazhdueshme e narracionit, etj., shtylla këto që e bëjnë emblematike natyrën krijuese të Zija Çelës, sidomos në ciklin e romaneve nga “Las Varrezas” e në vazhdim. E vërshojnë nga të gjitha drejtimet rrëfimin, bashkë me personazhet që mbushin sheshet e hapësirat e Horketës, duke qenë secili më i personalizuari, më kryesori, më i fisshmi apo më i ndërkryeri në hapësirën e qytetit metaforë. Është rrëfimtari ai që i mban nën kontroll fijet e korpusit të madh të personazheve, është ai që i lëviz ato me precizion të përsosur. Lexuesi, ai i mësuari me këtë shkollë narrative, e ka të qartë se pa ecur me vëmendje të përqendruar brenda këtij universi raportesh të pleksura mes personazheve, nuk mund të përkapet e plotë dhe në thellësi bota aq shumë ngjyrëshe në romanet e Zija Çelës. Është për admirim memoria e narratorit që edhe personazhin më anësor, të cilin të duket sikur e “harron” dhe e lë në skaj të udhëtimit, e rishfaq pas ecjes së gjatë, pas dhjetëra a qindra faqesh. Dhe e risjell absolutisht me atë shenjë dalluese fillestare, me ato kujtime e pengje, me ato mbresa nga takimet e shkuara, kur është ndarë nga të tjerët me një buzëqeshje miqësore apo të shtirë, një shikim të shtrembër a një mospërfillje e çastit prej bashkëqytetarëve. Intensiteti emocional, refleksi estetik, kuptimor dhe filozofik është aromë e kësaj veçantie narrative, e këtij mozaiku të përsosur, ngjyrat e të cilit shfaqen, fshihen e rishfaqen pandërprerë gjatë rrëfimit, duke mos humbur asgjë karakterizuese nga personazhet dhe bëmat e tyre, por përkundrazi duke i pasuruar në vijimësi. Të gjitha lëvizjet mes personazheve në sagën romanore të Zija Çelës, brenda së cilës kush dhe sekush është nun, nip a krushk, është kunat, ortak në biznes apo në kumar, kush me kë, kush kundër kujt, kush ziliqar, kush me cilin i lidhur sërish dhe i prishur sërish, kështu ditë e përditë në rrëfimin romanor të tij dhe asnjëri të mos shfaqet jashtë thelbit të vet, të cilin ia mban nën vëzhgim sovrani nga e para.
Do të mjaftonte vetëm mëkati, që tregon njëri nga personazhet kryesor të romanit (Danieli) lidhur me shpendët shtegtarë që i shfarosin gjuetarët e Horketës, për të qenë i përligjshëm mallkimi dhe sëmundja e paralizës që e përfshin qytetin. Megjithatë, nuk është mëkati i vetëm, as më kryesori. Për më shumë, ai duket si mëkat i pafajshëm, meqë, me elegancë, nuk i faturohet personalisht asnjë horketasi. Sepse, duke qenë i të gjithëve, mbetet i askujt. Por ethet që e mbërthejnë qytetin nga shfaqja e sëmundjes fillojnë këmba-këmbës të nxjerrin në sipërfaqe mëkatet e secilit, që janë deri në pambarim. Edhe në romanin “Djalli komik”, në këtë lumë (sa të pastër e të turbullt bashkë) virtytesh dhe vesesh, ndaj të cilave narratori në mënyrë konstante është i paanshëm, i përmbajtur, i kontrolluar në miratimin dhe refuzimin e tyre, në simpatitë dhe antipatitë, meqë ai thjesht ia servir lexuesit ashtu siç janë, lexuesi do të krijojë një përfytyrim mbi portretin dhe karakterin e qytetit-shtet. Këtë e ka objektiv të parë poetika narrative e romanit “Djalli komik”. Siç ka adresimin e atributeve, të cilat personazhet i faturojnë njëri-tjetrit dhe që narratori i sjell absolutisht siç ia zë veshi dhe syri. Syri dhe veshi përherë të zgjuar, për të përzgjedhur brenda shiritit tregimtar nga bollëku që të lë pa frymë, qoftë virtytet e qoftë veset, që në veprën e këtij autori qëndrojnë pranë e pranë, në mos përbrenda së tërës, gjithnjë në mbizotërim të theksuar të virtyteve. Edhe mosdurimi, edhe mëritë mes qytetarëve në ambientet romanore të këtij shkrimtari ngjizen e ecin me prirje njerëzore, me prirje për t’u vetëpërmbajtur nga akte dhe konflikte armiqësore të përmasave, që nuk lënë fare shteg për mirëkuptim, pajtim apo pastrim.
4.
Që në hapjen e këtij cikli romanesh me veprën “Las Varrezas”, autori vihet në kërkim të një formule për jetën, në kërkim të një kuptimi dhe të një rregullatori në jetën tonë. Në kërkim të një balance mes prirjes së njeriut për mirësi dhe ligësi njëherësh, në kërkim të një përsosjeje kur njeriut më parë do t’ia zinte goja t’i thoshte njeriut “unë vdes për ty”, sesa “ti vdes për mua”. Në veprën romanore të Çelës që të dyja prirjet e kanë së bashku folenë në qenien Njeri, nisur që nga binjakët biblikë, ku bota do të ishte zhbërë sikur të dy prirjet e kundërta të vepronin barazisht në universin njerëzor. Formula jetësore në veprën e Zija Çelës funksionon përmes përfshirjes së galerisë së larmishme të personazheve, që duhen ndier si frymë e shumësisë së zërave, të cilat vijnë nga shtresa e perspektiva të ndryshme, statuse e filozofi të ndryshme, vijnë me prirje pozitive a regresive, por që edhe atëherë kur mëkatnojnë nuk kalojnë përtej një tavani. Edhe kur duket, të paktën në mëtime, si më i madhi mëkat në veprimin e personazhit, autori sikur i lë një shteg të mundshëm për pendesë. Në të vërtetë, janë të rralla karakteret pa mundësi pastrimi. Është vizion krijues, është vizion filozofik ky që e përshkon tërë prozën e Zija Çelës. Aty rrezaton një fluid i hollë i brendshëm, një besim se të kundërtat, virtytet e veset bashkë, në ndeshje me njëra-tjetrën mund të çojnë drejt një institucioni të veçantë, atij autorial, institucionit të nderimit të vlerave.
Te romani “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, prirjen përmbysëse që sjell ligësia e zhvillon deri buzë humnere, e megjithatë aty e ndal. Sovrani që i mban në dorë frerët, provon t’i zbusë prirjet e tilla të personazheve dhe një ditë t’i vërë në funksion të kauzës së progresit, edhe pse Horketa shqiptare sot nuk para ka veshë për të dëgjuar. Autori shkëlqen me elegancë në përzgjedhjen e detajeve, edhe të atyre që në shikim të parë ngjajnë të parëndësishme, por që funksionalizojnë objektivin. Vetëpërmbajtja edhe përballë situatave të papranueshme, është frymë, aromë, prani e përhershme, është thelbi, urti që rrezaton nga proza e Çelës. Poetika që është konstante në krijimtarinë e Çelës, e arrin këtë vizion të botës aktuale edhe përmes puhisë së lehtë të magjikes, brenda së cilës shumësia e personazheve lihet si në një rënie të lirë, sipas një vetorientimi të brendshëm, i natyrshëm dhe i besueshëm për lexuesin të dallojë të mirën dhe të ligën. Tehu i hollë mes tyre mund të duket si qëndrim jo i prerë i autorit. Por ndërkaq është ironia e hollë ajo që e vendos sinorin mes tyre. Shkëlqen sidomos kur ndjell e zë çaste të ndërmjetme, as zgjim as kotje, as dehje as kthjelltësi, fluiditet që luhatet mes reales dhe fiksionit me sfond magjik e nëntekst alegorik. Zëri i tillë urtak përfton diskrecion estetik në përkrahje të përbashkimit drejt formulës së jetës, si një fill i gjithëhershëm që hollohet, por s’këputet kurrë. Medalion i tillë narrativ te “Djalli Komik” është rrëfimi i Sarës, rrëfim që ka shkëlqimin e përzgjedhjes së detajeve, ka masën, vetëpërmbajtjen e shpërthimeve, pastërtinë, veçorinë e artikulimit, të shprehjes, penetrimin denoncues por të shëndetshëm të ligësisë.
Natyrisht, shërimin e horketasve nga lëngatat autori e sheh përtej kohës së vet, përtej realitetit shqiptar që e rrethon. Gjatë leximit ndihet fryma universale, kalimi edhe në “tokën e Tjetrit”, pra te simbolika e problemeve të sotme europiane apo më gjerë. Dhe kaq i ndjeshëm është paralelizmi në ngjizjen e ngjarjeve, sa te “Djalli Komik” nuk mungojnë as Rajoni i Bashkuar, as refugjatët sirianë, as brexit e autoritarizmi, madje as ngritja e mureve. Janë rrokje të realitetit dhe të imagjinatës së Çelës, ngjashëm me atë që ëndërron Jari Kaçinari tek romani i tij “SOS, një buzëqeshje”. Është mrekullia që e admiron lexuesi, pasioni për të bërë dikë të lumtur, qoftë edhe për një çast… Kryepersonazhi i “SOS-it”, djaloshi Jari Kaçinari, i cili ka dhuntinë për ta përcjellë buzëqeshjen edhe në largësi kilometrike, ngjan me një Orfe të rilindur, që ka dhuntinë qiellore për t’u ndier detyrues ndaj të tjerëve, duke synuar harmoninë e komunitetit, natyrës dhe perëndive brenda universit njerëzor.
5.
Në secilën nga veprat Çela zgjedh shteg dhe qasje alternative, poetikë që mbështetet mbi përvoja të mëdha e që vjen kërkesë realitetesh të reja. Gjatë gjithë udhëtimit letrar ai ka me vete dhe në shoqërim dëgjuesin, përkatësisht lexuesin. I bart bashkë, rrëfimtarin dhe lexuesin që rrahin të pajtohen, të përputhen në perspektivë dhe perceptim. Arrin lexuesi i tij ta përfytyrojë plotësisht botën e rrëfyer nga dytësi i autorit, narratori? Është thënë me të drejtë se nuk ekziston përputhje ideale mes tyre. Narratori e ka objektiv të parë t’ia ofrojë sa më të plotë e sa më të qartë atë botë. Në rastin e poetikës romanore të Çelës vërehet se autori parapëlqen të dëgjohet nga një lexues i përzgjedhur, kompetent për të depërtuar thellësisht në kodet narrative të autorit, në botëkuptimin dhe filozofinë e tij. Edhe ndërhyrja e rrallë e autorit me emrin e tij të plotë si personazh (Zija Çela apo Z. Çela), duket si shtysë mes komunikimit të dy zërave të tij, dhe shfaqet vetëm kur bëhet fjalë për diç madhore, përtej një realiteti të ngushtë, por universalisht reflektues.
Arti letrar gjatë gjithë shtigjeve shekullore rreh ta zbërthejë jetën, botën e njeriut, atë thelb që Zija Çela, në mënyrën e tij, e ka përcjellë prej shumë vitesh më parë nëpërmjet tregimit antologjik “Formula e jetës”. Të gjithë krijuesit, në të vërtetë, mëtojnë ta njohin veten dhe kuptimin Njeri.
Këtë bën Servantesi, i cili iluzionin e njerëzimit e ngre në shkallë domosdoje, baraz me ajrin. Valët që sfidojnë këtë iluzion të tij në jetë janë rrugët drejt njohjes, vetënjohjes. Këtë bën Dostojevski duke provokuar qenien njeri përmes krimit, përmes pastrimit, përmes pasqyrës, ku i vë përballë vëllezërit deri në absurd, gjithnjë për të ndriçuar çdo skutë misteri në thelbin e natyrës së njeriut. Erazmo Roterdami rreh ta bëjë këtë përmes kuriozitetit të të marrit; Kafka përmes përballjes me absurdin. Bota poetike antike, që nga Eskili, duke ia falur njeriut mjetin çudibërës në jetë, zjarrin e shpresës; Dante përmes ferr-parajsës nën tokë rreh ta nxjerrë njeriun të lakuriqëzuar në dritë të diellit, Gëte bën “pakt” me djallin për të përgjuar misterin njeri. Por kërkimet në këtë vazhdë do të vazhdojnë me ngjitje e rrokullisje pa mbarim, sepse aspirantët këtë punë bëjnë, ata mbajnë mbi kurriz gurin sizifian.
Por cili është shtegu poetik i Zija Çelës në kërkim të kësaj formule? Sado njerëzit duken të shpërndarë në hapësirën narrative të tij, sado të mëvetshëm, shpesh edhe të rebeluar, secili me mendjen dhe synimin e vet, në rrëfimet romanore të autorit ndihet një frymë kohezive, që i mban të gjithë bashkë. I hyjnë të gjithë në punë drejt vizionit prijës. Ai është i vetëdijshëm se një strategu të madh lufte, qysh para betejës së radhës jo vetëm i hyjnë në punë të gjithë, jo vetëm janë vendimtarë për ta fituar betejën, por pa këtë tërësi as mund të niset drejt betejës. Është një lidhje e brendshme në këtë poetikë narrative, është një magji tërheqëse e pashpallur mes njerëzve në veprën e Zija Çelës, që qëndron mbi të gjitha bëmat, mbi të gjitha ngasjet, qofshin ato me prirje të mirë e qofshin me prirje të mbrapshtë. Është një zë, një tingull melodik, ngjashëm me atë të Orfeut, që bën bashkë natyrë dhe njerëz, që zbut krijesa paqësore dhe grabitqare, formulë qiellore e Orfeut për botën e përsosur. E tillë është magjia e buzëqeshjes së djaloshit tek romani “SOS një buzëqeshje”, është melodi që i jep shpirt komunitetit njerëzor, i tillë është Princi i buzëqeshjes, të tillë fëmijët me flatra engjëllore, të tillë zogjtë që bëjnë bashkë copëzat e armiqësuara të qiellit shqiptar. E njeh, e ndien Zija Çela prirjen, hovin e pranishëm gjithandej të rrezikut drejt degradimit të vlerave. Është kjo parandjenjë që shkakton pagjumësinë krijuese të tij, ngasjen për t’i vënë digë asaj, duke gjeneruar dhe ushqyer energji pozitive. Vizioni dhe zëri i tij i pranishëm si fuqi etike dhe estetike i nxit vlerat drejt rritjes dhe veset drejt pastrimit. Për këtë rrezatim të brendshëm, të artikuluar me art të madh letrar, është i ethshëm shkrimtari Zija Çela.