Flet për MAPO WEEKEND Fitim Zekthi, analist, pedagog
Partia Demokratike është përfshirë nga zgjedhje të brendshme, duke sjellë në pozicione drejtuese personazhe të rinj, pa të shkuar në poste drejtuese dhe individë të cilët janë afirmuar në profesionet e tyre. A mund të themi se ekipi i tanishëm është tashmë i Lulzim Bashës?
Në një kuptim, përderisa të gjithë emrat e zgjedhur janë individë të propozuar nga kryetari i PD-së Lulzim Basha, mund të thuhet se ekipi i zgjedhur është ekipi i Lulzim Bashës. Të gjithë ata që u zgjodhën në postet e nënkryetarëve, të sekretarëve dhe të kryesisë ishin propozime të kryetarit Basha. Çështja është se një parti e madhe si PD nuk mund të jetë kurrë një parti në të cilën ata që propozohen nga kryetari janë të kryetarit. Kryetari i partisë do të propozojë domosdo në përputhje me një filozofi të caktuar, në përputhje me një synim të caktuar dhe në përputhje me një kontekst të caktuar. Duke qenë një organizëm i gjallë, partia funksionon si një sistem që ka për qëllim të ruajë mbijetesën e saj, të rritet dhe të fitojë pushtetin. Për ta bërë këtë, ajo do të përpiqet të ripërtërihet nëpërmjet asaj që ka më të mirën. Në këtë kuptim, të gjitha propozimet e kryetarit Basha nuk mund të thuhet se prodhojnë një ekip të Bashës në emër personal, por një ekip të zgjedhur prej tij për synime që tejkalojnë synimet e një individi qoftë ky edhe kryetari. Kryetari Basha është një individ brenda sistemit, pavarësisht se është kryetari. Lulzim Basha nuk mund të veprojë në mënyrë që sistemi të rrezikojë mbijetesën dhe të mos rritet apo të mos jetë në gjendje të konkurrojë fort për pushtet. Duke qenë kështu ekipi është i tiji por edhe ai është i ekipit, sepse që të dy janë në shërbim të përtëritjes dhe fuqizimit të PD-së e cila i dominon edhe të zgjedhurit edhe kryetarin.
Opozita shpesh është etiketuar si një forcë politike që nuk ofron frymë dhe besim te qytetarët. Me ndryshimet e bëra dhe me artikulimin e Bashës që ka lënë të nënkuptohet se do ketë një shkëputje nga e “shkuara”, a janë nisma të mjaftueshme që mund të ngjisë në elektorat dhe rikthyer besimin dhe parë opozitën si shpresë për ndryshim të mënyrës qeverisëse?
Unë kam një pikëpamje që është pak e ndryshme nga diskursi i zakonshëm mbi ngjizjen e shpresës apo prodhimin e saj nga një parti apo një ekip partiak. Për mendimin tim, një ekip partiak apo një parti, nuk ka mundësi të prodhojë më shpresë në shoqërinë e sotme të paktën sot për sot. Këtë e them jo vetëm për Shqipërinë por edhe për vende të tjera. Në Britani nuk ekziston më një parti që mund të ngjallë shpresë dhe të entuziazmojë njerëzit. Në Gjermani, të gjitha partitë janë gati në krizë. Asnjë parti nuk ka fuqi të prodhojë shpresë. Në Itali po ashtu. Në Greqi, Maqedoni, Spanjë, Kosovë, kudo. Sot ka një krizë të pluralizmit dhe të demokracisë. Sot ka një humbje të madhe të besimit te partitë dhe te demokracia. Në këtë kuptim, Partia Demokratike nuk mund të gjejë një ekip që ngjall shpresë. Partia demokratike mund të gjejë një ekip që është serioz, që është i zoti të marrë përsipër përgjegjësi dhe që është i zoti të kuptojë se çfarë sfidash ka përpara. Ekipi i ri i PD-së mua më duket serioz, ka aty njerëz shumë të zotë dhe mjaft të përgjegjshëm, njerëz që njihen si të drejtë dhe të fisëm në përpjekjet e tyre partiake apo profesionale. Mendoj se pjesa e parë e punës është bërë mirë dhe tashmë mbetet pjesa e dytë që ky ekip dhe PD në tërësi të shkojë te njerëzit dhe ‘t’i bindë se ajo është serioze dhe ka fuqi të marrë përgjegjësi.
Pas organizimit të brendshëm betejën e vërtetë të fortë PD dhe partitë e tjera aleate do e kenë me qeverinë. Si duhet të jetë sjellja e një beteje institucionale apo protesta popullore? Gjithashtu, në qershor janë edhe zgjedhjet lokale, çfarë duhet të bëjë opozita në situatën aktuale, kur ka edhe zëra të vendosur që “Me Ramën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira”, një bojkot do jetë opsion?
Kjo është një pyetje shumë e vështirë për t’i dhënë përgjigje. Ata që duhet të përgjigjen në PD dhe ata që do të marrin përsipër përgjegjësinë e një vendimi të tillë, duhet të kenë vërtet shumë të dridhura kur të flasin për këtë punë. E sigurt është që sot Shqipëria është një autokraci e dominuar nga Rama, është një vend në krizë ekonomike dhe në krizë sociale e politike. E sigurt është që zgjedhjet zhvillohen nën shenjën e parasë dhe kërcënimit me vende pune dhe me humbje të punës, zhvillohen në shenjën e njerëzve që vijnë nga trafiku dhe droga. E sigurt është që PD do t’i shërbente në mënyrën më të keqe vendit nëse nuk do ta njihte dhe tregonte njerëzve këtë gjendje. Çështja është a duhet të përballet opozita dhe populli në rrugë me këtë autokraci dhe me këtë lidhje krim-qeverisje apo duhet të përballet në kuvend dhe në zgjedhje? Përballja në rrugë do të ishte përgjigja e parë. Çështja është se populli është i zhytur në apati dhe gjendet i kërcënuar më bukën e përditshme dhe nuk është në gjendje të dalë të protestojë gjatë dhe në masë të madhe kundër qeverisë. Atëherë opozita do të drejtojë protesta që do të vijnë duke u bërë gjithnjë e më të vogla me pjesëmarrjen të mbështetësve të vet. Kjo duket një rrugë e vështirë por nëse opozita arrin të drejtojë protesta të forta të popullit, ajo do t’i bëjë një shërbim të madh kombit. Rruga e dytë është më e lehtë të realizohet dhe më e pasigurt edhe se sa e para për rezultatin. Mund të bësh opozitë të fortë dhe garë “heroike” zgjedhore por sërish qeveria me anë të parasë i blen zgjedhjet. Herën e fundit kjo gjë ndodhi. Atëherë rruga e vetme mbetet rruga. Të shohim. Protestat hë për hë janë e vetmja zgjidhje.
Nëse opozita futet në zgjedhje dhe rezultati në votime do njohë rritje për opozitën, a është tregues se ndryshimi i pushtetit në zgjedhjet e përgjithshme do jetë i mundshëm?
Unë jam i bindur që qeveria ka vdekur dhe që kryeministri është një zombie, pra një i vdekur i ngritur nga varri ose një i vdekur që ecën. Në qoftë se do të kishte zgjedhje të lira, pra, ta zëmë se vjen dhe instalohet një trupë speciale që kontrollon KQZ, policinë dhe SHISH, dhe nuk lejon asnjë milimetër blerje votash dhe kërcënim është e sigurt që njerëzit do ta ndëshkojnë keq PS-në. Ose imagjino sikur Rama të pranojë të mos jetë kryeministër por qeverinë ta drejtojë një individ i paanshëm është e sigurt se ai do të humbë keq. Miti sikur Rama fiton dhe opozita është e dobët është ngritur nga Rama në mënyrë që ai të justifikojë blerjen e zgjedhjeve, por nuk ka të bëjë me asgjë konkrete.