Kryesore

MAPO LETRARE/ Ylli Demneri: Rezistenca e Kafkës






               Publikuar në : 08:00 - 30/03/19 |
mapo.al

« Ashtu si në fotografitë e futura në kovën me solucion të fotografit të vjetër, diku pranë Pazarit të Ri (Foto Lugati » siç e quanin disa), ku pak nga pak përvijohej portreti dhe coha e zezë (e zbardhur nga vitet), jam munduar të fiksoj grimca të një kohe të kaluar ; të kap të zakonshmen që duket si e bërë për tu harruar, me shpresën që këto shënime të gjejnë jehonë tek lexuesit dhe natyrshëm tu vijë në buzë : « Po edhe mua më kujtohet » duke e kthyer këtë libër në një vendtakim të kujtimeve ». Ylli Demneri shkruan kështu tek « Më kujtohet 2 ». Cikli i kujtesës dhënë përmes letërsisë së Demnerit, ka krijuar një dritare tjetër të vështrimit të së shkuarës, ku nostalgjia përzihet me puhizën e lehtë të një ndërgjegjësimi mbi kohën. Shkrimtar dhe artist i imazhit, Demneri jeton prej shumë kohësh në Francë. Aktualisht ai është drejt artistik në revistën “Le Journal des Acteurs Sociaux” në Paris. Ai ka pasur një përvojë të shkurtër në kinematografi. Prej disa vitesh i është kushtuar edhe poezisë dhe prozës. Deri më tani ka botuar katër libra: “Më kujtohet”, “E dashura A.”, “Block-notes” dhe “Njëqind e njëmbëdhjetë haiku”.Më poshtë ai vjen në një bisedë për MapoLetrare për librat e zemrës.


Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?

Interesante pyetja, sepse s’ka shumë ditë që po reflektoja nëse ishte mosha apo një lloj ngopjeje që këto kohët e fundit kisha filluar të tërhiqesha më shumë nga shkrimet e shkurtra ku ndihet thjeshtësia, delikatesa dhe ajo shije e hollë që i gjej tek disa poetë kinezë e japonezë të shekujve X e XI. Të shkruara me aq mjeshtëri sa u kanë rezistuar kohërave duke ardhur të mrekullueshme deri në ditët tona. Më pëlqejnë sepse në to nuk ka « gënjeshtra artistike », siç thoshte Rodin. Këto ditë mbaj me vete në çantë veprën e poeteshës kineze Li Qingzhao (1084-1141), përkthyer në frëngjisht, që e zbulova rastësisht në librari. Përfitoj nga ato pak çaste gjatë ditës kur jam vetëm për t’i shijuar. Ja një poezi e saj:

SI NË ËNDËRR 

Më kujtohet baraka pranë ujit në të ngrysur.

Ishim tepër të dehur për të gjetur rrugën e kthimit.

Të nginjur kënaqësish, drejtim ndërruam vonë.

Humbur mes zambakëve të dendur të ujit, vozitnim

Sa më shpejt,

Sa më shpejt.

Të trembura, përgjatë bregut, gatat dhe pulëbardhat fluturonin.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Është shumë e vështirë të zgjedhësh vetëm një roman. Gati e pamundur. Duke bllokuar çdo reflektim, por vetëm për t’iu përgjigjur pyetjes, mund të them: librat e Dostojevskit.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Pa dashur të përsëris atë që thashë më lart: tregimet e Çehovit. Por do doja të shtoja se këta autorë, Dostojevski e Çehovi, më vijnë në mendje menjëherë, sepse janë të lidhur me zbulimet e mia të para. Që janë po aq mbresëlënëse sa edhe dashuritë e para. Dua të them gjithashtu se ka vite që nuk lexoj tregime. Nuk e di arsyen. Të fundit që kam lexuar e që më kanë pëlqyer janë ato të Agota Kristof-it, një pjesë e të cilave janë sjellë shumë bukur në shqip nga Alket Çani.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Jam krejt i pazoti për t’iu përgjigjur një pyetjeje të tillë. Nuk i ndjek shumë « të rejat e ditës ». Për mua më të mirët sot e mot janë: Platon, Shekspir, Montaigne, Proust, Çehov, Borges, Heminguej, Gide, Beckett, Lorca, Gogol, Duras, de Laclos, Romain Gary, Hugo, Emerson, Eco, Pessoa, Kazanxaqis, Camus, Cioran, e shumë e shumë të tjerë.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Më pëlqen të lexoj romane, ese dhe poezi.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Besoj se nuk ka asgjë befasuese. Kam nga të gjitha llojet e librave. Nga librat erotikë e deri tek esetë filozofike, filologjike, historike, psikologjike, psikoanalitike, etike, estetike, etj. Nga të gjithë ata që në rininë time më ishin ndaluar nga partia-shtet.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Askush. Siç duket, këto gjëra largohen e treten me kalimin e viteve.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj?

Nuk e di nëse ka qenë temperamenti im, kureshtja apo vetmia që më kanë shtyrë drejt librave. Por çdo gjë ka ardhur natyrshëm. Askush nuk më ka nxitur apo shtyrë për të lexuar. Prandaj nuk i kuptoj «fushatat» që organizohen në Shqipëri për të lexuar. Është sikur t’i shtysh njerëzit të bëjnë dashuri në publik. Leximi është një akt vetjak e intim. Megjithatë, më mirë me fushata leximi publik, sesa me fushata parazgjedhore që janë krejtësisht një antivlerë.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Për librat e ndaluar gjatë viteve të diktaturës, të cilët mund t’i lexoje vetëm me autorizim. Por, falë një të njohure që punonte në bibliotekën kombëtare, kam mundur t’i lexoj. Ishte një akt i guximshëm nga ana e saj. Më kujtohet që i fuste mes gazetave të kohës kur m’i jepte, duke më përsëritur çdo herë të njëjtën shprehje: « Të keqen, mos t’i shikojë njeri ».

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

Një proverb afrikan thotë: « Duhet një fshat i tërë për të rritur një fëmijë. » Por mund të shtoj se një ndikim të madh në formimin tim kanë patur librat e Roland Barthes-it.

Nëse do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

Një nuk do mjaftonte. Por, nëse do pranonte të mbyllej në një dhomë pa asgjë tjetër veç librave, « Du contrat social » i Jean-Jacques Rousseau-it dhe «Rrno vetëm për me tregue » i At Zef Pllumit, do ishte një fitore. Sigurisht që gjatë kësaj kohe t’i jepnin edhe për të ngrënë e për të pirë. (Qesh)

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Do të ftoja Çehovin, Primo Levi-n dhe Proust-in. Me shpresën që pas disa gotave me verë të mirë, nga biseda e tyre të mund të kuptoja diçka rreth natyrës njerëzore. Të kësaj kafshe që është e aftë të bëjë gjërat më sublime dhe njëkohësisht krimet më të tmerrshme.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk ndodhi?

Kjo më ka ndodhur me librat e Kafkës. Nuk i kam shtyrë. Dhe kam bërë disa përpjekje. Siç duket ka diçka që nuk shkon. Ndoshta metaforat tepër të dukshme. Ndoshta e kam zbuluar vonë. Kështu më ka ndodhur edhe me librat e  Boris Vian-it. Ai kishte mahnitur brezin e viteve ’50 e ’60. Dhe legjenda ishte krijuar. Profesorët e mi francezë u përkisnin atyre viteve. E përmendnin herë pas here. U bëra kureshtar dhe nisa që ta lexoj. Por nuk e shtyva dot.

A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

« Ce qui reste de la nuit » i shkrimtares greke Ersi Sotiropulos. Një roman që merr përsipër të rrëfejë tri ditët që poeti grek Kostandin Kavafis ka kaluar në Paris në qershor të vitit 1897. Si dhe romanin e një autori shqiptar. Për të dy kisha dëgjuar fjalë të mira. Por…

Është e vështirë të përshkruash vende dhe epoka që nuk i ke njohur. Duhet shumë mjeshtëri. Ndaj edhe Kadareja me shumë zgjuarsi u është shmangur përshkrimeve të tilla në disa prej romaneve të tij ku flitet për vende e epoka që ai vetë nuk i ka njohur e jetuar. Duhet shumë talent.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Askënd. Zakonisht, kur flasim për të tjerët, flasim për veten. Kështu që nuk do të isha unë në atë përshkrim. Përveç kësaj, jeta ime nuk ka asgjë të pazakontë.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Te librat me haiku, librat e Roland Barthes-it dhe të Claude Simon-it.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Janë shumë. Shpresoj që të lexoj një pjesë prej tyre për sa kohë që do të më tërheqë leximi.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Nuk kam asnjë plan në lidhje me leximin e librave. Leximet e mia janë të varura nga ato « takime të lumtura » që mund të ndodhin ndërsa endem nëpër librari, si dhe nga leximi i kritikave letrare. Si edhe të atyre çasteve të qëndrimit para bibliotekës sime. Më ndodh që të blej disa libra e t’i harroj për shkak të një tjetri që më ka tërhequr vëmendjen ndërkohë. Jo më larg se dje, pashë që nuk e kisha filluar akoma së lexuari librin e fundit të Michel Houellebecq-ut, «Sérotonine», që e bleva para ca kohësh.


Etiketa: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

CLOSE
CLOSE
Pas