Kryesore

MAPO LETRARE/ Leka Bungo sjell dramën e artistit në një libër




               Publikuar në : 09:32 - 02/02/19 |
mapo.al

U promovua në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës romani “Testamenti” me autor Leka Bungon, botimet UET PRESS


“Njerëzit bëhen shkrimtarë nga dëshira për t’u bërë të famshëm, nga makutëria për të fituar para, ose të frymëzuar nga ideale të larta. Unë nuk hy as te të parët, as te të dytët! Mirëpo veprat e njerëzve si puna ime që nuk kanë bërë emër në fushën e letrave, zënë pluhur në vitrinat e librarive, sepse nuk i njeh njeri…”. Kështu shprehet Lefteri, rrëfimtari në romanin “Testamenti”, me autor Leka Bungon, duke paralajmëruar lexuesin se kjo vepër nuk është një ditar i zakonshëm. I njohur për kontributet e tij në fushën e kinematografisë dhe teatrit shqip, UET PRESS na prezantoi një anë tjetër të Leka Bungos, atë të shkrimtarit. Në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës është promovuar romanin i tij i parë, të cilin ai pëlqen ta quajë një kapriçio, mes njerëzve të librit dhe të kulturës. “Në këtë vepër, ashtu si në të gjithë krijimtarinë e Leka Bungos ndjehet satira, mënyra elegante për të depërtuar në probleme të ndjeshme të shoqërisë sot. Në qendër të librit është drama e artistit në rrugëtimin për ta parë jetën përmes artit”, shprehet Alda Bardhyli, drejtore e UET PRESS. Stilin dhe historinë e romanit e vlerësuan dhe Bujar Kapexhiu dhe Mirela Oktrova. Për vetë autorin, ky libër është një lloj testamenti, i cili mban rrugëtimin e një jete dhe pse do të jetë takimi i fundit me letërsinë. ”Gjatë këtyre pesëdhjetë viteve Leka ka shkruar dhjetëra drama radiodrama, i ka vënë në skenë, i ka regjistruar në radio … Tradicionale.Po këtë radhë ka bërë diçka të jashtëzakonshme. Në stilin që e kishte brenda vetes po e kishte harruar(!) rrugës. Libri që unë e lexova në printshkrim më befasoi. Është një libër me një fantazi të çmendur që shkon deri në absurd. Testamentshkruesi me emrin Luftar apo Tar për shkurt, i ka humb kontaktet me botën reale, fantazia e tij është e pazakontë, groteske, madhështore, absurde, idioteske … “Shpesh një të panjohur, i cili nuk ka asnjë mëritë, vetëvrasja e bën të njohur, madje të famshëm. Një plak rreth të tetëdhjetave u gjet i varur në kuzhinën e apartamentit. Poshtë fanellës së leshtë kishte fshehur Testamentin e shkruar me laps kopjativ, në faqet e të cilit është i fshehur edhe misteri i vetëvrasjes.”M’u kujtua Don Kishoti. M’u kujtua edhe Baroni Mulchausen. Dhe e bukura është se të gjithë të çmendurit e Luftarit apo Tarit janë të besueshëm, rrjedhin natyrshëm paçka se janë idioteskë e të çmendur.  Ironi dhe sarkazëm ka nga kreu e deri në fund. Është një libër i veçantë nga ana stilistike, ndryshe çfarë jemi mësuar të lexojmë. Kur e lexon të vjen të qeshësh me budallallëqet e Luftëtarit, po nganjëherë edhe të dhimbset, gjynah i shkreti si është katandisë”, shkruan për këtë libër Rikard Ljarja.

Që në faqet e para shkrimi i Lekës ka aftësinë e librave të shkruar mirë, që të rrëmbejnë në lexim. Kështu historia e një shkrimtari që do të botojë veprën e tij, do t’ju bëjë të mos e lëshoni librin nga dora, për të humbur në një jetë aspak të zakonshme, ku shpaloset Shqipëria e së shkuarës dhe e së tashmes.

 

“TESTAMENTI”

Nga Leka Bungo*

 Në vend të hyrjes për lexuesin.

“Njerëzit bëhen shkrimtarë nga dëshira për t’u bërë të famshëm, nga makutëria për të fituar para, ose të frymëzuar nga ideale të larta. Unë nuk hy as te të parët, as te të dytët! Mirëpo veprat e njerëzve si puna ime që nuk kanë bërë emër në fushën e letrave, zënë pluhur në vitrinat e librarive, sepse nuk i njeh njeri. Kjo është arsyeja që vendosa të bëj atë që nuk arrita ta bëja pesëdhjetë vjet më parë. Luftova dhëmb për dhëmb me armiqtë e këtij vendi, por nuk ish thënë që plumbi të më merrte në lule të ballit, të bija në fushën e betejës bashkë me njëzet e tetë mijë të tjerët që edhe trupi im të prehej në tokë me ta në kodrat e Tiranës, pranë monumentit ‘Nënë Shqipëri’.”

Befas u kujtua që më parë duhej t’i shkruante dy fjalë atyre të shtëpisë botuese. Grisi ç’kish shkruar dhe nisi nga e para:

“Shokë të ‘Qiriut të pashuar’. Duke lënë modestinë mënjanë, ju siguroj se botimi i ‘Testamentit’ nuk do të jetë vetëm sukses i autorit. Ai do ta bëjë emrin e shtëpisë suaj botuese të njohur edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Në krye të herës më duhet t’ju kërkoj ndjesë, sepse do ta kem të pamundur t’jua sjell veprën në redaksi. Kjo thjesht ngaqë do të kem vdekur, ose me fjalë të tjera do të kem vrarë veten. Në ditët tona vrasjet janë bërë të zakonshme dhe s’bëjnë përshtypje te njerëzit, ndërsa vetëvrasjet bëjnë bujë, sepse janë më të

rralla. Vetëvrasja është një nga ushqimet më të preferuara për gazetat dhe ekranet e televizioneve, ajo ngjall kureshtjen e njerëzve. Shpesh një të panjohur, i cili nuk ka asnjë meritë, vetëvrasja e bën të njohur, madje të famshëm. Një plak rreth të tetëdhjetave u gjet i varur në kuzhinën e apartamentit. Poshtë fanellës së leshtë kish fshehur ‘Testamentin’ e shkruar me laps kopjativ, në faqet e të cilit është i fshehur edhe misteri i vetëvrasjes.

Një lajm i tillë në faqet e shtypit dhe ekranet e televizioneve do të ngjallë kureshtjen te njerëzit dhe ata do të vërsulen drejt librarive për të blerë ‘Testamentin’ tim.

Shokë të ‘Qiriut të pashuar’, shënimet në blloqe, fletore dhe copëra letrash i kam ruajtur për vite me radhë në valixhen time të vjetër dhe do t’i hedh në faqet e këtij Testamenti pa u hequr asnjë presje. Pas botimit dhe sidomos pas përkthimit në gjuhë të huaja, ju garantoj se as Europa dhe as Amerika nuk do të flasin përçart për gjoja ‘krimet’ e komunizmit. Ndërsa shqiptarucët që kanë hedhur baltë mbi historinë e popullit do të ulin kokën nga turpi.

Kjo është arsyeja pse valixhja ime e vjetër është gjëja më e shtrenjtë që kam. Brenda saj jam unë, fëmijët, gratë, është populli, brenda valixhes sime të vjetër është atdheu dhe historia e tij e lavdishme. Ndaj edhe kam vendosur që Testamentin, i cili është e vetmja pronë që kam, mos t’ua lë trashëgim as fëmijëve, as nipërve, as të afërmve, as miqve, por popullit …”

Dora iu ndal një çast. Sytë i shkuan përsëri te laku i litarit që lëkundej: “Largohem nga kjo jetë i bindur se kur ta lexojnë ‘Testamentin’, njerëzit do ta zhvarrosin trupin tim nga Shish Tufina dhe nën breshërinë armëve do ta rivarrosin të ‘Nëna Shqipëri’. Kështu që, nga njëzet e tetë mijë, numri i të rënëve për atdheun do të shkojë në njëzet e tetë mijë e një.

Të nderuar shokë të ‘Qiriut të pashuar’, rreshtat e fundit të kësaj letre janë thirrja që del nga shpirti i një të moshuari, i cili do edhe katër muaj të mbushë tetëdhjetë vjet. Në qoftë se u ka mbetur gjak shqiptari dhe u dhemb zemra kur shihni që atdheu i tradhtarëve Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, të cilët luftuan kundër armiqve të vendit derisa na sollën lirinë lëngon ditë e natë, bëjeni të mundur botimin e këtij Testamenti.

Shënim i fundit.

Në qoftë se gjatë këtij shkrimi hasni lajthitje në emra apo data të ndryshme, mos i vini rëndësi dhe mos merrni mundimin t’i redaktoni. Lexuesi ynë është i ngritur dhe i bën ndryshimet me mendjen e tij.”

Befas ngrihet me rrëmbim, zbërthen pantallonat dhe vrapon për në banjë …

(Pjesë nga libri)


Etiketa: , , , ,

loading...

loading...
KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas