Valbona Halili është një nga këngëtaret e afirmuara të tregut muzikor shqiptar e cila operon në zhanrin e muzikës popullore prej më shumë se 20 vitesh. Duke mbajtur kaq shumë vite karrierë mbi supe edhe hitet edhe bashkëpunimet e saj padyshim kanë qenë nga më të suksesshmet. Megjithatë të gjithë e shohim dita-ditës sesi muzika shqiptare kohët e fundit po përballet me një kolaps të vazhdueshëm që konsiston në dëmtimin e artit të mirëfilltë, që këngëtarët profesionistë prej vitesh janë munduar ta ndërtojnë. Valbona mbetet një nga ikonat e zhanrit të saj për stilin e veçantë dhe zërin e saj që ka arritur t’i mbijetojë kohës. Para tri vitesh ajo u bë nënë e një djali, i cili sot është 3 vjeç. Ajo u shpreh në këtë intervistë mbi këtë realitet të dhimbshëm që muzikës po i kanoset dita ditës, marrëdhënien me djalin dhe vështirësitë që një artist i mirëfilltë do duhet patjetër t’i kalojë etj.
Po të bëjmë mirë llogaritë kanë kaluar më shumë se 20 vite që ju jeni bërë pjesë e tregut muzikor. Si mendoni ju, vështirësitë për t’u angazhuar në muzikë kanë qenë më të mëdha atëherë apo tani, dhe pse?
Natyrisht që në të shkuarën vështirësitë që mund të hasnim ishin më të shumta, këtu i referohem planit profesional, pasi përballeshim më këngëtarë dhe kompozitorë profesionistë dhe filtra në të cilët do të kalonim ishin shumë më të imët. Njëkohësisht dhe dëgjuesi (spektatori), ishte më shumë kritik dhe selektiv.
Cilat janë problematikat kryesore për një individ që aspiron të bëhet i famshëm dhe të shpalosë talentin e tij/të saj?
Së pari, një individ duhet të studiojë tregun dhe zhanrin në të cilin kërkon të fokusohet. Së dyti, duhet të përzgjedhë një producent mjaft të mirë, e shoqëruar e gjitha kjo me një buxhet të mjaftueshëm.
Po për ju në atë kohë sa e vështirë ka qenë të bëheshit pjesë e estradës? Pse zgjodhët pikërisht muzikën dhe jo një profesion tjetër?
Duke u lindur në një familje tiranase dhe edukuar me muzikën e kësaj treve, ajo erdhi natyrshëm edhe brumosi identitetin tim. Skenën e estradës e pashë si një pikënisje asokohe në rrugëtimin tim.
A jeni penduar ndonjëherë që keni vazhduar rrugën e muzikës?
Jo aspak! Sot do ndieja keqardhje nëse po.
Çfarë mendimi keni për muzikën aktuale shqiptare?
Ehhh… Vlerësuesi më i mirë është publiku.
Ajo që na vret syrin këto vitet e fundit është cilësia e ulët e prurjeve të reja që kryesisht bëhen të njohur duke përdorur asetet e tyre dhe jo më zërin. Çfarë mendimi keni për këtë trend nëse mund ta quajmë të tillë?
Fatkeqësisht po. Ky fenomen është kthyer paksa preokupues, pse jo edhe dominues pasi shpeshherë shumë këngëtarë nuk shfaqin ato vlera të cilat u janë kërkuar. Dështim total!
Klipi juaj i fundit u publikua thuajse një vit më parë, ndërkohë që momentalisht ju nuk keni asnjë projekt të ri. Pse kjo shkëputje kaq e konsiderueshme?
Mendoj se për të krijuar një produkt të mirë dhe që të kënaqësh audiencën nevojitet shumë kohë në dispozicion, e cila nuk mjafton kurrë.
Cilat janë projektet e reja të Valbonës?
Projekti im më i ri është drejt përfundimit dhe realisht dëshiroj që ta lë surprizë.
Cili ka qenë bashkëpunimi më i suksesshëm me këngëtarin apo këngëtaren që do donit të realizonit një klip tjetër sërish dhe pse?
Në karrierën time muzikore kam pasur një sërë bashkëpunimesh ku të gjitha më kanë lënë një shije të mirë. Dëshiroj pse jo, të përsëris ndonjërin prej tyre.
Çfarë marrëdhënieje keni me djalin dhe a shpenzoni shumë kohë me të? Do donit që edhe ai të bëhej këngëtar?
Fatmirësisht jam një nënë tepër e përkushtuar ndaj djalit ashtu si çdo nënë tjetër kundrejt fëmijës së saj. Koha që shpenzoj me të më shijon shumë. Nuk dua të influencoj në zgjedhjet e tij, por nëse do të ndodhte, pse jo, do të më pëlqente.
Çfarë cilësish ka marrë djali nga ju? Cila është këshilla bazë që mami Valbona ia thotë shpesh atij?
Cilësitë nuk mund të them se dalloj ndonjë tani sepse është ende i vogël. Para se ta përcjell për në kopsht e porosis: ‘Ki mendjen dhe dëgjo edukatoren…’ hahaha!