E kemi parë të këndojë mes emocionesh, në spektaklin që na zbukuronte mbrëmjet e të shtunave dhe të spikaste mes konkurrentëve të tjerë. Me kurajën dhe besimin se një ditë do të bëhej personi që kishte ëndërruar të shihte te vetja, Olta Boka ia doli. Ajo është një artiste, që famën nuk e merr nga videoklipet, as nga veshja ekstravagante, por puna ka folur vetë me sukseset e njëpasnjëshme. Ndoshta kohët e fundit nuk e kemi parë shpesh në ekran, ndaj për të kuptuar se çfarë e mbush kohën e Oltës përtej skenës, kemi zhvilluar me të një intervistë.
Jeni ngjitur për herë të parë në një skenë me publik të gjerë, gjatë spektaklit ‘Ethet e së premtes mbrëma’, kur ishit në një moshë shumë të vogël. Si e vlerësoni këtë eksperiencë që ishte edhe trampolina e karrierës suaj?
Ka qenë një eksperiencë e shkurtër, por e vlefshme për aq sa zgjati. Nuk e di nëse mund ta quaj trampolinën e karrierës për sa kohë mendoj që suksesin dhe vëmendjen ja atribuoj ‘Festivalit të Fundvitit’ dhe këngës ‘Zemrën lamë peng’.
Si e keni kuptuar talentin tuaj, a ka qenë dikush që jua ka vënë në dukje apo thjesht veshi juaj muzikor nuk gaboi? Sa mbështetje keni patur nga të njohurit tuaj në këtë iniciativë për t’u bërë pjesë e tregut muzikor?
Kënaqësia ime ishte të këndoja. Kjo gjë u vu re nga familjarët e mi, specifikisht babai, kuptoi që dëshira ime për të kënduar shoqërohej dhe nga një vesh i mirë melodik dhe ritmik.
Mund të themi se karriera juaj mori ritme të shpejta, kur ishit ende në vitin e dytë gjimnaz dhe ju u zgjodhët si përfaqësuese e Shqipërisë në “Eurovizon”, arritje që rrallë e kanë edhe këngëtarë me eksperiencë më të gjatë. Si ndikoi tek ju dhe formimi juaj pjesëmarrja në një event të tillë ndërkombëtar?
Gjithçka rrodhi shumë shpejt, saqë kur rikthehem në kujtime më duhet të përqendrohem për t’i riluajtur në mendje, por memorien e zemrës e kam realisht më të fortë lidhur me këtë aspekt. E kam të gjallë emocionin, dëshirën dhe lëmshin e ndjesive që më ka transmetuar ajo pjesëmarrje. Më përballi herët me përgjegjësitë, e si rrjedhojë u pasua me një maturi të parakohshme.
Keni qenë pjesëmarrëse gjithashtu në festivalin ‘Kënga Magjike’ ku edhe u vlerësuat me çmimin ‘Best performance’. Çfarë opinioni keni ju për këtë festival, nga ku disa artistë dalin të zhgënjyer për sa i përket ndarjes së çmimeve?
‘Kënga Magjike’ është magji. Është fole artistësh ku secili merr kohën e tij dhe vendin e tij. Pakënaqësitë e artistëve nuk lidhen drejtpërdrejtë me festivalin por me ‘marrëdhëniet’ personale mes artistësh. Me vjen për shtat që në të tilla raste, të fokusohem tek detyrat e mia si artiste e të mos i kushtoj rëndësi vlerësimeve. Në fund të fundit askush se mban mend se ç’vend të dhanë pasi të kanë kënduar këngët me ditë të tëra.
Prej pak kohësh keni bërë një shkëputje nga muzika, a ka qenë kjo një periudhë pushimi dhe fokusi në aspektet e tjera të jetës apo koha e Olta Bokës ka qenë e zënë me punë për projekte të reja muzikore?
Projekti im i fundit ka qenë në gusht të këtij viti, ndaj nuk mendoj se mund ta konsideroj këtë periudhë si shkëputje. Megjithatë jam në punim e sipër të materialeve të reja sikurse, përpiqem të menaxhoj më së miri kohën për t’ju dedikuar profesionalisht edhe fushës së studimeve të mia.
Duke qenë se një pjesë e mirë e artistëve shqiptarë po zhvillojnë një karrierë jashtë kufijve, a e keni menduar ndonjëherë të tentoni të krijoni lidhje me studiot muzikore ndërkombëtare?
Nëse do ta kisha ëndërruar them se do të kisha bërë çmos për ta realizuar, të paktën të përpiqesha për të përmbushur qëllimin. Por realisht nuk di të të them më konkretisht…
Cila është arma e fortë e Olta Bokës dhe çfarë e dallon nga disa pseudoartistët që korrin famë me një këngë, e cila ndoshta nuk mund të quhet as e tillë për aq kohë sa nuk ka një fabul të hairit?
Për mua krahasimi është hajduti i lumturisë e ndaj nuk më pëlqen të krahasoj apo të krahasohem. Jetojmë në një realitet të lirë ku secili prej nesh duhet të zgjedhë e të filtrojë informacionin që merr. Ndaj them se arma më e fortë që kam janë pikërisht ata që vazhdojnë të më zgjedhin e pas shumë filtrave vazhdoj të jem zgjedhja e tyre.
Duke qenë se angazhimin muzikor e keni filluar herët, në një kohë që ishit nxënëse në bankat e shkollës. A ka ndikuar kjo në rezultatet tuaja mësimore?
Jam munduar të bëj më të mirën time dhe të mos e justifikoj veten për asnjë moment. Kam rezultate të kënaqshme si pasojë e një pune sistematike dhe mbi të gjitha pune të bërë me shumë kënaqësi.
Në dijeninë tonë, keni kryer studimet e larta në fakultetin juridik. A ka qenë ky një tjetër pasion apo nevoja për të pasur një profesion ju ka shtyrë të studioni në këtë fushë?
Kam dashur gjithmonë të testoj aftësitë e mia përtej talentit për të cilin nuk kam ndonjë meritë të veçantë. Jam falënderuese për gjithçka kam e mundohem të bëj më të mirën për aq sa kam mundësi. Studimi në fushën e drejtësisë ka qenë një pasion i hershëm, që kohët e fundit është konkretizuar edhe në profesion. Së fundmi jam pjesë e një studioje noterie si asistent-notere.
Cila ka qenë ëndrra juaj e fëmijërisë dhe a keni mundur ta realizoni ndonjëherë?
Të udhëtoj, të kem një shtëpi të bukur, familje dhe fëmijë të shëndetshëm. Me Zotin krah uroj të plotësoj ato që s’kam mundur deri tani për shembull fëmijët.
Stivi Boka është vëllai dhe kolegu juaj. Cili është raporti personal dhe profesional që keni me njëri-tjetrin?
Ai është gjysma ime më e mirë tek i cili përmbush çdo pamundësi të realizuar nga gjysma tjetër.