“Një mal diamanti” quhet përmbledhja me tregime nga shkrimtari i njohur Scott Fitzgerald, i cili ka ardhur në shqip nën përkthimin e Ylli Pangos, nën logon e shtëpisë botuese “Albas”. Një njohje me joshjen e përhershme që të jep letërsia e Fitzgerald, është një ndër leximet që nuk duhet humbur. Njohës i mirë i psikikës njerëzore, letërsia e Fitzgerald vazhdon të jetë e fortë për ndjesitë që mbart. Ylli Pango ka kaluar kohë me personazhet e Fitzgerald, duke njohur mirë laboratorin e një prej krijuesve më të mirë të shekullit XX. Me një lidhje të hershme me letërsinë, Pango, i cili kohët e fundit ka ardhur për lexuesin me librin “Psikologji shqiptare”, UET PRESS vjen më poshtë në një rrëfim për librat e zemrës.
Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?
Tregimet e Somerset Maugham.
Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjithë kohërave?
Mendoj se nuk ka roman më të mirë ndër të gjithë. Janë disa romane shumë të mirë. Njëri syresh është “Never let me go” nga nobelisti Kazuo Ishiguro.
Më pëlqen të lexoj, më shumë të lexoj romane e tregime si gjini. Faulkner është një ndër shkrimtarët që vlerësoj shumë dhe më vjen keq që nuk ia kam lexuar të gjithë veprën.
Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?
Historinë e jetës sime do të doja ta shkruante shoku im i ngushtë i fëmijërisë Maksim Blushi (Konini). Fëmijëria pasqyron më mirë se cilado fazë e jetës se kush jemi.
Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?
Duhet të lexoj veprat e plota të autorëve të mëdhenj që ende nuk i kam mbaruar së lexuari. Ndër ta Scott Fitzgerald. Kam ndërmend të lexoj sa të jem gjallë. Gjithçka që është e mirë dhe me vlerë. Rëndësi ka që di të zgjedh mirë. Ky është problemi për mjaft njerëz. Me një ritëm normal njeriu nuk mund të lexojë më shumë se 5000-6000 libra gjithë jetën. Pra duhet të dijë të zgjedhë. Në një plan më të gjerë, letërsia artistike e psikologjia mbeten prioritetet e mia.
Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?
Dostojevskit, Bulgakovit, Pasternakut u kthehem vazhdimisht. Edhe Kafkës, Prustit e Kamysë …
Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë?
I mbivlerësuar është libri i fundit i Kadaresë “Kur sunduesit grinden”. Përkthimi i biografisë në katër vëllime të Winston Churcill. Një përkthim i tmerrshëm.
A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?
Përkthimi i biografisë së Winston Churchill …
Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?
Nuk kam planifikuar ndonjë darkë me shkrimtarë, sidomos me ata që e konsiderojnë veten a konsiderohen si “qarqet zyrtare të letrave shqipe”, apo “të afirmuarit” që mbajnë njëri-tjetrin. Ca më pak me ata që vetëquhen krijues, duke realizuar shitje librash nga ekrani i TV-së.
Po nëse do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?
Presidentit do t’i rekomandoja të lexonte Emil Zolanë. Disa nga veprat e tij. Se cilat libra dhe përse mund t’i sqaroj në një intervistë tjetër.
Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?
Në bibliotekën time befasi do të jetë vjetërsia e librave dhe numri i tyre. Kuptohet për ata që nuk më njohin.
Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?
Nga librat që kam shkruar në fushën letrare parapëlqej “Rrënoja” (tablo e zymtë e viteve 1991 — 1992) dhe “Zogu i zi”. Në atë psikologjike “Psikoterapia” dhe “Psikologji shqiptare”.
Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?
Pse imagjinare? Reale … Ernest Heminguej. Shkrimtar. Hero real, me një jetë që e parapëlqej.
Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?
Lexues i pangopur, së bashku me shokun tim Maks Blushi, personazh te “Zogu i Zi”. Preferoja letërsi për fëmijë: Mark Twain, Andersenin, autorë rusë …
A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?
Po, për librat e psikologjisë kur punoja në Institutin Pedagogjik. Librat e Frojdit, Hornit, Fromit etj., ishin të ndaluar të dilnin jashtë institutit dhe duke menduar se një ditë do të na i ndalonin dhe neve, i përktheja në skeda për vete. Janë me mijëra skeda. I kam edhe sot.
Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?
Letërsia e lexuar në fëmijëri e në rini më ka bërë në një pjesë të madhe atë që jam sot. Ernest Heminguej, Erich Paul Remark, John Steinbeck, Mark Twain etj.