Kryesore

MAPO WEEKEND/ Çejku: Retorika e Brukselit nuk frymëzon më si dikur





               Publikuar në : 11:30 - 02/03/19 |
mapo.al

Flet Arben Çejku, drejtor i Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë


Pas situatës së krijuar në Shqipëri, në Tiranë kanë mbërritur ata që në media po quhen “vala e parë e ndërkombëtarëve”. Bëhet fjalë për disa eurodeputetë…



Vizita e eurodeputetëve në Tiranë ishte e rëndësishme, pavarësisht se nuk solli ndonjë dobi konkrete për krizën. Delegacioni i gjeti dhe i la palët në të njëjtën situatë. Por, vetë ardhja e këtij delegacioni ishte një shenjë e qartë treguese se jehona e krizës politike të Shqipërisë, nuk është e izoluar vetëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por se ajo ka mbërritur tashmë në Bruksel. Mendoj se e njëjta valë shqetësimi ka prekur edhe Uashingtonin, i cili në javët në vazhdim besoj se do të jetë më aktiv në këtë drejtim. Ky grup, them se pati takime të rëndësishme dhe e mori bazën e të dhënave kryesore mbi krizën. Nuk besoj se ka patur iluzione, që ata do të sillnin zgjidhjen këtu. Aq më tepër, që ky grup nuk kishte ndonjë mandat negocimi nga Brukseli. Ai mund të konsiderohet më shumë si një grup faktmbledhës dhe do të jenë të tjerë ata që do të angazhohen më thellësisht për këtë krizë.


Si e lexoni qëndrimin e tyre?

Qëndrimet që mbajti ky grup në takimin me median, personalisht për mua nuk përbënin ndonjë surprizë, ishin brenda pritshmërisë. Opozita do të ballafaqohet sërish me presionin ndërkombëtar, për aq kohë sa ajo do ta ketë kristalizuar qëndrimin dhe ofertën e saj. Por, nuk duhet të harrojmë se, diplomatikisht, edhe qeveria i ka marrë mesazhet nga kancelaritë e huaja, pavarësisht se ato nuk bëhen gjithmonë publike. Referuar konferencës me median, që patën të enjten eurodeputetët, më vjen keq të them që politikanë të njohur si Knut Flekenshtajn apo të tjerë si ai, ende nuk e kanë kuptuar se retorika e burokracisë së Brukselit nuk frymëzon më si dikur në rajonin tonë. Ata duhet të kenë parasysh se, kur flitet për elita politike të korruptuara në Ballkan, e njëjta gjë thuhet edhe për politikanë dhe burokratë në Bruksel, të cilët stabilitetokracinë e kanë vënë prioritet strategjik për qeveri problematike të rajonit tonë, në krahasim me nevojat për demokraci që kanë popujt e këtyre vendeve, që në shumicë janë në valë protestash. Kjo do të thotë, që janë të padobishme retorikat që nuk ofrojnë zgjidhje, gjithëpërfshirje dhe parimore. Nuk ka rëndësi gjuha që përdoret, anglisht apo shqip; rëndësi ka mesazhi që japin.

Disa thonë që kjo krizë kërkon një nivel tjetër reagimi. Ju si mendoni?

Unë besoj se edhe vetë delegacioni i europarlamentarëve që ishte këtu në Tiranë, e ka kuptuar se sa i thellë është hendeku mes opozitës e mazhorancës. Unë mendoj se ata, pavarësisht mesazheve që dhanë në Tiranë (të cilat u kuptuan në mënyra të ndryshme), në Bruksel do të sugjerojnë ngritjen e një grupi tjetër për negocim më serioz me lidershipin politik të Shqipërisë.

Përveç Brukselit, i cili për disa javë do të përfshihet ethshëm në zgjedhjet për Parlamentin Europian, unë shoh një mundësi akoma më të madhe tek Uashingtoni për të na ndihmuar në tejkalimin e kësaj krize. Tryeza e një dialogu substancial dhe produktiv është e pashmangshme.

Opozita ka ndërmarrë një veprim ekstrem duke hequr dorë nga mandatet… Si mund të rikthehet ekuilibri politik në vend. Çfarë mund të bëjnë të huajt në këtë drejtim.

Kriza është shqiptare, faktorët janë shqiptarë dhe zgjidhjen duhet ta bëjnë shqiptarët! Kjo lidhet me zbatimin e marrëveshjes, sepse nuk janë ndërkombëtarët që duhet ta zbatojnë, por klasa jonë politike. Natyrisht, kjo krizë nuk do të zgjidhet aq lehtë dhe pa presionin e theksuar ndërkombëtar.

Ndërkombëtarët, në çdo rast do të ndikojnë në lehtësimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes finale. Por, duhet të jenë palët e përfshira në këtë krizë, që duhet të mendojnë për zgjidhjen në interes të vendit. Bojkoti in extremis i opozitës, tashmë është një fakt i pakthyeshëm dhe ka krijuar një element të panjohur për krizat e dikurshme politike në Shqipëri. Braktisja e parlamentit në mes të mandatit të tij kushtetues, është një precedent jo fort i njohur dhe kjo pikë e krizës, kërkon një vëmendje shumë të madhe dhe trajtim me gjakftohtësi.

Mazhoranca, formalisht i ka të gjitha justifikimet ligjore për të ecur e vetme drejt zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 si dhe për të mbaruar mandatin e saj në 2021. Përpjekjet e saj të sforcuara për të dëshmuar në sytë e publikut, se kriza nuk është gjithëpërfshirëse, por e izoluar vetëm tek opozita dhe vendet e saj bosh në parlament, janë të mirëkuptueshme. Ajo do të vazhdojë ta luajë këtë kartë publikisht sa më gjatë të jetë e mundur, por nga ana tjetër, jam i bindur që edhe ajo së brendshme po e mendon se rrugëdalja e vetme do të jetë dialogu dhe kompromisi me opozitën. Dhe natyrisht, kompromisi me opozitën do të shoqërohet edhe me kosto politike. Mazhoranca ka kapacitete të mjaftueshme, me eksperiencën e duhur dhe vizionin e nevojshëm, për të iniciuar debatin e brendshëm, në favor të një dialogu real me opozitën, për ta kapërcyer sa më shpejt dhe sa më lehtë këtë krizë. Nuk besoj se janë të gjithë të ndërvarur te pushteti, ashtu siç besoj se edhe në krahun e opozitës ka kapacitete të mjaftueshme, që mendojnë interesin e vendit para interesave të tyre partiake dhe personale.

Pikërisht në këtë fushë edhe ndërkombëtarët do të navigojnë për të dizajnuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të pranueshme dhe të zbatueshme nga palët, duke mos lejuar thellimin e mëtejshëm të krizës, e cila mund të ketë pasoja për të ardhmen tonë demokratike dhe europiane. Ndërkombëtarët, nuk mund ta zgjidhin krizën as me diktat dhe as me magji, por duke u bazuar fort në alternativat dhe mundësitë që ofrojnë palët. Unë besoj se kriza do të zgjidhet përmes një tryeze dialogu, me prezencën e SHBA dhe BE dhe, marrëveshja e re do të jetë një paketë e gjerë detyrimesh, që përveç problematikës së zgjedhjeve, do të përfshijë edhe disa elementë të tjerë të rëndësishëm politiko–ligjorë.


Etiketa: , , , , ,

Pas