Vajza me emrin dhe stilin e veçantë ka qenë këtë javë në fokus të Mapo dhe na ka impresionuar me vullnetin dhe guximin për të çuar para atë që dikur ishte një indicie, që e ngacmonte për t’u bërë pjesë e artit dhe modës. Arjena Duçi është një blogere vetëm 22-vjeçare, e cila po korr sukses duke u quajtur ndryshe edhe ‘vajza që vishet si franceze’. Gjithmonë chic dhe origjinale në tendenca, Arjena spikat dhe adhurohet nga ndjekësit në rrjeta sociale dhe në bllogun e saj, për të cilin kujdeset deri në detaj. Si nisi e gjitha kjo dhe çfarë vjen pas kësaj, Arjena na e ka rrëfyer nëpërmjet kësaj interviste.
Identifikoheni ndryshe si ‘trëndafili i egër’. Pse ky emër?
Unë gjithmonë kam pasur një lidhje shumë të ngushtë me babin dhe për çdo gjë kam folur me të sikur të ishim shokë. Ai ka qenë mbështetja ime më e madhe dhe ma përsëriste herë pas here që i ngjaja me një “lule të egër”, që mund t’ia dilte mbanë edhe e vetme në çdo lloj situate. Kjo është arsyeja pse blogu im mban këtë emër.
Kur e kuptuat që moda ishte ajo me të cilën donit të merreshit?
Gjatë gjithë jetës kam qenë e tërhequr nga fusha e modës, por momenti që kam vendosur ta ktheja në diçka serioze ishte viti i dytë gjatë shkollës së lartë. Kjo sepse dega që studioja më super zhgënjeu dhe nuk më mbushte shpirtërisht.
Si lindi ideja e krijimit të një blogu? Sa kohë i kushtoni atij?
Ishte një ide që e kisha pasur që në shkollë të mesme, por e stopoja herë pas here nga frika e dështimit dhe mungesa e informacionit. Megjithatë unë kam qenë dhe jam ëndërrimtare dhe vendosa ta hapja sepse më mirë ta provoja dhe të zhgënjehesha sesa ta kisha peng për gjithë jetën. Momentalisht i kushtoj 2-3 orë në ditë, por synoj ta kthej në profesion.
A patët momente pesimizmi dhe dyshimi për suksesin e kësaj nisme gjatë rrugës? Si ia dolët t’i mposhtnit?
Sigurisht që kam pasur shumë momente pesimizmi dhe dyshimi, por me besimin në ëndrrat e mia, me mbështetjen e gjithë njerëzve të adhurueshëm që më rrethojnë, me mesazhet e bukura që më sjellin ndjekëset nëpër rrjete sociale, mposhtja dhe vazhdoj të mposht çdo grimcë negativiteti.
Çfarë i ka shërbyer edukimit tuaj artistik në aspektin e poezisë dhe modës, duke qenë se studimet i keni kryer në degën ‘Teknike Laboratori’?
Poezi kam shkruar e lexuar që kur isha një pëllëmbë. Lidhja që kam pasur me shkronjat ka qenë përherë paqësore dhe shumë e bukur. Ndoshta është edhe pakëz e trashëguar, në fisin tonë ka edhe artistë. Sa i takon modës, pas moshës 14-vjeçare kam lexuar pafund, kam ndjekur qindra profesionistë të fushës, kam parë gjithçka me sy kritik. Pra, edhe pse dega ime nuk kishte lidhje me artin, ai ka qenë, është dhe do jetë pjesë e imja. P.S.: Sa normale është dëshira ime për t’i dekoruar pak përparëset e bardha të laboranteve? Më duken shumë të mërzitshme.
A keni pasur një model për të ndjekur dhe për t’u frymëzuar?
Modele për të ndjekur dhe burime frymëzimi kam me miliona. Them me miliona sepse mund të frymëzohem nga gjithçka më rrethon, që nga koha jashtë, muzika që dëgjoj, një x libër, një kafene e këndshme, një i panjohur në rrugë, një ushqim etj. etj. etj.
Keni qenë shpesh e ftuar së fundmi në emisione që ndiqen nga të rinjtë, për të folur pikërisht për pasionin tuaj. Por si arriti vajza nga Bilishti të tërhiqte vëmendjen e publikut dhe medias?
Kam përshtypjen që dashurinë e madhe që kjo vajza ka për gjërat që bën, pasionin dhe energjinë pozitive, ia ka përcjellë edhe personave të tjerë. Më pëlqen të mendoj kështu…
Cili është stili juaj i preferuar?
Stili francez, vintage, i thjeshtë.
Cili ka qenë impresioni i publikut lidhur me blogun tuaj dhe stilin që përcillni përmes tij?
Jam me fat për familjen time të blogut dhe instagramit. Gjithmonë marr mesazhe e komente pozitive dhe më bëhet zemra mal. Janë një arsye gjigante pse unë vazhdoj të bëj gjërat që dua. Përgjithmonë mirënjohëse!
Duke qenë se në gardërobën tuaj duhet të keni shumë veshje për të krijuar variacione kombinimi, si ia bëni me shpenzimet? A janë ato të përballueshme për një vajzë 22-vjeçare?
Të them të drejtën, unë nuk shpenzoj shuma të mëdha parash me rrobat, madje mund të them që shpenzoj si çdo vajzë tjetër. Janë bashkëpunimet dhe aftësia e improvizimit që më kanë ndihmuar pafund. Megjithatë punoj dhe nëse dua të ble diçka, thjesht pyes xhepin dhe vendos.
Cilët janë aksesorët tuaj të preferuar pa të cilët nuk bëni dot?
Syzet! Ka ardhur një pikë sa më duket sikur jam nudo kur nuk kam një palë syze me vete.
Cilat janë draft projektet e Arjenës që presin të realizohen?
Ka vetëm një muaj e pak që kur hapa butikun tim të parë Online dhe projekti i ardhshëm është që ta kthej në diçka fizike. Besoj se nga viti që vjen do e realizoj dhe mezi pres. Kam menduar edhe diçka tjetër, por kam frikë ta them sepse është diçka shumë e madhe ka shuumë punë para se të vijë në jetë.
Çfarë këshille do t’u jepnit vajzave në këtë sezon?
Këtë sezon dhe çdo sezon, u them ta duan vajzën që shohin para pasqyrës. Nëse u pëlqen diçka, ta veshin, të përcjellin sa më shumë energji pozitive dhe mos harrojnë asnjë ditë të ndjekin ëndrrat e tyre. Janë ato që e bëjnë jetën më të bukur e plot ngjyra.