Kryesore

MAPO LETRARE/ Sfida e modernitetit në novelën e Arlind Farizit








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:20 - 16/02/19 |
mapo.al

Të gjitha dashuritë janë njësoj. Në një letër dërguar të dashurit të saj Nelson Algred, Simon De Beauvoir shprehej kështu, teksa përpiqej ti shpjegonte se, pavarësisht këtij përkufizimi, që e gjen në të gjithë historinë e letërsisë, dashuria e saj për të ishte ndryshe. Nëse do të arrinte të përkufizonte padurimin e leximit të një rreshti prej tij, ajo do të mund të kishte gjetur ndoshta shpëtimin. Por, në dashuri askush nuk shpëton, as ata që janë në gjëndje të shkruajnë libra, e të ndërtojnë jetë personazhesh. Ndër sfidat e reja të letërsisë në shekullin e XXI, është dhe qasja e saj ndaj dashurisë. Në kohë kur duket që romantizmi ka mbetur vetëm në libra, dhe kur teknologjia përpiqet ta çojë njeriun në rrugë të reja dhe perceptimi i dashurisë ka ndryshuar. Nëse më parë personazhet takoheshin në rrugë, në një bar, apo në stacione treni si (Ana Karenina dhe Vronski), tashmë teknologjia ka krijuar terrene të reja, ku mund të takohen dy personazhe, duke e ftuar letërsinë të hulumtojë mundësitë e saj. Arlid Farizi shkrimtar i ri nga Maqedonia na tregon me librin e tij të ri “Dashuri në kohën e fejsbukut”, se letërsia shqipe ka nisur të eci në ujërat e temave të modernitetit. Shqetësimi i shkrimit të tij ka të bëjë me ndërtimin e njeriut modern. Elaborimi i modernitetit, përmes mënyrës sesi sot jetohet një dashuri është ndoshta një nga elementët që e bën leximin e këtij libri interesant. Gjithçka ndodh përballë ekranit të një kompjuteri ku një “friend request” (kërkesë për miqësi), përmbys gjithë qetësinë e personazhit kryesor. Tashmë gjithë bota e tij mendore përpiqet të elaborojë kërkimin ndaj së panjohurës, që dalëngadalë do të ndryshojë gjithë ditën e tij. “Një dritëz e kuqe që lajmëron ardhjen e një diçkaje më mistike se ardhja e Krishtit , diçka si e fundme e paemërt, e panjohur, e patakuar ndonjëherë diku… Ajo… i dukej më shkatërrimtare se fjala “njeri” që mundi sfinksin. Ajo ishte mbinjeriu grua, banonte në metabotë, në një semantike që ia përdhosi edhe dijet letrare”, shkruan Farizi.


Autori e di se personazhi i tij tashmë s’mund të jetë i qetë. Atij sapo i ka ndodhur shkëndija e parë e një historie dashurie, që i kujton letërsinë apo tregimet. Tashmë tundimi ishte shfaqur në formën e tij më të plotë dhe i takonte atij të vendoste ta linte personazhin apo jo ti dorëzohej atij. Atëherë Farizi bën atë që çdo shkrimtar kurioz për jetën e personazheve do të bënte. E lë të lirë. Në gati 100 faqe libër ne na shpaloset një nga rrugëtimet që ka munguar në tematikat e letërsisë së këtyre viteve, ai i dashurisë në kohën e internetit. Nëse media prej kohësh ka nisur të hulumtojë pasojat dhe historitë e dashurive që lindin në platformat online, dhe shumë autorë të huaj kanë ndërtuar libra mbi këtë temë, në letrat shqipe ky subjekt është shtjelluar shumë pak. Përfshi kontekstin që këtë histori e shkruan një autor që na vjen nga brezi i ri i shkrimtarëve shqiptarë të  Maqedonisë, e bën leximin e këtij libri ndjellës.


Nga një faqe në tjetrën shpaloset një dimension tjetër njerëzor i cili duket se përkufizon nocionin universal se dashuria është gjithnjë e njëjtë, ashtu si vuajtja e saj. Por ajo që e bën të bukur atë është tregimi. Dhe Farizi zotëron të gjitha aftësitë e një tregimtari të mirë për ta bërë rrëfimin e bukur.


Në sfidat e prozës së re shqipe, novela e shkruar nga Farizi tregon për një zë të denjë që i bashkangjitet historisë sonë të re letrare, i cili ka gjithë formimin kulturor që duhet të zotërojë një shkrim i mirë.


E këtë e tregon përmes një historie dashurie të pazakontë, por që ashtu si të gjitha historitë e dashurisë kanë aftësinë të të magjepsin sa herë i takon.

 

Dashuri në kohën e internetit

(Pjesë nga libri)

Asnjëherë s’e kishte menduar që kujtimet për ATË t’i ruante në FOLDER. Në këtë term të shpikur për teknologjitë e jo për dashuritë. Me një SAVE AS…  Jo siç bënin dikur, në ato kohëra të largëta, por me shumë fëmijëri e jetë brenda, me ato letra të zverdhura beqarie me vula puthjesh në fund, me fleta të grisura fletoresh ku ruanin tekste të gjata dashurie, me ato kartolina të paluara një mbi një lidhur me llastik të fshehura diku mes raftesh, librash, që mos i lexojë askush, me kujtime fotografish bardh e zi apo sepia, kujtime ndryshe të një kohë që po lë grahmat e veta e që po mbytet qetësisht nga teknologjia.

I mendoi dallimet. Ai i njëjtë. Ajo e njëtjë. Një telefon në mes që solli ndryshimin. Lidhje dashurie përmes dhomash viberi, snepash, feisbuku. Dhoma mëkatarësh, dhoma të mbushura me shenja, kode, dhoma ku ligjëron përnatshëm Sosyri dhe Barti, Habermansi e Ekoja… Semiologjia e një dashurie do të quhet romani i tij i ri. SMILE në vend të fjalëve, shenjave të pikësimit. Rrahjet e zemrës me animacione do ia përjellim. IMOJI do të flasë më së miri për gjendjen shpirtërore.

Në FOLDERIN e krijuar enkas për të, të emërtuar me inicalet e saj. Aty do ruante dashurinë për personazhin e tij të ri. KUJTIM PËR S.L. Aty kishte gjithë ato sms-a të dërguara, fjalëlumë të pandalshëm, rrëke rridhnin mendimet, si arkitektë me përvojë ndërtonin të nesërmen e gabimit e mëkatit. Aty dërgoheshin si para derës së prifit gjithë ato lutje, lutje përmes ËI-FI-je, lutje me të vetmin qëllim që ato gjysma të mbetura prej njeriu e të ndara keq, në mundshin të bëheshin njësh. Aty kishte fotografitë e saj, centimetrat e lëkurës së saj, gjeografinë e saj, kodrat e saj, pjesët e pushtuara dhe burimet nëntokësore që prisnin për t’u zbuluar. Aty ishin STORY-t e një udhëtimi plotë frikë rrugëve të qytetit, që tashmë i njihte më mirë se vijat e dorës. Aty kishte TXT, JPG, dhe SMILE. Dashuria matej me giga-bajt, me jetëgjatësi baterie telefoni. Puthjet ishin ndryshe, sa nuk avullonin ekranin. Asnjeherë s’e kishte menduar se do të bëhej rob teknologjik, se emocionin dhe ndjenjën për dikë do ta shndërronte në një shenjë a ikonë telefoni. Dhe u bë.

….

E luante mirë këtë lojë të mësuar herët, lojë fëmijësh. Por jo si ajo loja me fshehje pas mullarësh. Më ndryshe.  Kishte do mullarë të tjerë kjo jeta e saj. Fshihej e zbulohej. Bënte bllokim numra telefonash ku rrinin në pritje djem të pashëm për të vazhduar bisedat në dhoma viberi e snepi, në këso dhoma moderne mëkatarësh. Zhbllokonte natën vonë të burgosurit e saj erotik. Shkëmbente me ta copëza lëkure për të ndërtuar në fund pazzëllin e një femre të zjarrtë.

Fillimisht mësoi të fshihet veturave me xhama të zinj. Kërcente me HAPA KETRI drejt karriges së pasme të veturës së parkuar po aq fshehtas. Bënte shëtitjet e duhura qytetit me ajër të ndotur me kokën mes këmbëve të tij. E mësoi gjuhën e shpërthimit të kopsave, teknikën e zhveshjes së shpejtë për mbarim punë po aq të shpëjtë, mësoi semantikën e një dashurie e lumturie të fshehtë e të shkurtër aq sa ndeja ulur në sediljen e pasme.

Fshehja tjetër qe pas një akounti të rrejshëm fejsbuku, ku flirtonte me të panjohur për të mësuar pakëz nga psikologjia e dashurimit dhe të njëjtat forma mësimi t’i praktikonte tek i dashuri i vet, qorr’ pas saj.

Fshehje tjetër bënte në raport me shoqet e veta, tentonte ta fshinte atë dashuri të dështuar me dikë, atë lumturi falco të mbushur me blerje dhuratash, orë dore, parfumesh të shtrenjta, shëtitje të largëta, mashtrueshëm pranonte para tyre se e donte, se do të martohej, se do të bënte bineq… Jetë e jetuar qenqe, jetë e jetuar sikur…, jetë me pendim shkaku i një veprimi të pamatur kur shitoi keq gishtin e fejesës me një hekur të pavlerë… Gabimisht i kishte thënë PO-në dikujt, PO-në e rëndë që tani e zinte përfundi. Ishte tërhequr zvarrë nga familja, nga mosha, nga ngutja për t’u rritur, nga sykeqoja e kojshisë…

Ajo e fshihte njëjtë si guaca e detit margaritarin e çmuar për t’ia dhënë meritorit të dashurisë së saj, sado i vonuar të ishte. Sado që tri kuaj t’i kënë ngodhur princit, ajo duhej të priste, ajo duhet ta priste nësë mirëfilli “dikur” në “një të tashme të përjetshme” e kishte dashur, nëse vërtet para tij së paku nuk i kishte fshehur asgjë… Nudo si shpirt.

Kukamçeftas jetoi, deri në mërzi, deri në momentin kur para syve të saj parakaloi ai, duke i thënë se do ta priste dhe nga pritja s’do të lodhej kurrë… Numërimi kishte filluar… Ptu përpara e ptu përmbas… Dikush kishte mbyllur sytë e dikush priste të zbulohej a të pështynte.

Më vjen të të puth aq befas, pa frikën se sytë bota te ne i ka, pa frikën e ndjekjes, pa trishtimin e Malarmesë. Më vjen të ta krijoj aty për aty Iliadën tonë, e lyrës së ringjalljes t’i bien dashnorët e së nësermes. Më vjen të të puth po aq befas, ashtu të papërgatitur e të të tremb nga guximi, o torzoja ime e dashur. E di se kjo ndërmarrje imja mund të na kushtonte një prishje me dikë, me përemrat tanë vetorë me të cilët u lidhëm unazshëm. Më vjen të të puth symbyllazi sall për një çast, për të përjetuar Homerin, për ta ndjerë bashkë të zezën, ngjyrën e vetme të cilën e shohin vetëm të verbërit. Bashkë të dy ta rrëzojmë Trojën së fundit herë, në të zezë, për të zezën…Më vjen të të puth tek shkujdesshëm më dëgjon tek flas për Aksidentin e Kaderesë, kur të rrëfej për ata e për ne, për karrigen e pasme të veturës, për ndeshjen, për puthjen e fundit. Më vjen të të puth aty për aty për ta ndjerë atë çastpak e të përjetshëm. Më vjen të të vjedh midis shoqesh, të të dërgoj larg që t’i numërosh vendet, mëkatet që i lamë rrugëve të qytetit me ajër të ndotur. Të mëkatojmë së fundi, të mbarojë me mëkat kjo gjëja jonë e paemër, e patrajtë, e paformë, “ti gruaja e ajërt, ti gruaja e tjetërkujt”…

E takoi udhës, të martën e MADHE. Ashtu thjesht, pa ndonjë plan. Pa sms paraprak, siç bënin dikur. As numrat nuk ia kishin më njëri-tjetrit. Listingu kishte numrat e gjithë botës, pos të sajin. Qe fshirë prej aty dhe dëshira për ta gjetur kontaktin e saj, feisbukun e rrejshëm të saj, instagramin me foton e motrës. E takoi rastësisht, pa agjenda të mirëmenduara fshehtesish. Për një çast shikimi tij u ngul shigjetë drejt saj, ashtu i orientuar nga perëndi të rralla, nga ato perëndi që dinin thembrën e pavdekësisë së dashurisë së tyre. Në ecje mu përpara tij, me hapa të marra hua nga vetja e të ngatëruara gati deri në rrëzim, kaloi purgatorin e krijuar nga të dytë. Teksa kaloi, shikoi shpinën e kthyer që ishte si fjala injorim shkruar me shkronja kapitale. Qëndroi në vend, stoik siç rrinte dikur te vendi ku ajo e kishte përqafuar e puthur deri në maviosje buze. Qëndroi palëvizur dhe në symbyllje kujtonte puthjet e ngutshme dhe fjalën t’du thënë po aq ngutshëm. Ajo ngutej përherë, mëkatonte shpejt dhe ikte shpejt në shtëpi përpara se t’i mbërrinin prindërit. Iu kujtua dhe ai përqafim i fundit, që s’ishte as ndarje dhe as premtim për diçka më të mirë, nuk ishte as tentim për prekje të fundit të gjësë së butë si shpirti…

Iu kujtua po ajo pjesë storjeje, ku pas një pasditeje të stuhishme, në sediljen e pasme të veturës, përfytyrohej një sfond i dënesës së saj, i pendimit të saj për fjalët e ashpra dhe me buzë që synojnë drejt njëra-tjetrës, lutej për të falur e harruar gjithçka. Ajo lutej për ta harruar… Por asgjë e tillë s’kishte ndodhur, mbase jo tek ai. Ai vetëm kishte vështruar ikjen e saj dhe me sy plot vesë kishte miratuar kërkesën e saj.

Mbante mend edhe një detaj: i kishte mbajtur duart në xhepa, madje i kishte rrasur më thellë dhe, i ngrirë si dru, ashtu pa lëvizur i kishte ndjerë ende buzët e saj te qafa dhe pastaj te cepi i gojës dhe prekjen e furishme të flokëve. Ajo nuk e dinte se në xhep kishte unazën për të. Mundimshëm ndjente nevojën ta përqafonte, sipas ritualit mijëvjeçar të mbarimit të ndarjeve, por një mpirje mortore s’e la. E  ngurtësoi dhe  e bëri shtatore me sy të gjallë sall për të parë ikjen e fundme të saj.

Ajo mbeti përmër i përveçëm i një lakimi dashurie. Ajo mbeti një personazh i rrallë për të cilën do shkruhet dhe pas martesës së saj…

E pa për të fundit herë shpinën e saj të kthyer dhe u bind si te poezia e Buninit: AJO E KISHTE FALUR DHE HARRUAR…

E lexoi me gishta. Si një i vërbër që njihte përmendsh shkronjat e alfabetit të vet. E prekte kudo në atë fytyrë të tendosur nervash, muskujsh, gjaku dhe pudre… E lexoi, me atë tulin e paktë të gishtërinjëve, buzën e fryrë dhe të kuqtë e saj të errët. Ashtu donte kësaj here, të lexonte duke e prekur, jo puthur, veshur-zhveshur, vetëm ta prekte, dhe t’i linte njollën e vetëm të ID-së së një dashurie në grahmat e fundit. Edhe prekja qe leximi i fundit që i bëhet syve, vetullave, hundës ku rrinte një krenari e sojit të vet, veshit të shpuar 4 herë, aq sa librat e lexuar në jetën e saj, qafës së hollë që dikur vishej me shallin e dëshirës, me shenja puthjesh, atë ashtin e hollë që lidhej me krahët që kësaj here shumëzoheshin me vetveten dhe mëtonin ta rroknin fuqishëm si para një shtrëngimi të fundit… E lexoi me gishta, një lexim ndryshe nga leximet e rileximet e tjera. Ia prekte buzët dhe lutej që të mos i lexonte më askush, askush, askush… E prekte te qafa dhe lutej që kurrë më mos ia lakonte qafën një studiues, një hulumtues nderi e morali… E prekte te veshi dhe lutej që të mos i zinte kurrë në jetë një mashtrim, mos të dëgjonte asnjë rrenë. E prekte te zemra dhe… qante.

Ajo nuk e kishte kuptuar se te gishtërinjtë janë shenjat e vetme të identitetit, të cilit nuk ia gjen dot kopjen.


Etiketa: , , , ,

Pas