Kryesore

MAPO WEEKEND/ Bashkurti: Delegacioni i PE u tregua i njëanshëm





               Publikuar në : 12:00 - 02/03/19 |
mapo.al

Flet një nga njohësit më të mirë të çështjeve diplomatike, Lisen Bashkurti


Pas situatës së krijuar në Shqipëri, në vend kanë mbërritur ata që media po i quan si ‘vala e parë e ndërkombëtarëve’. Bëhet fjalë për disa eurodeputetë. Si e lexoni qëndrimin e tyre? Disa thonë se kjo krizë kërkon një tjetër nivel reagimi. Ju si mendoni?



Nuk është as hera e parë dhe as e papritur që Shqipëria hyn në një krizë politike të brendshme dhe që për zgjidhjen e saj ndërhyjnë faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë. Mjafton të bëni një vështrim restropektiv të historisë politike të Shqipërisë mbas viteve ’90 dhe lehtësisht do arrini në konkluzionin e parë rreth pyetjes së huaj që është: ne prodhojmë kriza politike të brendshme në mënyra dhe përmasa të atilla saqë nuk i zgjidhim dot vetë, pa ndërhyrjen e huaj. Pra jemi prodhues krizash politike, por nuk kemi kapacitete për menaxhimin dhe zgjidhjen e tyre.


Në rastin konkret kriza politike e Shqipërisë ka kohë që ka nisur. Reagimet, pakënaqësitë, protestat, veprimet dhe lëvizjet shoqërore janë shtrirë në kohë, në hapësirë dhe në shumë shtresa të vendit. Veprimet e fundit të opozitës me dorëzimin e mandateve parlamentare shënojnë kulmin politik të krizës, përtej së cilës vendi mund të kalojë në mosbindje civile, në kaos dhe në anarki me pasoja serioze në të gjitha fushat.

Në këtë situatë krize dhe diskursi të ashpër politik erdhi në Shqipëri delegacioni i PE. Erdhi në një moment të paqartë, erdhi në mënyrë të nxituar dhe erdhi i papërgatitur. Vetë anëtarët e delegacionit të PE janë në pikun e fushatës së tyre zgjedhore për Parlamentin Europian dhe nën efektin e saj. Prandaj në çdo qëndrim e veprim të tyre u nisën më shumë nga impakti politik për veten dhe zgjedhjet e tyre, sesa nga qëllimi i vërtetë për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.

Mund të thuhet se delegacioni PE u tregua konfuz, i painformuar mirë, i paqartë në qëndrime dhe i njëanshëm në deklarime. Delegacioni mbajti qëndrime të ngurta politike, pa sjellje, qëndrime dhe gjuhë diplomatike. Me këtë sjellje politike dhe mangësi diplomatike delegacioni e thelloi ndarjen midis palëve në krizë, në vend që ta ngushtonte atë. Delegacioni u duk që nuk kishte ardhur për të ndërmjetësuar për zgjidhjen e krizës, por për të mbajtur një qëndrim politik deklarativ të parafiksuar. Krizat politike kërkojnë zgjidhje diplomatike, pra kërkojnë gjetje kompromisi, nëpërmjet bisedimeve, dialogut dhe negociatave. Delegacioni i PE erdhi, foli dhe iku pa lënë pas asnjë impakt pozitiv në zgjidhjen e krizës politike. Delegacioni inkurajoi më shumë seç duhej mazhorancën dhe provokoi më shumë seç duhej opozitën. Me këtë qëndrim delegacioni i PE përkeqësoi më tej klimën politike në vend.

Pa menduar për nivele të tjera ndërmjetësimi ndërkombëtar, unë mendoj se politika shqiptare lypet të kërkojë dhe të gjejë zgjidhje brenda saj, të demonstrojë më së fundi që është pjekur për të menaxhuar dhe zgjidhur krizat vetë. Gjithashtu, mendoj se nuk janë shteruar institucionet kushtetuese, të paanshme dhe mbi palët për zgjidhjen e krizës. Paaftësia e politikës shqiptare për gjetjen e zgjidhjes së krizës dhe mos shterimi i gjithë institucioneve kushtetuese të paanshme dhe mbi palët për ndërmjetësim do ishin në vetvete një dështim më i rëndë se edhe vetë kriza. Në një vend demokratik ku mazhoranca dhe opozita nuk janë në gjendje të kërkojnë dhe të gjejnë zgjidhje të pranueshme midis tyre në interes të vendit dhe të qytetarëve si dhe nuk shfrytëzohen institucionet kushtetuese të paanshme dhe mbi palët për zgjidhjen e krizave demokracia nuk funksionon. Në këtë proces mazhoranca ka peshën kryesore politike, opozita ka peshën kryesore morale, ndërsa institucionet kushtetuese të paanshme dhe mbi palët kanë peshën e tyre shtetërore.

Opozita ka ndërmarrë një veprim ekstrem duke hequr dorë nga mandatet, kurse mazhoranca këmbëngul se vendi do shkojë në zgjedhje vetëm në vitin 2021. Si mendoni se mund të rikthehet ekuilibri politik në vend? Çfarë mund të bëjnë të huajt në këtë drejtim?

Dorëzimi i mandateve parlamentare do të thotë heqje dorë nga parlamentarizmi. Me këtë vendim opozita transferoi luftën politike në sheshet dhe rrugët e Shqipërisë. Interpretimi politik i dorëzimit të mandateve të opozitës po bëhet bardh e zi nga faktorët lokalë, por edhe ndërkombëtarë. Ka qasje që e quajnë precedent ta paarsyetuar të opozitës. Ka qasje që e quajnë precedent të imponuar nga mazhoranca. Njëra palë i referohet manualeve të demokracisë, pala tjetër i referohet rastit ‘sui generis’ të Shqipërisë. Unë mendoj së të dy palët kanë çfarë të shohin te vetvetja, por edhe te kundërshtari. Për mendimin tim rruga më e drejtë dhe më efikase e opozitës do të ishte gërshetimi i të dy alternativave, i parlamentarizmit dhe i protestave politike dhe qytetare. Gërshetimi i dy rrugëve të mësipërme do të shfrytëzonte avantazhet parlamentare dhe qytetare, do e fuqizonte aksionin politik të opozitës shqiptare, do të hiqte argumentet e brendshme të kundërshtarëve politikë dhe të faktorëve ndërkombëtarë si dhe do i shërbente më mirë shkuarjes drejt zgjidhjes së re.

Lidhur me opozitën do thoja që është mirë të mbajë parasysh se kur hyhet në një rreth krize është e nevojshme të ketë edhe një strategji dalje prej saj. Nuk hyhet në krizë vetëm me formula të ngurta dhe aksion të improvizuar. Hyrja në krizë pa strategji dalje është me pasoja për vendin dhe për vetë opozitën. Strategjia e daljes nga kriza dizajnohet me disa faza, me disa skenarë dhe me disa zgjidhje. Është detyrë e opozitës të jetë e gatshme dhe e qartë në strategjinë e saj ndaj mazhorancës.

Lidhur me mazhorancën, do të thoja që nevojitet të zbresë me këmbë në tokë, të shohë realitetin në sy, të heq dorë nga qëndrimet skematike, nga retorika propagandistike, nga sjelljet arrogante dhe të mendojë jo për margjinalizimin dhe anatemimin e skajshëm të opozitës, por për tërheqjen dhe përfshirjen e saj drejt një kompromisi politik. Është detyrë e mazhorancës që të ofrojë zgjidhje alternative, me sjellje tolerante dhe me frymë kompromisi ndaj opozitës.

Në kushtet kur mazhoranca dhe opozita qëndrojnë në tabore më vete dhe të ngurta lind nevoja që të hyjë në lojë një faktor i tretë i brendshëm kushtetues, i paanshëm dhe mbi palët, ose të pritet një faktor i tretë, në rastin konkret ndërkombëtar për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës. Në rast dështimi i çdo përpjekjeje politike të brendshme dhe i shterimit të çdo institucioni kushtetues të paanshëm dhe mbi palët, atëherë lind nevoja për ndërmjetësim ndërkombëtar. Por jo çdo faktor ndërkombëtar mund ta bëjë këtë rol, jo çdo delegacion i huaj ka vullnet për këtë mision, jo çdo i ardhur nga jashtë është i përgatitur për këtë sfidë, jo çdo përfaqësues i huaj ka paanësinë, besueshmërinë dhe kapacitetin për zgjidhjen e krizës. Mendoj se delegacioni i sapoardhur PE është shembulli më i mirë sesi nuk duhet të jenë ndërmjetësuesit ndërkombëtarë për krizën aktuale politike në Shqipëri.


Etiketa: , , , , ,

Pas