Flet për gazetën Mapo, Ledina Mandia, ish-zëvendëskryeministre, pedagoge në UET
Reforma në Drejtësi ka nisur të marrë formësim, pas dy vitesh që nga momenti i ashtuquajtur “historik” kur 140 deputetë të Parlamentit votuan pro ndryshimeve kushtetuese. Tashmë kemi të ngritur KLGJ dhe KLP, dy institucione që i hapin rrugën krijimit të SPAK e BKH, si do e konsideroni procesin e vettingut në tërësi, ndërsa janë zgjedhur edhe gjyqtarë e prokurorë që përfaqësojnë KLGJ dhe KLP, si do i gjykoni emrat e përzgjedhur në aspektin profesional dhe integritetit? Pavarësisht optimizmit, vonesat në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të listës prioritare mbajtën “peng” sistemin në tërësi, përse kjo vonesë?
Më së fundi, kanë filluar të formësohen organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, të cilat hapin rrugën edhe për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtuese, të cilat për momentin janë inekzistente, duke iu mohuar qytetarëve aksesin në drejtësi si dhe mbrojtjen e interesave të tyre të ligjshme, gjë e cila ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e shtetit të së drejtës dhe garantimit të standardit të të drejtave të njeriut. Në mendimin tim, Reforma në Drejtësi formësimin e saj e ka të vonuar, gjë e cila ka ndikuar jo vetëm te qytetarët shqiptarë por edhe te vetë funksionimi i shtetit. Momenti “historik” i miratimit me konsensus të ndryshimeve kushtetuese të them të drejtën tani duket i largët, ndërkohë që pritshmëritë ishin të larta referuar efekteve të menjëhershme që do të kishin ato, në drejtim të ndërtimit të institucioneve të reja të drejtësisë. Që në fillim të herës u vunë re mangësitë ligjore, të cilat e penguan Presidentin e Republikës në drejtim të formësimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Fakti që ndryshimet kushtetuese u miratuan veçmas ligjeve të tjera lidhur me rivlerësimin e gjyqtarëve, statusit të magjistratëve, organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë etj., sollën si pasojë moszbatimin e menjëhershëm dhe si duhet të atyre ndryshimeve kushtetuese. Në mendim tim, ndryshimet kushtetuese së bashku me të gjithë ligjet e tjera duhet të kishin ardhur si një paketë e plotë e punuar me kujdes nga ekspertë të pavarur të cilët duhet të punonin të pavarur nga ndërhyrjet e politikës dhe të pandikuar nga interesa apo emra të caktuar që iknin apo do të vinin. Pavarësisht kësaj, realiteti është që sot po bëhet rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe si rezultat i saj jemi pa një Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë. Ndërkohë, sapo janë formësuar disa nga organet e rëndësishme të qeverisjes së sistemit të drejtësisë në zbatim të ndryshimeve kushtetuese si dhe të ligjit nr.115/2016 që ka si qëllim të garantojë pavarësinë, përgjegjshmërinë, cilësinë e përbërjes, transparencën dhe eficiencën e vendimmarrjes së organeve të rëndësishme kushtetuese dhe përmes tyre mirëqeverisjen dhe pavarësinë e gjyqësorit dhe të prokurorisë, si dhe statusin, përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe paanësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo sjell një ndryshim thelbësor të rolit dhe të legjitimitetit të organit qeverisës së gjyqësorit, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i emërtuar rishtas si Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), ku ndryshimet më të rëndësishme kanë të bëjnë me: numrin e anëtarëve, nga 15 në 11, dhe procedurën e zgjedhjes së tyre; përbërjen e organit duke ndryshuar raportin gjyqtar – jo gjyqtar dhe profilin e anëtarëve jo gjyqtarë; suprimimin e tre anëtarëve ex officio në këtë organ (nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë); kryesimin e organit nga njëri prej anëtarëve jo gjyqtarë, duke i hequr këtë të drejtë Presidentit të Republikës; suprimimin e funksionit kushtetues të Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë; zgjerimin e madh të kompetencave të cilat përfshijnë pothuaj të gjitha aspektet e administrimit të gjyqësorit; kalimin nga anëtarësia me kohë të pjesshme në anëtarësi me kohë të plotë në funksion të eficiencës dhe kolegjialitetit të organit; parashikimin e një sistemi përgjegjshmërie për anëtarët; marrjen e përgjegjësive për raportimin publik dhe para Kuvendit për çështje të gjyqësorit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ngrihet në nivel kushtetues dhe është përcaktuar në ligj strukturimi tërësor i kompetencave të tij për emërimin, karrierën, ngritjen në detyrë dhe disiplinimin e prokurorëve. Më tej, në zgjidhje të problematikave të lidhura me hetimin e shkeljeve disiplinore, funksioni i hetimit veçohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ndërmerret nga një organ i veçantë i zgjedhur nga Kuvendi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i cili është përgjegjës për verifikimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedurës disiplinore jo vetëm ndaj gjyqtarëve, por edhe ndaj prokurorëve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, depolitizimin e procesit të emërimeve në pozicionet e larta në drejtësi, duke reduktuar diskrecionin e organeve politike të emërtesës dhe rritur cilësinë në përbërjen e institucioneve që drejtojnë sistemin e drejtësisë. Një organ që i jep jetë funksionimit të sistemit të drejtësisë është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili do të jetë përgjegjës për të verifikuar përmbushjen e kushteve ligjore dhe të kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Kuptohet, që referuar amendimeve kushtetuese dhe të ligjit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të merrte prioritet vetting së pari, i kandidatëve për anëtarë (gjyqtarë dhe prokurorë) të KED, KLGJ, KLP, ILD, GJL, GJK. Ky proces përjashtoi nga sistemi shumë gjyqtarë dhe prokurorë kandidatë dhe në organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë, çfarë vonoi dhe konstituimin dhe më pas funksionimin e këtyre organeve, duke penguar në vijim emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, marrjen e masave disiplinore dhe funksionimin e tyre sipas ligjit. Unë përshëndes konstituimin e këtyre organeve, por sërish shoh që disa nga anëtarët e përzgjedhur në organet e qeverisjes së gjyqësorit kanë kaluar fazën e parë të rivlerësimit, por vendimet e KPK janë ankimuar nga Komisioneri Publik në KPA dhe mund të ndodhë që sërish të ketë vakancë në rast të një vendimmarrje të ndryshme nga KPA. Një rast për t’u përmendur është rasti i Kryetarit të GJK që ishte dhe anëtar i KED. Një situatë e tillë mund të krijohet për KLGJ, KLP, për sa kohë ekziston mundësia që gjyqtarë dhe prokurorë të përzgjedhur dhe që kanë kaluar vetting përmes KPK, mund të përjashtohen nga sistemi përmes vendimmarrjes së KPA. Në lidhje me emrat e përzgjedhur unë nuk mund të bëj komente, por vetëm uroj suksese në detyrën e tyre. Ajo gjë për të cilën unë kam shprehur rezerva është fakti, që anëtarët jo gjyqtarë apo jo prokurorë nuk kanë kaluar përmes një procesi rivlerësimi ashtu sikur anëtarët gjyqtarë dhe prokurorë. Ligji nr.115/2016 nuk parashikon rregulla që anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ t’u bëhet rivlerësimi, ndërkohë që ata do të gëzojnë statusin e anëtarëve të GJL. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për anëtarët jo-prokurorë të KLP-së. Gjithashtu, shpreh rezervën që nga anëtarët jo gjyqtarë dhe jo prokurorë në KLGJ dhe KLP janë përzgjedhur persona të cilët kanë qenë ekspertë të nivelit të lartë të Reformës në Drejtësi, siç mund të jetë rasti i kryetarit të zgjedhur të KLP-së. Gjatë kohës së debateve të paketës ligjore të reformës në drejtësi është kërkuar nga shumë aktorë që ekspertët e nivelit të lartë të Reformës në Drejtësi të ishin të përjashtuar nga organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë apo sistemi i drejtësisë për një periudhe 10-vjeçare, por kjo është konsideruar vetëm në rastin e anëtarëve të KPK dhe KPA, referuar pikës (f) të nenit 6 të ligjit 84/2016. Shqetësimi i ngritur gjatë gjithë kohës ka qenë që ekspertët e quajtur të pavarur mund të draftonin ligje në interes të tyre, duke paracaktuar dhe pozicionet që do të merrnin në të ardhmen. Dhe në fakt kjo tashmë ka ndodhur. Një ekspert i lartë i Reformës së Drejtësisë është Kryetar i njërit nga organet më të rëndësishme të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
Sa i përket procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve unë e kam ndjekur nga media, dhe nuk ka bërë një monitorim të vendimmarrjes së KPK dhe KPA, por është evidente aplikimi i standardeve të ndryshme në kushte apo rrethana të njëjta apo të ngjashme. Sistemi i rivlerësimit është ngritur me qëllim që të garantohet funksionimi i shtetit të së drejtës, pavarësia e sistemit të drejtësisë, si dhe të rikthehet besimi i publikut tek institucionet e këtij sistemi. Rivlerësimi referuar Kushtetutës dhe KEDNJ-së duhet të kryhet mbi bazën e parimeve të procesit të rregullt, si dhe duke respektuar të drejtat themelore të subjektit të vlerësimit. Çdo shkelje e procesit të rregullt ligjor do të kishte pasoja të rënda në këtë proces, qoftë në rastet e lënies me të padrejtë në sistem të individëve që nuk e meritojnë, apo largimit të gabuar të të tjerëve. Secili nga subjektet e rivlerësimit ka të drejtën ankimit në KPA dhe më pas në GJEDNJ, e cila në rast të konstatimit të një procesi të parregullt ligjor dhe standardi të dyfishtë të aplikuar mund të arrijë një vendimmarrje e cila do të ketë kosto për shtetin Shqiptar dhe jo vetëm financiare.
Publiku i gjerë shqiptar dhe jo vetëm (përfshi edhe ndërkombëtarët), presin efektet e para të reformës së re të drejtësisë, nga analiza juaj, kur mendoni se do jenë formësuar institucionet e reja? Për vendin tonë nuk konsiderohet vetëm një “erë e re në drejtësi”, por është një kauzë e fortë edhe për integrimin e vendit në strukturat Europiane. Sa do ndikojë reformimi i drejtësisë në aspektin gjeopolitik të vendit? Kujtojmë që ka pasur dhe ka një angazhim të fortë ndërkombëtar, SHBA dhe BE në këtë çështje.
KED u krijua dhe në përbërje të saj kishte 9 anëtarë, por një nga anëtarët e saj u largua nga gjyqësori dhe jo një gjyqtar i thjeshtë por Kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Sipas Kushtetutës dhe Ligjit 115/2016, KED ka në përbërje të saj dy anëtarë të GJK. Kjo Gjykatë kishte ngelur ne dy anëtarë , të cilët që të dy u përzgjodhën në KED pa anëtar zëvendësues. Do të thotë që tashmë KED do të ketë një anëtar më pak. KED është organ i pavarur që verifikon përmbushjen e kushteve ligjore dhe vlerëson kriteret profesionale e morale të kandidatëve për anëtarë të GJK (Gjykatës Kushtetuese) dhe kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Pjesëmarrja në mbledhjet e KED është e detyrueshme për të gjithë anëtarët, dhe në rast mungese zëvendësohet nga anëtari zëvendësues nga i njëjti institucion. Në rastin e GJK, në rastin e shkarkimit të anëtarit dhe që GJK ka mbetur me një anëtar që i ka mbaruar mandati, pengon vendimmarrjen kolegjiale të këtij organi në përzgjedhjen e mëtejshme të anëtarëve të GJK dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. KLGJ dhe KLP janë konstituar dhe zgjedhur kryetarët e tyre, por në çdo moment mundet që një nga anëtarët mund të largohet nga sistemi. Gjithsesi, në këtë moment KLGJ referuar Kushtetutës mund të ushtrojë funksionet e emërimit, transferimit, vlerësimit, apo masave displinore për gjyqtarë të të gjitha niveleve. Rëndësi këtu merr Gjykata e Lartë e cila ka dalë jashtë funksionit të saj dhe ka të studim rreth 26000 dosje, që ndikon në zvarritjen e procesit gjyqësor. Pra me krijimin e KLGJ, në kushtet që anëtarët e përzgjedhur nuk kanë një vendim negativ nga KPA për t’i përjashtuar nga sistemi dhe kur kërkohet një kuorum prej 7 anëtarësh, do të thotë që vendet vakante në gjyqësor do të plotësohen. Por procesi i emërimit përfundimtar është i kushtëzuar nga Presidenti i Republikës, i cili në rastet e parashikuara në Kushtetutë mund të mos emërojë gjyqtarët referuar propozimit të KLGJ-së.
E njëjta gjë mund te thuhet për KLP, e cila menjëherë mund të fillojë nga puna për plotësimin e vendeve vakante në prokurori, dhënien e statusit të prokurorit magjistratëve prokurorë, si dhe në përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, duke i hapur rrugën krijimit të SPAK dhe BKH. Por sërish ky proces është i kushtëzuar nga emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm, i cili përzgjidhet nga 3/5 e anëtarëve të Kuvendit mbi tre kandidatura të propozuara nga KLP. Më pas Prokurori i Përgjithshëm do të emërojë prokurorët e niveleve të tjera. Ndërkohë referuar nenit 148/dh krijimi i KLP i hap rrugën krijimit të SPAK, pasi prokurorët dhe Kryetari i SPAK përzgjidhen nga KLP dhe mund të themi se në bazë të Kushtetutës është i pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm që zgjidhet nga Kuvendi.
Duke u ndalur te SPAK dhe BKH, a janë të kushtëzuara këto dy institucione nga përfundimi i procesit të rivlerësimit? Duket se të gjithë sytë janë kthyer te SPAK, cilat janë pritshmëritë publike pasi ky institucion ngjan si “trungu” i rëndësishëm i drejtësisë që do hetojë e gjykojë zyrtarët e nivelit të lartë? Nga lista prioritare e konfirmuar në detyrë, për 10 gjyqtarë dhe prokurorë ka ankimim nga ONM dhe Komisioneri Publik drejt KPA-së, a është një arsye për një tjetër shtyrje në kohë?
Kuptohet që secili nga prokurorët që plotëson kriteret sipas ligjit ka të drejtë të kandidojë për SPAK. Jo vetëm personat që i janë nënshtruar deri tani procesit të vetting por dhe të tjerë që akoma nuk e kanë kaluar këtë proces. Kuptohet që persona të tillë që shprehin vullnetin do t’i nënshtrohen rivlerësimit para se të përzgjidhen nga KLP. Çështja është çfarë ndodh me kandidatët që kanë kaluar vetting përmes KPK, por që ndaj tyre ka një ankim nga Komisioneri Publik dhe akoma nuk ka një vendimmarrje nga KPA. Kuptohet që kjo procedurë merr kohën e saj, dhe kjo varet vetëm nga intensiteti dhe profesionalizimi i KPK, KPA dhe institucioneve të tjera të përfshira në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve/prokurorëve.
Aktualisht vendi është në një lloj “kolapsi në drejtësi” për shkak të vettingut. Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionimit të saj, Gjykata e Lartë gjithashtu në të njëjtin shqetësim. Si ka ndikuar kjo situatë për sistemin e drejtësisë dhe a është një arsye më shumë që institucionet e vetingut të jenë në luftë me kohën për një proces sa më të shpejtë?
Siç e thashë më sipër, është emergjente rikrijimi i Gjykatës Kushtetuese dhe plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën e Lartë. Mungesa për një kohë të gjatë e Gjykatës Kushtetuese ka dobësuar themelet e shtetit. Një shtet ligjor nuk mund të kuptohet pa një Gjykatë Kushtetuese. Abuzimi qeveritar dhe në drejtim të të drejtave të njeriut mund të jetë agravuar dhe nuk ekziston GJK që të garantojë pikërisht funksionimin e shtetit ligjor dhe të ndalojë abuzimin me pushtetin të një mazhorance qeverisëse. Qytetarët nuk kanë ku të realizojnë ankimimin e shkeljes së të drejtave të tyre të garantuara me Kushtetutë. Situata e fundit, ku GJK mbetet e përfaqësuar me një anëtar në KED është shqetësuese dhe duhet të gjendet një zgjidhje në drejtim të funksionimit të këtij organi që përzgjedh dhe anëtarët për GJK të cilët i dërgohen në listë Presidentit, GJL apo Kuvendit referuar nenit 125 të Kushtetutës. Në lidhje me Gjykatën e Lartë, siç u shpreha më sipër, është më optimiste situate për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga KLGJ, por që në çdo rast e kushtëzuar nga vendimmarrja e Presidentit të Republikës referuar nenit 136/2 të Kushtetutës.
Institucionet e rivlerësimit të gjyqtarëve janë në luftë më kohën, po ashtu edhe organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, por jo vetëm. Institucioni i Presidentit, Kuvendi dhe forcat politike kanë një rol kyç në këtë proces, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i organeve të drejtësisë dhe të behet e mundur kthimi i qytetarëve te drejtësia. Kjo kuptohet duke garantuar në çdo rast një proces transparent, një proces të rregullt ligjor duke respektuar të drejtat themelore të subjekteve të rivlerësimit, dhe duke garantuar një drejtësi të pavarur dhe të pa kapur nga politika, për qytetarët shqiptarë.