Kryesore

MAPO WEEKEND/ Çlirim Gjata: Vettingu ka rënë, drejtësia e re është në duart e Edi Ramës






               Publikuar në : 10:21 - 09/02/19 |
mapo.al

Eksperti dhe politikani Gjata mendon se “kjo drejtësi që po lind jo vetëm që po njolloset, por po vazhdoi kështu do të bëhet e rrezikshme”. Sipas tij, “vetingu sot është kthyer në një teatër”


Karl Sigmund, një profesor i njohur, thotë se nuk mund të luftosh korrupsionin dhe krimin pa reformuar drejtësinë. Kjo duket se është arsyeja kryesore pse të huajt janë investuar kaq shumë për një drejtësi të re në Shqipëri. A duhet të kemi shpresa të mëdha? A është nevoja më e madhe e Shqipërisë Reforma në Drejtësi?

-Jam dakord me profesor Sigmund, por kjo më kujton Hamletin e Shekspirit. Çfarë të tha fantazma e pyetën shokët Hamletin; Danimarka qenka mbushur me zuzarë, thotë ai; E duhej të vinte një fantazmë të na i thoshte këto?

E pra edhe një fëmijë e di që në Shqipëri duhet reformuar drejtësia dhe s`ka nevojë për shumë ndërkombëtarë për ta thënë këtë. Por problemi qëndron se faktori ndërkombëtar tregon parimet, por si implementohen këto parime është diçka krejt tjetër. Në reformën tonë në drejtësi me gjithë punën e madhe që u bë, për ditë e më shumë të gjithë po binden se drejtësia e re po bie në duart e Kryeministrit Rama. Mjafton fakti që po mbushen 3 vjet nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së re për drejtësinë dhe akoma nuk janë ngritur të gjitha institucionet ligjzbatuese të drejtësisë, ose edhe ato që janë ngritur janë ngritur me shkelje të mëdha duke i bërë të kontestueshme në çdo moment. Apo dhe funksionojnë kaq ngadalë sa duket sikur nuk janë.

Shikoni çfarë po ndodh, ndiqni vetingun të parin. Ata që po kalojnë vetingun me gjithë shkeljet e tmerrshme të denja për procedim penal, janë kontingjent i kapur nga kryeministri dhe që janë destinuar t’i shërbejnë atij në drejtësinë e re, po kalojnë pa problem. Të tjerët që nuk kanë asnjë përkrahje politike, apo asnjë interes për ta, largohen për shkelje fare të pakonsiderueshme. Shembulli më perfid është ai i Donika Prelës. Me gjithë ato shkelje, të konstatuara edhe nga përfaqësuesi i ONM (një prej të cilave edhe mospagimi i taksave), trupa e vetingut e konfirmoi në detyrë. Ndërsa një gjyqtari i kërkojnë taksat e djalit të tezes në Itali sepse i ka marrë 18 mijë euro hua. Vetingu sot është kthyer në një teatër ku nuk duket se, ku mbaron tragjikja dhe ku fillon komedia. Praktikisht vetingu ka rënë, pasi ka degraduar  në një institucion që vetëm realizon interesat e Edi Ramës.

Së fundmi ka patur dyshime dhe akuza mbi drejtësinë e re që po lind. A mendoni se po njolloset ajo akoma pa e nisur mirë punën apo është një alarm i parakohshëm?

-Kjo drejtësi që po lind jo vetëm që po njolloset, por po vazhdoi kështu do të bëhet e rrezikshme sepse po kthehet në shërbyese e Kryeministrit  dhe enturazhit që i shërben atij duke na sjellë në horizont kohët e errëta të diktaturës. Dhe kjo filloi që me miratimin e ligjeve të njëanshme, ndërtimin e njëanshëm të institucioneve të reja, emërimin politik të prokurores së përgjithshme, emërim ky që ka lënë pasoja të rënda në organet e reja të drejtësisë dhe në prokurorinë e krimeve të rënda. Lënia e vendit pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë, e paprecedentë kjo që nga koha e Hitlerit (meqë ra fjala çfarë do të thoshte profesori Vjenez Sigmund për këtë??). Dhe mbi të gjitha paaftësia e institucioneve të reja të drejtësisë për të vepruar më shpejt edhe për shkak të përplasjeve ligjore me vetingun. Megjithëse kam mendimin se më shumë se paaftësi është shërbim ndaj kryeministrit, për ta lënë vendin pa organe drejtësie funksionale, një situatë parajsë kjo për qeverinë.

Shikoni çfarë po ndodh: skandalet e përditshme të qeverisë me tenderat 40 milionë eurosh apo kompani fantazmë që fitojnë tendera; përgjimet që publikon VOA deklamojnë fort jo thjesht blerjen dhe vjedhjen e votave në zgjedhjet e fundit, por lidhjen e politikanëve të rëndësishëm të qeverisë dhe partisë në pushtet me krimin e organizuar dhe mafien për të mbajtur pushtetin.

Ku është prokuroria këtu?? Prokuroria po kalon vetingun.

Shikoni KLP, se me çfarë problemesh po përballet, sepse është ndërtuar me paligjshmëri dhe po vihet në shërbim të kryeministrit. Shikoni KED, nga 9 anëtarë është me 7anëtarë ku të paktën dy anëtarë nuk janë zgjedhur me short se nuk kishte kandidatë dhe janë emëruar direkt, si në rastin e Prokurores së Përgjithshme. Si mund të jetë ajo anëtare e institucionit që emëron anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kur ka konflikt interesi, pasi vendimet e sajë potencialisht do të gjykohen nga Gjykata, që kjo prokurore do të krijojë.

Më thoni pra: a nuk është drejtësia e re e ngjashme me Danimarkën e Hamletit të Shekspirit mbushur plot me… E pra, këtë nuk ka nevojë të na e tregojnë ndërkombëtarët, por duhet t’ua tregojmë ne atyre.


Etiketa: , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas