“Tutori” është romani më i ri nga Mimoza Ahmeti nën logon e Mapoedition. Libri i bashkangjitet botimeve të reja që do të jenë në stendën e UET PRESS gjatë panairit të 21 të Librit që hap siparin më 14 nëntor në Pallatin e Kongreve
“Kjo do të qe historia më rrëqethëse e jetës. I gjithë pikëllimi nuk është për atë që ngjau, por përse jeta ime duhej të kishte qoftë edhe një ngjarje? Bëra çmos të mos futesha në hullinë njerëzore të historive, por më pas u ngushëllova se, së paku, ky rrëfim do të qe diçka më vete. Megjithëse them rrëfim, ngjarja degradoi vërtet në një antirrëfim, në një subjekt antihistorik. Por, edhe pse antihistorik, nuk mund të mos qe i irrituar, d.m.th histerik, dhe tani vij në përfundimin se gjithë histeria njerëzore nuk është veçse një thirrje e pandërgjegjshme e psikikës për të shpëtuar nga historia. E ku mund të gjesh një perfeksion pa tërheqje? Po edhe sikur, siç bëra unë, me një perfeksion natyral, pa kurrfarë tërheqjeje, i pafalshëm mbetet tentimi…”.
Kështu nis romani më i ri i poetes dhe shkrimtares Mimoza Ahmeti, një rrëfim poetik i individit dhe i përpjekjes së tij të përhershme për ta gjetur zgjedhjen tek dashuria. Nën titullin “Tutori” e logon e Mapoedition libri pati promovimin dje në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës nën praninë e shumë personazheve të njohur të botës kulturore në qytet. Libri shoqërohet me parathënie nga kritiku dhe studiuesi Aurel Plasari i cili evidenton se “Tutori nuk do të jetë roman që lexohet si të lehtët”.
“Ashtu si te romani i parë i autores, Arkitrau (në italisht: Persone belle), ose tek i dyti, Gruaja halucinante (në gjermanisht: Milchkuss), dhe te Tutori ndeshesh me iluzionin e asaj që quhet prozë autoreferenciale. Pra mund të gënjehesh. Sepse në të tri romanet e autores operohet me një skenar të menduar mirë fantastik dhe/ose parodik. Parodizimi i rrëfimit romantik është i pari. Si e zbritur nga lartësitë e antiromanit, autorja rezulton e vetëdijshme që rrëfimi i saj nuk qenkësh veçse “antirrëfim”. Dhe në një antirrëfim të tillë tekstet funksionojnë si lojë ikjeje: nga realja në fiksion dhe, vetëkuptohet, nga fiksioni te realja. Si për ta përforcuar edhe më sugjestionin e njëkohësisë, edhe zhvendosja nga fiksioni në fiksion ndodh rëndom në tekstet e autores”,shkruan Plasari. “Në qëndër të librit është historia e një gruaje në luftë me trazimin e saj të brëndshëm. Në raportin e saj me dy burrave të dashurit imagjinar dhe atij real ajo zbulon një nga një një botë të pafundme shqetësimesh e kërkimesh që e bëjnë atë një personazh të rrallë në historinë e letrave shqipe që nuk e ka elaboruar shumë psikikën femërore. Nga ana tjetër do ta quaja dhe një libër politik, pasi në thelb kemi një idivid produkt të këtij kaosi social e politik që jetojmë”, tha Alda Bardhyli. Për shkrimtarin Ylljet Aliçka, Mimoza Ahmeti është një poete e lindur, është shkrimtare e surprizave dhe del gjithmonë atje ku nuk e pret. “Mimoza Ahmeti është polivalente dhe nganëjherë qortimi bën vlerë më shumë se sa lëvdata. Poezia e saj do të mbahet mend në mozaikun e letërsisë shqipe”, u shpeh Aliçka. Vetë Mimoza Ahmeti u shpreh se ky libër fillon në vitin ’94 dhe mbaron në vitin 2017 dhe mbetet një çlirim shpirtëror sepse kontekstet kuptimore, duam apo sduam ne rëndojnë mbi shpirtin e njeriut. ”Jemi shumë të lodhur nga literaturat që krijojnë direksione. Ky libër, ky roman është e tëra perceptive ku elementet e fiksionit, koshienca aty nuk dallon dot midis personazheve të kulturës, personazheve të jetës, personazheve të dëshirës, pra është një miks i virtualitetit ku jeton truri dhe e ka të vështirë që në realitet të bëjë dallimin e reales nga jo realja. Atëherë them që ajo poetika e këtij libri do ti japë jetëgjatësi këtij romani dhe besoj që ajo çka e sintetizon, është subjekti. Romanet tona janë romane të cilat horizontojnë sistemin dhe shkojnë krah për krah tij me disa diskurse të vogla subjektive. Kemi një tranzicion që spo merr fund në vendin tonë, ka lënë pasoja të rënda në shpirtrat tanë, të cilat duke shkruar dhe duke reflektuar them që ne do ti lehtësojmë dhe do të bashkohemi në atë pikë që ta bëjmë jetën më të lehtë dhe të ndritshme”, tha Ahmeti.
Henri Çili: Ahmeti ka qenë impakt kulturor në formimin e një brezi
Me autoren Mimoza Ahmeti jemi të lidhur të gjithë, për shkak se kemi vite, gati tri dekada që e ndjekim krijimtarinë e saj, në personazhin që ajo mbart dhe unë jam një nga fansat e vjetër të Mimoza Ahmetit. Kur Moza më propozoi idenë që librin që solli për konkursin Kadare ta botonte për këtë panair në kuadër të kolanës sonë letrare, aq më tepër që ajo kishte një lloj ideje që botimi i këtij libri pengohej, i thashë se, për të dhënë provën se ne jemi një shoqëri e lirë, do ta botojmë me kënaqësi.
Parathënia e Aurel Plasarit e bën më pikante hyrjen në këtë botim. Në brezin tonë, Mimoza Ahmeti ka patur një impakt kulturor dhe letrar për sa i përket formimit. Kur isha student në gazetari në vitet ’90 bashkë me një student tjetër shpesh shkonin dhe takonim Mozën, bisedonim me orë të tëra për letërsinë, shoqërinë dhe atë që ndodhte rreth e rrotull. Më pas, gjatë punës time si gazetar në disa raste e kam takuar sërish Mimozën. Është një kënaqësi shumë e veçantë për mua pasi Moza shënjon tek një brez i caktuar të rinjsh një shënjues në formimin e shijes estetike mbi konceptet e Letërsisë dhe Artit. Ajo vazhdon të na befasojë. Jam përpjekur të krijoj një lloj infrastrukture në lidhje me letërsinë në Universitet apo në Institutin Europian Pashko, në kuadër të botimeve të kolanës tonë letrare. Mua më befason dhe më tërheq vëmendjen si lexues krijimtaria e saj. Protagonistë të tjerë janë futur në skenë por mendoj se Mimoza Ahmeti vazhdon të qëndrojë në përmasën e një “intrige” si të thuash, gjë që do të thotë, se ardhja e saj në skenën letrare ka qenë e vërtetë për letërsinë shqipe dhe sigurisht me këtë roman ka se çfarë ti japë.
Ne jemi ritakuar në kuadër të kësaj infrastrukture kulturore universitare, që është filozofia, letërsia dhe besoj që prania e të tilla botimeve në kuadër të kësaj iniciative për polin e degëve të Humaniteteve bashkë me ‘Çmimin Kadare’, bashkë me takimet Erasmus dhe shumë elemente të tjera i qëndrojnë këtij pesëkëndëshi në mënyrë shumë pozitive dhe shpresoj që të jenë një mecenat i vlefshëm dhe i dobishëm për kulturën dhe jetën publike në Shqipëri.
Nga Aurel Plasari
S’di në mund t’u ndodhë edhe lexuesve të tjerë siç më ndodhi mua, që nuk e lëshova nga dora romanin e ri të Mimoza Ahmetit deri në mëngjes kur e kisha përfunduar. Qasja ndaj tij varet nga çfarë lexuesi pret, ashtu si pritja e tij varet prej asaj me çfarë ai është mësuar. Ndërsa mendoj që Tutori nuk do të jetë roman që lexohet si të lehtët.
Ashtu si te romani i parë i autores, Arkitrau (në italisht: Persone belle), ose tek i dyti, Gruaja halucinante (në gjermanisht: Milchkuss), dhe te Tutori ndeshesh me iluzionin e asaj që quhet prozë autoreferenciale. Pra mund të gënjehesh. Sepse në të tri romanet e autores operohet me një skenar të menduar mirë fantastik dhe/ose parodik. Parodizimi i rrëfimit romantik është i pari. Si e zbritur nga lartësitë e antiromanit, autorja rezulton e vetëdijshme që rrëfimi i saj nuk qenkësh veçse “antirrëfim”. Dhe në një antirrëfim të tillë tekstet funksionojnë si lojë ikjeje: nga realja në fiksion dhe, vetëkuptohet, nga fiksioni te realja. Si për ta përforcuar edhe më sugjestionin e njëkohësisë, edhe zhvendosja nga fiksioni në fiksion ndodh rëndom në tekstet e autores.
Për ta shpënë në skaj këtë antirrëfim, edhe në këtë roman të ri Mimoza Ahmeti as që ka marrë mundimin të lypë ndihmë nga paralajmërimi tanimë tinëzar “Çdo ngjashmëri me ngjarje ose persona realë është e rastit”. Ai farë paralajmërimi do të kumbonte si gënjeshtra më e padobishme prej shkrimtarësh si ajo, të cilët shkruajnë me bindjen se, kush ka frikë të përdorë “unin” në shkrimet e veta, nuk ka për të qenë kurrë shkrimtar i mirë. Mbas “unit” të pafrikë të shkrimtarit, të tjerat mbeten t’i zbulojë lexuesi, si ai studenti i bukur që sapo vegoi i mahnitur “dantellat e buta të të brendshmeve dhe flokët e avulluar prej gjumit deri në kërthizë” të heroinës së romanit.
Ndërsa formula narrative e romanit Tutori mund të duket e thjeshtë, është substanca epike që e bën tekstin të dendur, të ngjeshur. Pothuaj të dukshme janë orvatjet e shkrimtares për ta redimensionuar strukturën e narracionit si hapësirë dhe për ta bërë atë më të gjerë, më komplekse. Kronika e jetës së provincës, që është atdheu i heroinës së romanit, zor se mund të jepej në mënyrë më autentike se sa me shkartisjen e elementit fantastik me vulgaren e përditshme, të thjeshtësisë me ironinë, të vrazhdësisë me lirizmin etj. Kjo shkartisje, që në sy të parë mund të ngjante si dobësi baroke, e shndërron narrativën e romanit Tutori në matematike.
Në prozë Mimoza Ahmeti ka ngulmuar në stilin e vet të përllogaritur saktësisht si mungesë stili. Kalofilia e autorëve tradicionalë, me të cilën jemi mësuar? Atë shkrimtarja duket ta shijojë si lexim, si kontaminim jo. Ka lexues – ndër ta edhe vetë – që pëlqejnë shkrimtarët flaubertianë, d.m.th. artistët si një Flaubert për të cilët një fjali vlen më shumë se një individ dhe për të cilët stili është problemi i qenësishëm i romanit. Për shkrimtarë si Mimoza Ahmeti vlerësimi funksionon në të kundërt: për ta individi është shumë më i rëndësishëm se çdo fjali. Ky stil “pa stil” i Mimoza Ahmetit prodhon në këtë roman një prozë kërshërore, të natyrës sa narrative, aq edhe eseistike, por në të cilën gjithnjë zotëron ekzistimi – si temë reflektimi – mbi shkrimin.
Do të ketë – doemos që do të ketë! – edhe lexues që do të pëlqejnë ta lexojnë këtë tekst thjesht si roman dashurie. Ose, më sak, si roman mbi dashurinë. Analiza e ndjenjës erotike, në fazat dhe format e saj të ndryshme – nga shpërthimi i shqisave rinore deri te tjetërsimi – kryhet me gjithë natyrshmërinë e mundshme në këtë prozë. Mirëpo nuk mund të mos vihet re që autorja e kupton dashurinë jo si një krizë, sikurse na ka mësuar gjithë ajo barrë letërsie tradicionale, por një permanencë, e cila prodhon tek individi një varg të pafund transformimesh. Je gati të pohosh që shkrimtarja paskësh dashur të shkruajë një roman platonik duke treguar për eksperiencën erotike nëpërmjet një intelektualizimi të ndjenjës.
Romani Tutori mund të mos jetë kryevepër, siç dëshiron çdo autor të jetë vepra e vet, por është padyshim një libër i pazakontë në prozën bashkëkohore. Nëse e mbani mend, Bëhu i bukur! titullohej i pari libër shkrimtares (1986). Qysh atëherë ajo nuk resht së lëvizuri gjithë befasi në atë zonë të idealit të çdo ekzistimi, që për të është e bukura.
*Parathënia e romanit